Duke rendur pas…. harruam fëmijët!Boris Miska 

Duke rendur pas…. harruam fëmijët!

Kohë e marrë, çfarë nuk po shohim e dëgjojmë! Tre fëmijë të braktisur, një baba i paburrë që u shanë të ëmën natë e ditë, dhe një nënë e kullundrisur për … në rrjetet sociale që i drejton gishtin e fajit vjehrrës.

Shoqëri në krizë që merret me gjithçka por jo me veten, një brez i papërgatitur për të rritur gjeneratat e së ardhmes, politikë me duar të ndyera deri në rrëzë nga marrëzitë dhe korrupsioni, moral i rënë përtokë, që më të mirët mban hajdutët. Gazetar e analistë si korba që shqyejn me epsh trupat kërthi të pafajësisë. Askush nuk ndalet, ikin, e shohin si gjë normale, larg tyre, por që nesër do u kthehet në bumerang.

Kjo epidemi amoraliteti që ka kapluar një shoqëri në tranzicion të pafund, e ka një arsye, jo veç një, por më shumë. Nuk erdhi në një ditë, as vit, ndoshta dekadë. Për të nuk e vuri kush ujin në zjarr, familja e para, për t’u ngjitur në akuzë deri në përgjegjegjësitë e një shteti pa përgjegjësi.

Të pasurit nuk ngopen, të thjeshtët nuk dinë. Fëmijët e të parëve shpenzojnë eksperiencë, konsumojnë çdo gjë, edhe drogën, pjesa tjetër e sheh si model, e lakmon, e synon dhe më pas endet në pasiguri, zhgënjehet, shitet, nuk identifikon dot veten, ikën tjetër kund, braktis çdo hap për të cilën s’ka qenë i përgatitur. Vendi zbrazet, plaket, nuk punon, pret nga të tjerët, fajson gjithëkënd, ka frikë ta shoh veten në pasqyrë sepse nuk e njeh. Ai i ngjan një trupi pa ndjenja, nuk reagon ndaj asnjë dhimbje, klithme, padrejtësie, ndaj mbi kurrizin e tij hedhin valle e bëjnë eksperimente pamëshirë si mjeku mbi një trup të paralizuar.

Nuk janë përmbytja e zjarri e vetmja fatkeqësi, por janë gjërat e vogla, jeta e përditshme, qelizat e familjes, gjymtyrët e shoqërisë, rritja e fëmijëve, prindërimi, dija, të cilat kanë përfunduar me kohë para rrëkeve në ujrat e ndotura të lumejve e deteve të cilat i shkatërruam të parat.