Unë në dashuri nuk di të hyj me këmbë në tokë…Ambra Agaj

Unë në dashuri nuk di të hyj me këmbë në tokë. Unë bie. Bie kokë e këmbë, pa mbajtur asgjë për vete, pa lënë asnjë pjesë timen jashtë. Dhe ndoshta kjo është e keqja ime… që kur dua, nuk di të dua pak. Nuk di të dua me masë. Nuk di të mbaj një derë gjysmë të hapur, në rast se duhet të iki. Unë kur të dua, të hap të gjitha dyert e mia dhe të lë të hysh deri aty ku askush tjetër nuk ka arritur.     

Dhe me ty… unë nuk rashë thjesht në dashuri. Me ty u mbyta në të.     Sikur gjithë jetën të kisha qenë duke kërkuar një vend ku të pushoja dhe, pa e kuptuar, ai vend ishe ti. Pranë teje ndihem e lirë në një mënyrë që nuk di ta shpjegoj. Ndihem vajzë, ndihem e sigurt, ndihem e gjallë. Ndihem sikur për pak çaste bota pushon së bëri zhurmë dhe ekzistojmë vetëm ne të dy.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye më dhemb kaq shumë largësia.Sepse si mund të mësohet zemra ime me praninë tënde dhe pastaj të detyrohet të jetojë me mungesën tënde?

Si mund të mësohem me duart e tua dhe pastaj të përqafoj një jastëk natën sikur mund të më sjellë ty? Si mund të mësohem me aromën tënde, me zërin tënd, me mënyrën si më sheh, me atë ndjesinë që kam kur jam pranë teje… dhe pastaj të bëj sikur disa ditë pa ty janë thjesht “normale”?

Për mua nuk janë normale.Çdo largim nga ti më duket sikur më merr me vete një copëz timen.

Dhe unë e di që jeta nuk është gjithmonë ashtu siç e duam. E di që mund të kesh frikë. E di që ndoshta nuk ndihesh gati. E di që ndoshta ideja e të ardhmes, e të jetuarit bashkë, e të bërit gjërat më serioze, të tremb.

Por unë nuk po të kërkoj të mos kesh frikë.

Po të kërkoj vetëm të mos më lësh të kem frikë vetëm.

Sepse unë po e shoh një shtëpi me ty në mendjen time. Jo një shtëpi me mure të bukura, por atë lloj shtëpie ku mëngjeset kanë zërin tënd, ku rrobat e tua janë pranë të miave, ku grindemi për gjëra të vogla dhe pesë minuta më vonë qeshim, ku ti kthehesh në shtëpi dhe unë të pres. Një jetë e zakonshme, ndoshta… por me ty.

Unë nuk ëndërroj për ty sepse dua një përrallë.Ëndërroj për ty sepse me ty për herë të parë dua realitetin.Dua ditët e zakonshme. Dua të të shoh të lodhur. Dua të të shoh kur zgjohesh me flokët rrëmujë. Dua darkat e thjeshta. Dua të blejmë gjëra për shtëpinë. Dua të të kem pranë edhe kur nuk kemi asgjë për t’i thënë njëri-tjetrit.

Dua një jetë që ndoshta nga jashtë nuk duket aspak perfekte, por që kur të kthehem dhe të të shoh ty, të mendoj: “Këtu dua të jem.”Dhe ndonjëherë më tremb fakti që unë po e ndërtoj gjithë këtë në zemrën time, ndërsa nuk e di nëse ti po ndërton të njëjtën gjë në tënden.Sepse kur jemi bashkë, unë e ndjej dashurinë tënde. E ndjej në mënyrën si më prek, si më sheh, si më afron pranë vetes. Por sapo largohemi, sikur mes nesh bie një perde. Dhe unë mbetem në anën time, duke u përpjekur të ndjej diçka që në distancë nuk arrij ta prek.

Dhe atëherë filloj të pyes veten:A më mungon sepse më do, apo vetëm sepse më ke pranë kur jam aty?A e sheh edhe ti atë të ardhme që shoh unë, apo jam vetëm unë duke i dhënë ngjyra një tabloje ku ti ende nuk ke vendosur të pikturosh?Ndoshta këto janë vetëm frikërat e një vajze që ka dashuruar shumë.

Por unë nuk di si t’i hesht.

Sepse unë nuk dua të jem një dashuri që ekziston vetëm kur jemi bashkë. Dua të jem ajo që të mungon kur mbyllet dera. Ajo që të vjen në mendje në mes të ditës. Ajo që të bën të duash të afrohesh, jo të largohesh. Dua të ndjej se edhe ti e ke atë uri për mua që kam unë për ty.Sepse unë nuk dua thjesht të të dua.Dua të të kem.Jo si pronë. Jo si dikë që duhet të më përkasë.Por si shtëpinë ku zgjedh të kthehem çdo ditë.Dhe nëse ti ke frikë nga e ardhmja, unë mund të të mbaj dorën në errësirë. Nuk kam nevojë të dimë çdo hap. Nuk kam nevojë të kemi çdo përgjigje.Kam nevojë vetëm të di që po ecim në të njëjtin drejtim.

Sepse unë mund të pres.