82 vjet genocid-Estela Balo

🥹Ndoshta ajo do të kishte dashur të shkruante një letër, por koha nuk i mjaftoi.

Ndoshta donte t’i jepte dhimbjes zë, por e mbytnin lotët.

Unë, në mënyrën time të thjeshtë, do t’i jap zë çdo kujtimi të saj!

E dashura shtëpia ime,

Nuk e di nëse je ende në këmbë.

Nuk e di nëse ende mban mend zërin tim, apo nëse era të pëshpërit për mua. Nuk e di nëse muret e tua e ruajnë ende jehonën e hapave të mi të vegjël, apo nëse koha i ka shuar të gjitha gjurmët, sikur të mos kisha ekzistuar kurrë aty.

Nuk e di nëse porta jote kërcet ende netëve të verës. Nuk e di nëse ulliri pranë avllisë vazhdon të hedhë hijen e tij mbi gurët ku dikur vraponin këmbët tona të zbathura. Nuk e di nëse mban ende aromën e bukës së pjekur apo të duhanit të babait.

Koha ka mundur gjithçka, përveç teje… Është një çudi që vetëm malli di ta shpjegojë. Vitet më plakin trupin, por ma bëjnë kujtesën fëmijë.

Sa herë mbyll sytë, nuk shoh gruan që jam sot, shoh vajzën që isha atë ditë Bajrami që nuk mbaroi kurrë…

Dielli binte mbi avlli me një ngadalësi hyjnore… Babai kishte dalë në pazar. Nana po shtronte sufrane e ne mes qendronte bakllavaja e sapodalë nga furra… Aroma e saj mbushte çdo cep të shtëpisë dhe përzihej me zërat tanë fëmijërorë që vinin nga oborri.

Unë dhe Shaqireja luanim e qeshnim me Zulën.Gjithçka dukej e përjetshme…

Prisja ëmbëlsinë e Bajramit me padurimin e pafajshëm të një fëmije që ende nuk e di se tragjeditë nuk paralajmërohen, por hyjnë papritur edhe ne mesditën e një feste…

Babai hyri në oborr me hapa të shpejtë. Dukej tjeter… si njeriu që sjell fundin me vete.Fytyra i ishte zbehur. Ishte frikë e bërë trup.

Thirri nanën:— Mblidhni plaçkat! Duhet të ikim!

Abaz, shko merr vesh tek Xhelal Myftari! (i shoqi i motres sone Zenejbise)

Më kujtohet se ngrita kokën dhe e pyeta me gjithë naivitetin e një vajze katërmbëdhjetëvjeçare:— Po bakllavaja?

Askush nuk m’u përgjigj.

Kjo pyetje, ishte kufiri i fundit midis fëmijës dhe jetimit që po lindte pa e kuptuar. U nisëm bashkë me xhaxhain dhe familjen e tij. Me ne ishte edhe Ibrahimi me motrën e tij, Merjemen, jetimët përballë nesh… por nuk e dija se fati im do të lidhej aq fort me emrin e tij.

Rrugët ishin të mbushura… Nëna me foshnje. Burra që nuk kishin më emër, vetëm drejtim. Pleq që mbanin muret, jo për të mos rënë ata, por për të mos rënë kujtimet. Trupa të vdekurish… kafshë të ngordhura… shtëpi të shkatërruara e të mbuluara nga gjaku.

Në atë rrugë që dukej sikur nuk i përkiste më askujt, ne e mësuam të vërtetën që fëmijë:

Njeriu mund të ecë pa shtëpi, pa bukë, pa emër — por jo pa humbje.

Kudo shihje sy të trembur, plot lot.

Herë pas here, pllakoste një heshtje, më e rëndë se britmat mes turmës.

Ne ecnim… Vetëm ecnim.

Uria ishte metodë zhdukjeje… Nuk kishim asgjë…

Pak nga pak shitëm gjithçka… florinjtë ikën të parat, pastaj paratë… pak nga pak po na shteronin lotët, edhe kujtimet…

Atëherë kuptova se uria nuk të merr vetëm forcën, të merr edhe dinjitetin!

Të mëson të lutesh për një copë kore… Të mëson të numërosh ditët jo me lindjen e diellit, por me herët kur arrin të hash.

Ditën tjetër, në të gdhirë, Zenejbisë i vdiq djali i madh. E mbajti në krahë gjatë, sikur po priste të zgjohej.

Ne i kapërdim lotët dhe vazhdonim të ecnim… orë më vonë humbi edhe tjetrin. Nuk bërtiti, nuk qau… por duart i mbetën bosh!

Nuk do ta harroj kurrë atë vështrim; shpirti i saj kishte vdekur…

Baba ecte përpara nesh si një hije që përpiqej të mos dorëzohej para vetvetes. Çdo hap i tij dukej si debat i heshtur me një botë që nuk e dëgjonte më. Po tretej përditë… bëhej më i heshtur, më i largët, më i pafuqishëm.

Sytë i kishte diku larg, te shtëpia që kishim lënë pas; ndoshta një pjesë e tij kishte mbetur atje…

Ditët kalonin…

Ne ecnim… vazhdonim, ecnim…

Kur arritëm në Qafë Botë, ai u ul pranë një ulliri.

Menduam se po pushonte, por vdekja kishte ardhur të pushonte pranë tij.

Nana i foli, ia preku dorën, por ai nuk u përgjigj.

Pastaj pashë krahët e tij që ranë ngadalë si degë të këputura.

Baba vdiq!

Nana ulëriti, jo për vdekjen, por për fëmijët që ende nuk e dinin çfarë do të thoshte të mbetesh vetëm në një botë që nuk të njeh më.

Ndërsa ne, fëmijët, rrinim të hutuar… Nuk dinim çfarë ishte vdekja.

Qanim për bukë, nga lodhja… qanim sepse të gjithë qanin.

Vdekjen e mësuam më vonë…

Kur mbërritëm në Kllogjer, menduam se vuajtjet kishin mbaruar, por jo…

Nana u helmua; nuk kishim askënd që ta shpëtonte… Nuk kishte më as shpresë.

Kur e kuptoi se po largohej nga kjo botë, më afroi pranë vetes mua, Abazin edhe Shaqon.

Na ledhatoi flokët… E ku ta dinim ne se po na prekte për herë të fundit…

Pastaj kapi Ibrahimin nga xhaketa. Ai uli kokën.

Zëri i dilte me vështirësi, por po i dorëzonte shpirtin:— Po iki… por fëmijët amanet…Pastaj më kërkoi me sy.

— Amanet Zuhurenë… mos ma lër vetëm…

Për herë të parë pashë lot në sytë e tij.

— Mbylli sytë, — i tha. — Do ta marr për grua!

Sytë iu mbyllën.Nuk kishim qefin, nuk kishte varr… nuk kishim as kohë për ta qarë.E mbuluam me dhe e i vendosëm një gur sipër.

Një gur të thjeshtë, pa emër, pa datë.

Një gur që nuk tregonte se poshtë tij prehej një nanë që kishte vdekur me emrat e fëmijëve në buzë.

Amaneti ishte zinxhir që lidh të gjallët me të vdekurit!

Unë nuk e kuptova, nuk e dija çfarë ishte martesa, çfarë ishte burri…

Nuk e dija ç’ishte amaneti!

Nuk e dija as që po bëhesha jetime!

Pastaj ikëm; e lamë pas, si lamë shtëpinë, babën, lamë fëmijërinë.

Dhe për herë të parë kuptova edhe kuptimin e fjalës “kurrë më”.Tragjedia nuk të ndalon,vetëm të mëson të ecësh pa veten.

Sot, pas kaq shumë vitesh, nuk më kujtohet shija e bakllavasë që prisja atë Bajram, por më kujtohet era e saj. Ishte era e ditës së fundit kur isha fëmijë, ende katërmbëdhjetë vjeç.

Isha ende e uritur, ende duke kërkuar nanën, ende duke pritur babën të kthehej nga pazari.Dhe sa herë shoh një gur të vetmuar buzë rrugës, ndalem!

E shikoj gjatë, sepse kam frikë!

Kam frikë se mos është ai guri…Guri i nanës sime!

E nëse është ai, dua t’i them se ende e mbaj amanetin e saj në zemër.

Se ende e kërkoj shtëpinë… por ende nuk jam kthyer.

Prandaj po të shkruaja ty, shtëpia ime!

Që, kur zëri im të heshtë, të mos heshtin edhe ata.Që të jetojë kujtimi i babait, i nanës, i atyre që humbën gjithçka, përveç dinjitetit dhe dhimbjes së tyre.

Dhe që të jetojë kujtimi i asaj vajze të vogël që u nis një mëngjes Bajrami për të ngrënë bakllava…

…dhe mbeti gjithë jetën e uritur për shtëpinë