“Mikrofoni i artë”-Nga Josif Gjata

“MIKROFONI I ARTË”
Edicioni i katërt i këngës për fëmijë kushtuar këngëtares së pavdekshme, “Nderi i Kombit”, Artistes së Popullit VACE ZELA!
nga JOSIF GJATA

Në Shtëpinë e Kongresit Historik Kombëtar të Lushnjës, aty ku lindi dielli që i dha Myzeqesë e gjithë Shqipërisë shkëlqim e histori, aty marrin bekimin dhe hedhin hapat e para e ndriçojnë edhe yjet e vegjël të këngës.
Jo vetëm brenda Shtëpisë, por edhe në hapësirën e saj, kanë lindur e janë rritur yje që i kanë dhënë Kombit vlera të mëdha historike e kulturore.
Pra këtu është folur e shkruar shqip, është bërë histori.
Tek kjo Shtëpi, krenari e Myzeqesë, është ngjizur e kanë marrë krahe dhe kanë pushtuar majat më të larta shumë figura të historisë, të kulturës e artit Kombëtar.
Nderohen të pavdekshmit, lartësohen e bekohen yjet e së ardhmes.
Vace Zela, e pavdekshmja, e paarritshmja, ikona e madhe e Muzikës Kombëtare, lindi e u rrit këtu, në zemër të Myzeqesë dhe jeton në zemrat e kujtdo që ka shijuar e dëgjuar këngët e saj, shqiptar apo i huaj.
“Mikrofoni i Artë” kushtuar kësaj Artisteje të madhe të Kombit mblodhi më 18 prill 2026, yjet e vegjël në Edicionin e saj të katërt.
Performanca e tyre preku zemrat e artdashësve të mëdhenj e të vegjël, që nuk rreshtën së duartrokituri.
Zërat e tyre mbajnë gjallë emrin e Artistes së madhe, emocionet e dhjetra e qindra artdashësve që mahniten nga zërat e tyre.
Në ato zëra janë ngjyrat e larmishme të pranverës, blerimi i Myzeqesë, era e freskët e kodrave e maleve, gurgullima e kristaltë e ujërave, kaltersia e pafund e detit e cicërimat e zogjve, gjithë universi.
Nën moderimin e spikeres së njohur Silvana Braçe, e nën gjykimin profesional të Jurisë të kryesuar nga Mjeshtri i Madh i muzikës Zhani Ciko, zërat e vegjël myzeqar jehuan e u duartrokiten ngrohtësisht nga publiku i pranishëm.
Me të talentuarit u dhanë çmime, që shpresojmë të ndriçojnë skenat e muzikës në të ardhmen.
E ardhmja është e tyre, shkëlqimi i tyre nis nga pragu i kësaj Shtëpie, yjesimi e lartësimi i tyre u bëftë krenari kombëtare!