Arben Iliazi



Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në 25 vjetorin e themelimit, nderoi me çmimin letrar “Bilal Xhaferi”, poetin dhe shkrimtarin e mirënjohur Visar Zhiti.
“Si një shtrëngim dore nga vetë shkrimtari Bilal Xhaferi e ndjeva çmimin me emrin e tij”, u shpreh Visari, në një reagim poetik dhe tejet emocionues, menjëherë pas çmimit. Dhe me të vërtetë, ky vlerësim i lartë artistik mbart një simbolikë të veçantë, të mahnitshme, dhe përbën një ngjarje të madhe kulturore.
Ky çmim ka një histori, një kujtesë, një përkim, që i kalon caqet e biografisë së dy poetëve tanë të shquar.
Visari nuk bie kollaj pre e një nostalgjie pa kuptim, e një kulti rrafshues, që nuk rivendikon krejt prestigjin e krijimit.
Bilal Xhaferi është një shpirt i amshuar, një nga referencat tona letrare kulturore, që është shndërruar në mit, duke u bërë, në fillim të viteve ’70-të, një metaforë e madhe për epokën e lodhjes shpirtërore, për kohën kur njeriu ndihej i pashpjeguar në një botë të pashpjegueshme. Emri i tij do të shndërrohet gjithmonë në një grishje të përlotur, që do të pagëzohet me emrin liri dhe do të shërbejë si një flamur humanist, por edhe si një fiksion patriotik, që iu kundërvu me zell vazhdimësisë së rreme të kohës njerëzore.
Visar Zhiti nuk ka nevojë për medalje dhe certifikata, për tituj e dekorata, për të fituar një vend nderi në letërsinë shqipe, pasi e ka fituar atë prej kohësh, kur pranoi misionin e tij dhe u thirr si kumtar, për të qenë më afër hyjnores, duke ruajtur shenjtërinë e poezisë dhe pastërtinë shpirtërore.
Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyrojnë më mirë historinë e kombit të tij, ka thënë albanologu i shquar Robert Elsie.
Zhiti e mbrojti misionin poetik të pacënuar, e mbajti të fshehtë, me dlirësi, mes vuajtjeve dhe brengave. Arti i tij, në diktaturë dhe në izolim, nuk ishte gjë tjetër veçse thurja e dukshme e shpirtit të tij të padukshëm.
“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”, “Në kohën e britmës”, “Funerali i pafundmë”, “Koha e krisur”, “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, “Kujtesa e ajrit”, dhe shumë vepra të tjera, e bëjnë gjithpërfshirjen e Visar Zhitit në letërsinë bashkëkohore përherë e më të kuptueshme.
Çmimi “Bilal Xhaferi” vetëm plotëson kuadrin shpirtëror, nuk shton asgjë thelbësore në kuadrin e jetës së tij, që nuk ra kurrë në padinjitet. Zhiti ka pohuar gjithmonë se ndjehet i lidhur shpirtërisht me krijimtarinë e Bilal Xhaferit, qysh në atë kohë me trazim shpirtëror të frikshëm. Të dy kaluan në natën e misionit të tyre të shpejtë, si meteorë, me dritë të shkurtër rrëzëllitëse në atë kohë, por që vazhdon ende të vibrojë e të nxjerrë tinguj. Të dy ishin me pasion mbinjeriu, por i detyruan të heshtnin. Si njerëz me botë të madhe shpirtërore, si krijues jo të zakonshëm, shkuan në mënyrë të pashmangshme në luftë me demonët, për të shembur kufijtë e vënë nga jeta, për të tejkaluar kohën dhe vetveten, duke ndërfutur forma estetike rebele, për të arritur cakun fundor, të bindur se elementi demoniak mund të dilte fitimtar, jashtë hijes së ndjesisë, duke krijuar një art të vecantë, i cili rritej si flakë shpërthyese, si gulç spazmatik i shpirtit, me kundështi e shpërthime të fuqishme.
Burgu për Visarin ishte dhe më i rëndë, i padurueshëm.
Siç thotë edhe vetë: “shkruaja për të lënë një dëshmi”.
Visari e shpiku vetë lirinë e tij, duke marrë frymë te poezia. E mbyti brenda vetes impulsin faustian, duke grumbulluar energji krijuese, në kushte izolimi dhe në mungesë lirie, duke mbajtur shënim kronikën e tmerreve të kohës dhe duke treguar të patreguarën, duke shkruar fshehurazi, në kampet e rënda të Spaçit e të Qafë Barit dëshminë e tragjedisë së jetuar në heshtje.
Ndërsa Bilali e pati fatin pak më ndryshe, pasi i poshtëruan shpirtin: guxoi të arratisej në botën e lirë, në pikëtakim me gjithësinë, drejt rrezikut të pikëpyetjeve ekzistenciale.
Në botën ëndërr dhe në ëndërrën botë, qysh në krye të herës, e gjeti ritmin e poezisë së tij, i mbështjellë me re të zeza fati, por demonët përsëri e gjetën dhe ia morën jetën. Shpirti i tij tani merr frymë me këngë. Ndërsa Visari kapërcen mbi dhimbjen e tij, të ngjitet më lart. Duke e bërë këngën me flatra…