Migel Flor

Ese Çfarë ngjashmërie ka një urë me një grua?
Pyetje që në pamje të parë duket metaforë por në thelb është një nga pyetjet më të vjetra të qytetërimit… Kush mban peshën e kalimit tonë nga një breg në tjetrin? Ura ndërtohet për të bashkuar dy anë që ndryshe do të mbeteshin të ndara…
Çfarë nuk kalon mbi të. Barrë, ngutje, mallra, ushtarë, të dashuruar, ikje, kthime, funeralë e lindje.Në fakt një urë është vepra më e dobishme e një arkitekti.. Gruaja, shpesh në historinë e njerëzimit është parë jo si qenie që meriton qendër por si qenie që mban qendrën. Ajo ka qenë ura midis brezave, midis plagës dhe shërimit, midis urisë dhe bollëkut, midis fëmijërisë dhe njeriut të rritur.
Ka qenë ajo që lidh shtëpinë me shpirtin e saj. Ka qenë shpesh ajo që mban peshën e të tjerëve duke harruar veten e saj.. Prandaj urat janë ndër veprat më të rëndësishme për t’u ndërtuar. Sepse aty ku ka urë, ka mundësi. Ku s’ka urë, ka pritje, ndarje, izolim. Një qytet pa ura rri i copëzuar. Një botë pa gra të nderuara rri e egërsuar… Pse gratë janë shpirtrat më të fortë për t’u ringjallur? Sepse forca e tyre nuk ka qenë gjithmonë e dukshme..Ka qenë elasticitet. Ka qenë aftësi për të mbijetuar aty ku të tjerët do të shuheshin. Kanë rënë e janë ngritur pa kronika. Kanë qarë e kanë gatuar. Kanë humbur e kanë lindur përsëri shpresë.
Kanë mbajtur mbi supe shekuj paragjykimi dhe sërish kanë ditur të duan. Detet i mbajnë këmbët e urave dhe nuk i tretin. Ky është një mësim i madh. Edhe forca e pakufishme e ujit e njeh kufirin e respektit. Deti godet shkëmbinj, ha brigje, përpin anije, por këmbët e urës i mban, sepse ura i jep jetë kalimit mbi të. Edhe natyra e kupton se disa gjëra nuk duhen shkatërruar sepse shërbejnë. Pse disa burra nuk i ngjajnë detit? Sepse deti edhe kur është i tërbuar, mbetet madhështor. Ndërsa burri i paformuar ngatërron forcën me sundimin. Ai mendon se gruaja është depozitë ku mund të hedhë zemërimin, dështimet, mungesën e vetëdijes. E trajton si vend ku grumbullohen mbetje emocionale. Kjo nuk është burrëri. Është varfëri shpirtërore.
Burri i pjekur nuk hedh gruan në ujë që të provojë nëse noton. Ai ndërton bregun ku ajo të ecë e lirë. Shumë herë gruaja pluskon si një shishe plastike mbushur me ajër, pa jetë … vetëm që të mos mbytet. Kjo figurë është e dhimbshme sepse tregon mbijetesën minimale: të mos jetosh, vetëm të mos fundosesh. Sa gra në botë kanë jetuar kështu duke pluskuar pa notuar.. Por filozofia më e rreptë është kjo… “Urat nuk bëhen gra. Por gratë shpesh bëhen ura.”
Ato të çojnë drejt zhvillimit sepse ku respektohet gruaja, rritet shoqëria. Ku dëgjohet zëri i saj, bëhet më i mençur vendimi. Ku ajo është e lirë, lulëzon ekonomia, arsimi, familja dhe arti. Ku shtypet, aty gjithçka mbetet gjysmake. Një grua është diamant titaniku, them unë… Një figurë e bukur. Jo vetëm për rrallësinë por për forcën e fshehur në shpirt.. Diamanti nuk bëhet nga butësia por nga presioni. Shumë gra janë bërë dritë për të tjerët pikërisht sepse kanë kaluar përmes vuajtjesh të rënda. Por lumturia e saj nuk mbahet në xhep si send. Ajo nuk është pronë. Lumturia e saj mbahet në sjellje, në respekt, në besim, në barazi.
Nëse e trajton si thesar për ta poseduar, e humb. Nëse e trajton si qenie njerëzore në bashkëudhëtim e fiton. “Vërsuluni si ekspedantë burra dhe vlerësoni jo vetëm nisjen nga ura por edhe bregun tjetër.” Kjo do të thotë.. mos u mahnitni vetëm nga bukuria e hyrjes. Shiko destinacionin. Mos admiro vetëm fytyrën..kupto shpirtin. Mos kërko vetëm emocionin e parë… ndërto përgjegjësinë e mëvonshme. Sepse ura nuk ka vlerë vetëm se duket bukur mbi lumë, por sepse të çon diku…
Qytetërimet mbahen nga dy gjëra: urat që ndërtojnë duart dhe urat që ndërtojnë zemrat. Të parat lidhin brigje.. Të dytat lidhin njerëz.