Emigracioni si përvojë ekzistenciale dhe antropologjike në poetikën e Fatmir R.Gjatës-Teuta Sadiku

Teuta Sadiku

 

 

 “Valixhja e mallit” .

“E mbusha valixhen e madhe,
me mallin e mbetur në zemër”

Malli nuk është më ndjenjë,malli bëhet substancë që vendoset në objekt.

Nga ana tjetër kemi një thyerje të natyrës së objektit.Valixhja nuk mban rroba mban përvojë.Këtu fillon tragjedia e e emigrantit.Subjekti poetik nuk merr me vete sende
merr atë që nuk mund të transportohet.

 Objektet në poetikën e Gjatës nuk janë neutrale  ato mbajnë kujtesë dhe identitet.

“Veç malli më mbet në valixhe,
peshon e në shpinë se mbaj dot”

Këtu ndodh diçka shumë e rëndësishme, objekti  bëhet barrë fizike  dhe emocioni bëhet peshë reale.  Ky është materializim i kujtesës

“Po ëndrrat të lehta bën krahë”
“Dhe shpresa u tret…

Këtu kemi strukturë filozofike të qartë:

1. Ëndrra është  projektim i së ardhmes.Ëndrra fluturon (nuk kapet)

2. Shpresa është ndërmjetëse.Ajo shkatërrohet

3. Malli është mbetje ontologjike.Malli mbetet gjithë kohës.

Kjo është pikërisht ajo që filozofia ekzistenciale përshkruan:njeriu projekton, dështon dhe mbetet me peshën e përvojës

“shpresa u tret… e ngrënë nga një molë”

.Mola është kohë, kalbje, harresë kurse shpresa nuk vdes heroikisht,ajo  kalbet ngadalë .Kjo është shumë më e rëndë sesa një humbje dramatike.

“ndoshta me mua do zbresë,
në dheun e ngrirë në varr”

Këtu arrin kulmi ,malli nuk është më përvojë.Malli bëhet pjesë e qenies deri në vdekje.

 Këtu mendimi filozofik shfaqet  në formën e identitetit i cili nuk zgjidhet, nuk “shërohet” .Identitet vetëm bartet deri në fund të jetës.

”Ndërgjegjja e fajit dhe pamundësia e realizimit të ëndrrës.

Poezia hapet me një figurë të pazakontë:

“Në sy më fle ëndërr e mirë”

Këtu ëndrra nuk paraqitet si aspiratë aktive, por si një entitet i pezulluar, duke krijuar një gjendje pasiviteti ekzistencial. Kjo thellohet në vargun:

“Mbase më thotë pse më ke vrarë”

ku ëndrra shndërrohet në subjekt akuzues, duke e kthyer marrëdhënien e individit me aspiratat e tij në një raport etik.

Një nga figurat më të rëndësishme është ajo e dritares:

“më mbetet në dritare”
“Dhe gjithë dritaret mbyll me vrik

Dritarja funksionon si kufi simbolik midis brendësisë dhe botës, ndërsa mbyllja e saj përfaqëson refuzimin e përballjes me mundësinë.

Kulmi filozofik arrihet në vargun:

“Një ëndërr lind e rron e vdekur”

i cili përmbledh në mënyrë paradoksale natyrën e përvojës ekzistenciale: lindja e një potenciali që nuk arrin kurrë të realizohet.

Valixhja e mallit,antropologjia e objektit dhe pesha e kujtesës.

Në këtë poezi, objekti konkret , valixhja , shndërrohet në simbol qendror:

E mbusha valixhen e madhe,
me mallin e mbetur në zemër”

Valixhja nuk është thjesht një send udhëtimi, por një depozitë emocionale dhe kulturore.

Poeti krijon një hierarki të qartë ku ëndrra është e lehtë,shpresa është e brishtë dhe malli është i rëndë dhe i qëndrueshëm.Kjo shprehet qartë në vargjet:

Po ëndrrat të lehta bën krahë”
“Dhe shpresa u tret…”
“Veç malli më mbet në valixhe”

Një nga figurat më të goditura është:

“shpresa u tret… e ngrënë nga një molë”

ku koha dhe harresa materializohen përmes një procesi organik të shkatërrimit.

Në fund, malli merr dimension ontologjik:

“ndoshta me mua do zbresë
në dheun e ngrirë në varr”

duke e bërë atë pjesë të pandashme të qenies.

Poezia e  Fatmir R.Gjatës ndërton një tension të vazhdueshëm midis formës tradicionale (rimë, strukturë metrike)  dhe përmbajtjes moderne (krizë ekzistenciale, migracion, fragmentim i identitetit)

Në planin antropologjik, objekti dhe hapësira shndërrohen në bartës të kujtesës dhe identitetit, ndërsa në planin filozofik, poezia artikulon një vetëdije të ndarë midis dëshirës dhe realitetit.

Krijimtaria poetike e Fatmir Gjatës përfaqëson një ndërthurje të veçantë midis traditës dhe modernitetit. Përmes një gjuhe të qartë dhe figuracioni të drejtpërdrejtë, poeti arrin të artikulojë përvojën e individit në kushtet e migracionit dhe të krizës ekzistenciale.

Megjithatë, përdorimi i vazhdueshëm i strukturave rimore mund të kufizojë herë pas here thellimin e mendimit filozofik, duke e mbajtur atë në nivel intuitiv më shumë sesa konceptual.

Pavarësisht kësaj, poezia e Fatmir R .Gjatës mbetet një dëshmi e rëndësishme e përvojës bashkëkohore shqiptare, veçanërisht në kontekstin e diasporës.