Aty shpirtin e mëkoj-Kastriot Malo

Kastriot Malo

Aty shpirtin e mëkoj.

Kam mbjellë shpirtin aty në luginë,
Rrëzë një shpelle, me hi të mbuluar,
Në folenë e ngrohtë të një mëllenje,
Dhe në valën e kroit me ujë të kulluar.

Kam mbjellë shpirtin aty me farën,
Në brazdat e vjetra të tokës së uritur,
Mbi trungun e një rrapi të vjeter shekullor
Si një simbiozë për atë që udheve ka ikur.

E kam mbushur shpirtin me brengë,
Në gjurmët mbi borë të një sorkadhe,
Në mortajat e mbetura nga lufta në Golik,
Në shamitë e zeza të nenave hallemadhe.

E mbusha shpirtin plot dhembshuri,
Tek një sofër e pashtruar nga varfëria,
Në lotin e një nëne që bijën e vetme humbi,
Dhe në dhomën e ftohte ku pikonte çatia.

E kalita shpirtin si një gur i ashpër mulliri,
Në vërshimin e marrë te lumit te Zagories,
Mallkova barin e keq që lopën e vetme helmoi,
Dhe gjahtarin që thellëzat ndiqte kories.

Shpirtin kurrë se zbras, s’ja fal urrejtjes
E shëtis luleve të blirit mbi bredha në Çukë,
Pi kupa pjalmi në qilimin e “Lules së verdhë”,
Dhe ujin që mbi një fletë panje rrjedh si çurkë.

I zgjas duart blerimit të fushës së Çajupit,
Me mijëra qiej të ngjyrosur në ëndrra takoj,
Më njeh thuaj se çdo gur i sertë i asaj toke,
Se shpirtin me farën e asaj lugine e mëkoj.

©️✍️k.malo.