Përktheu: Ervina Toptani

“PSE JETA DHEMB KAQ SHUMË?”
Një burrë e pyeti Buddhën: “Mjeshtër, pse jeta dhemb kaq shumë?“ Buddha iu përgjigj me qetësi: “Sepse ti po kapesh pas gjërave që janë të destinuara të kalojnë.”
Burri u vrenjt disi. “Pas cilave gjërash po kapem, mjeshtër?”
Buddha hodhi sytë drejt lumit aty pranë.
“Shikoje atë lumë” i tha. “Uji i djeshëm ka kaluar. Uji i këtij çasti tashmë po lëviz, nuk është kurrë i qëndrueshëm. Nëse përpiqesh ta ndalësh, të rrëshqet nga duart, ikën. Por ti që vuan dëshiron që lumi të qëndrojë.”
Burri heshti. Buda vazhdoi…
“Je kapur pas njerëzve duke pritur që ata të mbeten të njëjtët, por njerëzit ndryshojnë, si stinët. Ti kapesh pas momenteve duke dashur që gëzimi të zgjasë përgjithmonë. Por edhe perëndimi më i bukur shuhet kur vjen nata. Njeriu kapet pas pritshmërive sesi duhet të jetë jeta, në vend që të shohë si është ajo në të vërtetë.”
Burri uli kokën.
“Po pse dhemb kaq shumë, mjeshtër?” pyeti përsëri.
Buda mori një guralec të vogël dhe e mbajti lehtë në dorë.
“Nëse e mbaj butë,” tha “nuk kam dhimbje”. Pastaj e shtrëngoi grushtin fort.
“Por nëse e shtrëngoj fort fillon të dhembë.”
E pa burrin drejt e në sy e shtoi:
“Dhimbja nuk vjen nga guri. Ajo vjen nga forca me të cilën ti e shtrëngon.”
Sytë e burrit u zbutën.
“Çfarë duhet të bëj, atëherë?” pëshpëriti ai.
Buda buzëqeshi.
“Mëso të mbash gjithçka me dorën e hapur. Duaji njerëzit por mos u përpiq t’i zotërosh. Shijo momentet por mos kërko që të zgjasin përgjithmonë. Ki shpresa por mos i kthe në zinxhirë. Lejo që gjërat të vijnë. Lejo që ato të ikin përsëri. Dhe qëndro i pranishëm tek çasti që po jeton.”
Burri qëndroi për një kohë të gjatë duke parë lumin që rridhte. Për herë të parë nuk u përpoq të mendonte si ta ndalte rrjedhën e tij.
Dhe në atë çast e pushtoi paqja, pse ajo fillon
në momentin kur ndalon së shtrënguari
atë që tashmë ka ikur.