Në sytë e nxënësve shoh Shqipërinë-Ferit Toma

 
 
“Mësuesi është dritë që ndez dritëra “
Ferit Toma
 
Në mëngjesin plot dritë, kur hap derën e klasës,
më presin sy që shkëlqejnë si yje në agim.
Në çdo vështrim të pastër, në çdo buzëqeshje fëmije,
unë shoh Atdheun tim që rilind çdo ditë në dritë.
Në sytë e tyre ka male, ka lumenj e fusha,
ka gjakun e të parëve që rrjedh me krenari.
Në ato sy, që digjen nga kureshtja e njohjes,
unë shoh Shqipërinë që rritet me dashuri.


Kur flasin, zërat e tyre më tingëllojnë si këngë,
si cicërima shprese në pranverën e dijes.
Çdo fjalë që mësojnë është gur në themelet e vendit,
çdo buzëqeshje e tyre – një diell mbi kombin tim.


Në sytë e nxënësve shoh flamurin që valëvitet,
shoh gjakun që ka derdhur historia ime.
Shoh ardhmërinë e ndritur të kësaj toke të bekuar,
që lulëzon në bankat e klasës, në shpirtin e fëmijëve.


Prandaj çdo ditë hyj në klasë me përulje e mall,
si të hyja në tempullin e shenjtë të diturisë.
Sepse në sytë e nxënësve të mi,
unë shoh Shqipërinë – të bukur, të gjallë, të përjetshme.
Marrë nga libri me proza dhe poezi

" ATDHEU SI NËNA"
Ferit Toma