CIKLI: " M I Q T Ë " Tre lexime interesante të këtij CIKLI nga Vargu Poetik (Natasha Limaj-Fejzaj) Malsori Magjik (Ido Sinani) Vladimir Diko Natasha Limaj-Fejzaj: "CIKLI "Miqtë" përfshin të gjitha ngjyrat miqësore!... Në këto vargje vërtetohet se Ju, Poet keni zhbiruar dhe përjetuar të gjitha llojet e miqësive!... Këto të cilat i përcillni mjeshtërisht me vërtetësi brilante në varg!.. ...vargjet tuaja kanë një sinergji të hollë midis poetikes dhe filozofikes, ku mesazhi vjen sa i thellë në mendim aq dhe bukurtingëllonjës poetikisht, gjë që tërheq lexuesin me kënaqësi!... Gjithashtu stili i të shkruarit tuaj tregon për autencitet të pakjopushëm!.. Të uroj jetëmirësi dhe penë të pashterë në lëminë poetike!.." Ido Sinani: "Poezia është filozofi më vete! Bëhet libër me fragmente këshilluese si në aspektin social, etik dhe estetik! Takon shumë rrallë kësisoj Poezi me nivel të lartë akademik,avangardesk dhe platonik! Poezia dëshmon dhe vërteton se Poeti është i pakrahasueshëm sepse është Oqean derisa të tjerët janë veç pika uji! Kush ju ka Mik lum ata Kush ju ka humb mjerë ata Kush dëshiron t'ju bëjë Mik t'ju mbajë me kujdes. Suksese pa fund Poet i Nivelit Akademik të Mirëfilltë!" Vladimir Diko : "Bukur POET! Eklektizëm i pastër: etikja - filozofikja dhe teologjikja integrohen (shkrihen) shkallë shkallë në Empir... Poeti ka marrë mustaqet e moralistit, mjekrën e filozofit dhe xhybenraso të teologut dhe nga katedra e Baba Abazit shndërrohet në Spinozë, në Sokrat apo në një Luterkamenei... Mosha ia lejon,përvoja i tepëron, ndërsa Pela Pegasio mbi re e çon... Rumiu do të kërcente tango, poqese Lejlaja do të linte jatakun e Osmanit dhe do ta shoqëronte atë në sallën e Teatrit Operistik që mban vulën e Volterit... Analizën e mjeteve artistike, mesa pashë e kanë bërë dishepujt e tu... Nga Nadiri (i kundërti i zenitit) dega e lisit (gjaku) Vladimiri..." _______________________ CIKLI: " M I Q T Ë " * * * Miqtë, nga gjaku e fisi, Degë lisi! Miqtë rrugës?... Vaktet e bukës! * * * Aty më rri! Mos ik! Vërtet: Më mirë një mik se një çiflik. Do djersë çifliku, dimër verë, Të nëm, po e le djerë! Me mikun?... Pun' e lehtë. - Lerma mua! - thotë zemra - E gjej vetë! * * * Fizikisht, S'ka më afër se komshiu, Me të cilin të ndan Një gardh a një mur. Shpirtërisht, S'ka më pranë se i largëti, Kur nga zemra, dit' e natë, s'e heq kurrë! * * * Në shoqëri, miqësi, dashuri, Çdo llogari: Më jep, të jap! Bie erë tregëti. * * * Mirënjohje! Respekt! Sinqeritet! Miqësia do! Dredhitë! Lajkat! Shtirjet! Ja zbo! * * * O mik!... Mos më kurse! Kërko çfarëdo!... Po,po!... Të jap gjithçka! Veç NDERIN... JO! * * * I pasur je?... Ke "m i q" me okë! Nga vakti re?... Gjen MIQ për kokë! * * * Dëgjo,miku im, Nga unë, një parim: Deshe shumë një njeri, Mos i ngjall bezdi! Pe tek ai ftohtësi, Shmangu! Larg i rri! Ndoshta, nuk arrini... në neveri! * * * Këtë gjellë, more zotëri, S'e shoh dot me sy; Kam alergji! Me ç'mend, kur më fton, Për pjatë të parë ma shtron?... ...Ka dhe më keq: Kur, për dreq, Një biçim mik, Në shtëpinë e tij, Të rri me turi, Sikur t'ju thotë: - Hë...?Ç'pret?...Ik! * * * - Më thuaj: Kur jemi më shumë në rrezik? - Kuptohet: Kur, më i afërmi mik, Një ditë, pa pritur, Na bëhet armik. * * * Ta zgjata dorën për shpëtim, S'të lashë të bije në humnerë; Kur nga ty prisnja përqafim, Në hon më shtyve, besëprerë! * * * Të gjithë e dimë: Miqtë e vjetër, Edhe kur na dalin nga zemra,... I kemi mbi shpinë! 9 maj 2026