Përmeti e Dibra ngjajnë shumë-Nexhbedin Basha

 
 
-Poemë-
 
Përmeti e Dibra ngjajnë shumë,

si dy pasqyra të një mali të vjetër që s’plaket kurrë.

Në gurët e tyre flet e njëjta histori e lashtë,

dhe era e maleve i përkëdhel me të njëjtën frymë.
Përmeti dhe Dibra,
si dy rrënjë të së njëjtës tokë të lashtë,
ndajnë urtësinë e njëjtë që vjen nga koha dhe toka.



Janë frymë për poetët dhe kujtesë për udhëtarët,
dhe në heshtjen e tyre të mençur flasin më shumë se fjalët.



O Përmet, i bukuri Përmet,
ku fjala shërohet si melhem në plagë,
drita bie butë mbi gurë e mbi kujtesë,
dhe gjuha shqipe rri pezull në ajër
si një thesar që nuk pranohet të harrohet.



Dhe ti, Dibër, me Korabin mbi krye si kurorë bore,
me Drinin që të përkund brigjet si këngë e lashtë në histori.
Në këtë qetësi të maleve,
ti nuk je thjesht kujtesë,
por një frymë që jeton mes gurit dhe ujit,
e që nuk ka nevojë të thuhet me zë.



Në të dy qytetet
njerëzit flasin pak, por mendojnë thellë,
dhe heshtja e tyre është më e mençur se shumë fjalë të mëdha.



Vjosa në Përmet freskon si frymë e lirë pranvere,
Drini në Dibër e shkruan tokën me durim të lashtë.
Të dyja, gur mbi gur, kujtim mbi kujtim,
janë si një libër që nuk mbyllet kurrë.



Në këto troje flenë histori që nuk zbehen:
N’Përmet Frashërllinjtë që ndezën mendimin si dritë në errësirë,
N’Dibër Skënderbeu që la gjurmë mbi kohë si mal mbi mal,
dhe jehona e qëndresës që ende endet në erë,
rri e ndezur në shpirt.



Llixhat e Bënjës në Përmet
ngrenë avullin si lutje mbi gurë e ujë,
dhe lodhja tretet ngadalë si borë në diell.



Llixhat e Dibrës
të falin qetësi si duar nënash mbi ballin e lodhur,
si një prehje që nuk kërkon asgjë veç frymës,
dhe qetësisë…



Dhe Lura…
Lura mban në gjoks pasqyrat e liqeneve të saj,
ku çdo udhëtar harron kohën
dhe hyn pa e kuptuar
në një ëndërr të hapur mali e qielli.



Udhëtarë që kanë vizituar këto vise,
kanë folur për bukuritë natyrore dhe mikpritjen e tyre,
ku mali dhe uji bashkohen në një peizazh të gjallë,
dhe çdo hap i turistit bëhet kujtim i pashlyer.



Në sofrat e amvisave ruhet shija e vendit,
me kulinarinë që vjen nga duar të thjeshta e të bekuara,
ku Përmeti njihet për likot e ëmbla…që mbajnë aromën e trëndafilit,
e Dibra për pulën me jufka…që ngroh sofrën si vetë mali në dimër.



Edith Durham, udhëtare e viseve shqiptare,
ka ecur në këto male me sy të mbushur dritë,
dhe ka shkruar për bukurinë e tyre të egër e të butë njëkohësisht,
për mikpritjen që të pret si zjarr i ngrohtë në dimër.



Sazet e Përmetit
dhe çiftelia e Dibrës
janë si motër e vëlla në sofrën e gurës popullore shqiptare.
Njëra rrjedh e ëmbël si Vjosa në mbrëmje,
tjetra zbret nga malet me jehonën e gurit dhe erës.



Të dyja flasin me gjuhën e zemrës,
pa nevojë për zbukurim fjalësh.
Kur tingëllojnë bashkë,
shpirti mallëngjehet si para një kujtimi të vjetër,
dhe në çdo melodi
ndihet forca, dhimbja dhe rrënja e një populli.



Dibra, qyteti i blirit me aromë mali e kujtimesh,
Përmeti, qyteti i trëndafilave që çelin në këngë;
njëri të pret me hijen e pyjeve e freskinë e krojeve,
tjetri me melodinë e sazeve dhe dritën e gurëve mbi Vjosë.
Dhe kështu,

si dy pika uji në një dorë të madhe mali,
Përmeti dhe Dibra rrjedhin njësoj në kujtesën e këtij vendi
të ndryshme në emër,
por të njëjta në shpirt.
Nexhbedin Basha