Një demaskim tjetër…Gezim Baruti

Gezim Baruti

Një demaskim tjetër, nxjerrë nga libri që po përgatis për botim.

…………………………………..Një herë tjetër, nja dy vite më vonë, na grumbullojnë në lëmë për të njëjtat avaze. Kësaj rradhe kish ardhur edhe një i deleguar nga komiteti i partisë, gjoja për të dëgjuar edhe ndonjë ankesë nga puntorët e natyrisht edhe për të na bërë agjitacion mbi përparësitë e pushtetit të hurit dhe të litarit siç quhej nga populli ai pushtet në atë kohë. Më kujtohet që përgjegjësi Z. Guçe po fliste në lidhje me fqinjët në kufijtë tanë e papritmas i drejtohet Fjorentina Herrit: – Sikur të vinte yt vëlla në kufi do ta takoje ti Fjorentina? Ajo po e shikonte në sy e nuk e merrte guximin të përgjigjej. Ai e pyeti edhe njëherë dhe pasi nuk mori përgjigje iu kthye Ahmet Kolgjinit që e kish tre-katër metra larg: – Si thua ti Ahmet, do ta takonte Fjorja të vëllanë sikur të vinte në kufi? As miza nuk pipëtinte atij çasti! Ahmeti kishte nja dy a tri vite që kish dalë nga burgu. Isha afër tij e po mendoja se çfar përgjigje do të jepte ai njeri i mirë e i ditur.

– Hë Ahmet, si thua ti, do ta takonte të vëllanë kjo? – përsëdyti përgjegjësi duke e parë ngultas në sy. Atëhere Demosteni ynë iu përgjegj prerë e gjithë siguri: – Nuk e di! Nuk shkoj me supozime!..

I xhindosur, përgjegjësi ia ktheu: -“Po yt atë, me supozime shkonte në lidhje me ato që bënte në Gjirokastër kur ishte prefekt?” Dhe ç`kish bërë Tahir Kolgjini në atë qytet?! I kishte shërbyer shtetit shqiptar me devotshmëri e si një patriot i vërtetë e përveç kësaj, pas orarit zyrtar është marrë me studime linguistike e në veçanti me studimin e gjuhës shqipe.

Ahmeti kish vendosur të mos fliste dhe ashtu bëri sepse drejtimin e bisedës e kishte marrë, si pa u ndierë, i deleguari i komitetit.

Pasi na foli për gjendjen ndërkombëtare e për sukseset e “ndritura” të socializmit si dhe për “kujdesin e madh” të partisë për klasën puntore ai i ftoi të pranishmit për ndonjë pyetje apo diskutim. Askush nuk fliste në të tilla raste sepse fjala e folur mund të interpretohej si agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Befas dikush kërkoi të flasë pas asaj heshtjeje të gjatë. Ishte leskoviqari Polikron Kuqeshi. Ishin pesë vëllezër dhe nëna e motra e tyre e dytë Evgjenia, të gjithë të internuar prej vitit 1961, viti që pushteti komunist iu pushkatoi babanë. Pas një hyrjeje të njohur në bisedë, gjithmonë në lidhje me mbarëvajtjen e punës, Polikroni iu ankua për mungesën e çizmeve: po punojmë me këmbët në baltë e nuk çan kokë njeri të na japin një palë çizme; po u shtrova unë në spital shtetit do t`i kushtojë më rëndë se sa vlera e një palë çizmeve. Shteti ynë për puntorët i prodhon kurse këta i mbajnë nëpër depo e presin të vijë behari për të na i dhënë në kohën e vaditjes. Ne na duhen tani se në behar punohet edhe zbathur. Ai desh të vazhdonte por i deleguari iu drejtua me një farë toni jo fort të qetë: – Paskërke shumë fjalë ti shoku puntor! – Por kam edhe shumë punë ama! – ja ktheu flakë për flakë Polikroni. I deleguari diç bisedoi me përgjegjësin e u kthye nga ne duke na porositur të punojmë sa më shumë e duke na premtuar se nuk do të na mungojnë mjetet dhe veglat e punës. Pas kësaj dite filluan të ndajnë çizme për të gjithë; kishim fituar…………