Dhurata Ndoni-Cela

Dhurata Ndoni-Cela
-Pse po qan me zë të shpirtit,
nënë,moj e bekuar?
-Qaj për djemtë ,për bijat qaj,
malli më mban zgjuar!
-Ikën ,ikën,morën dhenë,
përqafuan arratinë
penën ngjyejnë në bojë malli,
zemra lotët bën shëllirë.
Ikën bijtë e morën dhenë,
ca me qiell e ca me tokë,
krip’ e lotit fushën dogji,
zemra malit iu bë gropë.
Mbeti nëna , si Ajkunë,
numëron yjet çdo natë,
-Veç një herë t’iu shoh në portë!
lotët bëhen lumë i gjatë.
U thinj nata përmbi sofër,
tym pa zjarr u bë shtëpia,
lot’ i dhimbjes ,pragun regji,
qan dhe burri si fëmija.
Djem e vajza si azganë,
mbartur hallet,trastë në shkop,
e shtrinë trupin kokë e këmbë,
urë gjigande në Evropë.
Në krah’ mbartin mall e brengë,
fluturimin larg e hapin,
përqafojnë botën mbarë,
nuk harrojnë që janë shqiptarë.