Prangosja fonetike në lirikën e Asja Mulgecit -Nga Teuta Sadiku

 

Në poezinë  e Asja Mulgecit,bashkohen natyrshëm qasjet më të fundit të kritikës moderne  si poetika e hapësirës(Bachelard),topografia dhe  stilistika emocionale   sepse poezia e Mulgecit  ka identitet të fortë gjuhësor, emocional dhe kulturor.

Në një këndvështrim  krahasimi me poezinë e Gjergj Fishtës ( Lahuta e Malsisë), Migjenit (Vargjet e lira ) apo poezinë e Camajt duhet të shohim mënyrën se si poeti e ndërton marrëdhënien me vendin, vendlindjen.

Fishta e monumentalizon vendin ,në këtë mënyrë ai krijon epikën kombëtare.

Migjeni jep dramën e vendin ,në këtë mënyrë qyteti  mbart dhimbjen sociale dhe ekzistenciale.

Camajt e mitizon vendin ,në këtë mënyrë tek ai malësia bëhet kujtesë metafizike dhe gjuhë e humbur.

Ndërsa poezia e Ajsa Mulgecit e intimizon vendin. Tropoja tek ajo nuk është as monument, as tragjedi, as metafizikë abstrakte. Është strehë emocionale. Dhe ky është dallimi i madh estetik i poezisë së saj ku vendlindja e saj, Tropoja jepet mes vargjeve lirike një vend që mbron, përkund,rikthen  subjektin lirik  dhe bëhet topografia e shpirtit .

Vetë fjalët kyçe në poezi

prehni/ninulla/t’ambla/lulash/ bijë

krijojnë kodin  maternal të hapësirës.

Duke ju referuar Gaston Bachelard dhe librit të  tij “Poetika e Hapësirës” në poezinë e Mulgecit hapësira bëhet topografia e shpirtit.

Në poezinë ” Vend ma i  bukur Tropoja jeme “

bjeshkët janë  mbrojtje shpirtërore ku prehni  i nënës bëhet rikthim në identitet, bora bëhet pastërti morale dhe shpati i malit bëhet qëndrueshmëri.

Në poetikën e  Mulgecit, vendi i lindjes ,Tropoja,  nuk është më hapësirë gjeografike,  është  “matrica  gjuhësore ” dhe emocionale e subjektit lirik.

Në poezinë  Mulgecit, vendlindja nuk përfaqësohet si hapësirë heroike apo historike, por si një organizëm emocional ku subjekti lirik rikthehet për të rigjetur vetveten.Poezia e Mulgecit nuk është epikë moderne por një lirikë moderne me elemente baritore.Madhështia e peisazhit nuk prodhon heroizëm narrativ ,mali,shpati,pllaja nuk nuk monumentalizohen si skena epike,por humanizohen si prehër,si strehë shpirtërore.

Poezia e sjellë nga studiuesja Krosi në analizën”Epika moderne përmes gegnishtes në poezinë e Asja Mulgecit”në redaksinë Radi & Radi nuk ndërtohet  mbi narrativitetin ,konfliktin,apo monumentalitetin  objektiv,tipare këto thelbësore  të epikës,por mbi përjetimin emocional të peizazhit dhe vetëshprehjes intime të unit lirik.Studiuesja Krosi ka të drejtë kur përmend  elemente të poetikës baritore,natyra e idealizuar,lulnaja,zogjtë, bjeshkët por këto nuk e bëjnë epike poezinë e Mulgecit.

Peisazhi në poezinë e Mulgecit nuk është skenë epike,është më shumë ndjenjë .Prania e motiveve heroike ,figurave historike, apo e kujtesës historike nuk e shndërron automatikisht poezinë   në epike.Ato janë elemente epike tematike,por jo strukturë epike.Ka gjasa që studiuesja Krosi e ka përdorur termin në një kuptim më të gjerë duke parë tonalitetin e trashëgimisë kolektive apo  gegnishten si mbartëse e kujtesës epike.

Vendlindja , Tropoja në poetikën e Mulgecit  është një hapësirë e përjetuar, hapësirë që prodhon  gjendje shpirtërore.Shtëpia, oxhaku, pragu, dera, dhoma janë topografia e shpirtit.

Në poetikën e Mulgecit relievi i vendlindjes  nuk është thjesht sfond , është strukturë ritmike që organizon lidhjen , marrëdhënien e territorit me     lëvizjen  emocionale  të vargut .Poezia e saj ndërton qartë dy boshte, boshtin vertikal ,ai i ngritjes   ( mali/ shpati / qielli / shqiponja )

“M’ngjit krahë qiejsh

Si shqiponja “

Dhe boshtin horizontal të kujtesës, i kthimit

( pragu/ votra/ prehrin i nënës/ shtëpia) .Horizonti këtu krijon  ciklin e rikthimit,lëvizjen e përhershme të mallit.

“Ngado shkoj e ngado vij “

Poezia  e Mulgecit  lëviz  midis  horizontalitetit  të rikthimit dhe vertikalitetit  të sublimit,duke e kthyer relievin në arkitekturë emocionale të vargut.

Ekokritika  e cila studion  marrëdhënien  midis letërsisë dhe mjedisit  (Lawrence Buell “ The Environmental Imagination”) na ndihmon të arrijmë në formulimin  ekokritik se mali/bora/lulet/ Shqiponja /janë zëra aktivë  të tekstualitetit në poezinë e Mulgecit.

“M’pret gazmendun

me dashuni”

Çdo objekt në poezinë e saj nuk është thjesht objekt i soditjes poetike,është përjetim i thellë emocional.

mali flet/ bora ruan kujtesën/Shqiponja ngre vetëdijen dhe pejsazhi  është ai që  ndërton  subjektin lirik.

“..si vel  t’bardh boren mbi kry

M’fekton shpirtit si hyjni”

Në poezinë e Mulgecit natyra  personifikohet dhe vepron si subjekt dialogjik që ndërvepron me unin lirik.

Natyra nuk shihet më si dekor poetik, por si pjesëmarrëse në tekst. Në poezinë e Asja Mulgecit malet, bora, zogjtë, lulet, shqiponja janë zëra aktivë.
Tek kjo poete, natyra jo vetëm vëzhgohet,  soditet nga vetë ajo ,por dhe si subjekt lirik ajo bashkëjeton me natyrën  .

Kritika e zërit poetik femëror

Ndryshe nga poetët burra të gegnishtes që shpesh e shohin vendin përmes heroizmit apo mitit, Mulgeci e sheh përmes përkundjes/mallëngjimit, mbështjelljes emocionale. Pra vendlindja feminizohet poetikisht.Poezia e Mulgecit e zhvendos poetikën e gegnishtes nga monumentaliteti epik drejt  intimitetit emocional. Tek Fishta  atdheu jepet si epikë kolektive dhe mali është heroik. Tek Migjeni  vendi jepet si dramë sociale ku  mali është tension social,pra kemi një shpërthim dramatik. Tek Camajt  vendi jepet si mit i humbur,metafizik.

Tek poetika e  Mulgecit  vendi jepet si trup emocional dhe kujtesë intime dhe mali del si amësia  e peisazhit, si intimitet, pra e humanizuar.

Le të largohemi pak nga “çfarë thotë poezia” dhe të përqëndrohemi  tek mënyra si krijohet ndjenja poetike,topografia akustike dhe stilistika emocionale.

Topografia akustike

Ajo që ndjen menjëherë tek  poezia e Mulgecit është ngrohtësia,butësia, intimiteti ,çka nuk vjen vetëm nga tema që trajton.Të gjitha  ndjesitë vinë nga tingulli,nga mënyra si përplasen, rrëshqasin dhe përkëdhelen fjalët në varg. Pikërisht këtu hyn “ngrohtësia fonetike”.

Ngrohtësia fonetike  tregon se si tingulli i fjalëve krijon emocion.Në poezinë e Mulgecit disa tinguj krijojnë ashpërsi, disa krijojnë butësi, disa japin ritëm të shpejtë, disa japin qetësi, disa krijojnë mall, disa krijojnë këngëzim.

Në gegnishten e kësaj poeteje, tingujt shpesh janë të butë, të rrumbullakët, melodikë:

“m’kndon”/“ninulla”/“t’ambla”/“m’mbështjell”/“lulash”/“bijë”

 Bashkëtingëlloret e  buta bazale  dhe ato likuide
m, l, n, j, ll, nj  nuk godasin veshin; ato rrëshqasin butë. Dhe kjo krijon emocionalitetin e poezisë.Ato krijojnë butësi, përkundje, lëkundje melodike.

Ndërsa kur  ka shumë bashkëtingëllore
k, t, p, g të forta,
ritmi  bëhet më i ashpër, më dramatik.

Le të analizojmë
jo vetëm kuptimin e fjalës,
por dhe “temperaturën tingullore” të fjalës.

“Prehnit m’kndon ninulla t’ambla”

Ky varg është pothuaj muzikor sepse përsëritet “n”, përsëritet “l”, kemi zanore të hapura

/a, /o,/ u/

ndaj duket sikur vargu lëkundet si ninullë. Pra tingulli imiton kuptimin dhe forma fonetike pasqyron emocionin.

Në vargun :

“M’ngjit krahë qiejsh, si shqiponja”

këtu ritmi ndryshon,
tingujt bëhen më vertikalë.Kemi

ngritje/, hapje/, qiell/, shqiponjë.

Ka më shumë ajër në varg,
 ka më shumë hapësirë.
ka më shumë lartësi.

Pra relievi i vendit ndikon në ritmin e poezisë.Ky është një shembull  i së ashtuquajturës  prangosje fonetike,ku struktura bashkëtingëllore e dendësuar  e vargut  materializon  akustikisht ashpërsinë e relievit.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me gjeopoetikën.Nëso do përdornim termat poezi Alpine/, poezi Urbane /,do vëmë re se në Poezinë Alpine ritmi shpesh bëhet më i ngritur, më i thyer, më vertikal,më i frymëmarrshëm.

Ndërsa në poezinë Urbane ritmi bëhet më nervoz,më i ngjeshur(Migjeni)

Në poezinë e Mulgecit lexuesi  ndjen relievin në frymëmarrjen e vargut.

“Rrugve t’jetes pehamash t’forta”

Vetë fjala /pehamash/
ka një rëndesë tingullore.Lexuesit i
duket sikur ecën në terren të vështirë.

Pra tingulli krijon peisazh dhe nuk është vetëm kuptimi i fjalës që përshkruan , por
edhe tingujt tingëllojnë, ushtojnë  si mali.Bashkëtingëlloret e forta

k/,g/,p/rr/shp/shk/krr

  krijojnë ngjitje,përplasje, terren të ashpër si tek fjalët

shpat/krrokamë/bjeshkë/përhama

kanë rezistencë akustike.

Zanoret e hapura a/e/o

krijojnë frymëmarrje, butësi, zgjerim, ngrohtësi.

Fjalët nana/prehri/ votra

e zbusin ritmin.

Muzikaliteti I gegnishtes  tek Mulgeci është mbartës i ngarkesës emocionale

Në poezinë e Mulgecit, ritmi nuk është vetëm strukturë metrike; ai bëhet lëvizje emocionale e kujtesës.

Poetët shpesh përdorin lartësinë, qiellin,shqiponjën,shpatin,borën,malin. sepse relievi hyn në nënvetëdijen poetike.

Tek Martin Camaj mali shpesh bëhet heshtje metafizike.Tek Gjergj Fishta mali bëhet heroizëm.Tek kjo poete mali bëhet përqafim emocional.Ky është dallimi.Pra
i njëjti reliev,por emocione të ndryshme poetike. Dhe këtu hyn edhe muzikaliteti, sepse gegnishtja ka shumë /zanore të gjata/tinguj nazalë/ rrjedhshmëri orale/intonacion këngëzues.

Prandaj shumë poezi në gegnishte duken sikur këndohen, jo vetëm lexohen. Dhe kjo është arsyeja pse poezia e Mulgecit duket intime. Sepse tingulli krijon afërsi emocionale. Kjo  mund ta quhet“lirizëm fonetik”,ose
“muzikalitet emocional i gegnishtes”.

Poezia e Mulgecit  nuk është metrikisht e rregullt sipas skemës klasike sillabike, por ka një izometri relative.

Vend ma i bukuri, njaj vendi jem

(afërsisht 10–11 rrokje)

rrethuem bjeshkësh, bash si n’prralla

(10 rrokje)

Si vel t’bardh boren mbi kry

(8 rrokje)

M’fekton shpirtit si hyjni

(8 rrokje)

Pra kemi alternim:

8-rrokësh ,10-rrokësh ,11-rrokësh Poezia nuk ndjek skemë strikte popullore,por është një varg i lirë me kujtesë metrike tradicionale.

Vargu i Asja Mulgecit lëviz në një hapësirë ndërmjet izometrisë tradicionale dhe lirisë moderne ritmike.

Poezia mbështetet fort në ritmikën e këngës popullore verior si dhe ndërthuret me modernitetin. Nuk kemi poezi folklorike të pastër , kemi internalizim lirik modern.

“Kurrë prej zemres nuk t’kam hjek”

Ky është un-i personal modern.

Në poezinë popullore tradicionale dominon kolektivja kurse te poezia e Mulgecit  kemi subjektivizim intim çka e vendos poezinë mes traditës orale dhe lirikës moderne.

Asja Mullgjeci përdor një gegërishte të estetizuar, ku lokalja ngrihet në funksion poetik.

Nga pikëpamja fonemike e metrike, poezia  ndërton një varg të lirë me kujtesë të fortë të traditës veriore. Alternimi i konsonantizmit të ashpër me rezonancën nazale e likuide krijon një muzikë poetike ku relievi dhe emocioni bëhen një. Kjo poezi mbështetet në strukturat e oralitetit verior, por i transformon ato përmes një lirizmi modern intim, duke krijuar një shqipe veriore letrare me identitet të dallueshëm estetik.

VEND MA I BUKURI TROPOJA JEME

 

Vend ma i bukuri, njaj vendi jem

rrethuem bjeshkësh, bash si n’prralla

Si vel t’bardh boren mbi kry

M’fekton shpirtit si hyjni

 

Mallesh n’trok sa herë turrem

M”pret gazmendun me dashuni

Ngado shkoj e ngado vij,saher kthehem

si zogjt n’shtegtim

Prehnit m’kndon ninulla t’ambla

M ‘mbështjell lulash se m’ka bijë

 

Kurrë prej zemres nuk t’kam hjek

N’shpirt për ty m’rrin malli i ndezun

Rrugve t’jetes pehamash t’forta,

M’ngjit krahë qiejsh, si shiponja

 

Vend ma i bukuri Tropoja jeme

Aq krenare rrëzë njatij shpati

Ku shtrin dorën tan madhështi,

Heroi ynë bacë Bajrami

 

Trimëni dhe bujari, brezash t ‘tanë trashëguam

Besa e dhanë peshon sa toka

T’falem n’gjunj vendlindja jeme

M’rrin n’drit synit, n‘çdo rrahje zemre!