Misteri i një të panjohuri…Hyqmet B Hasko

Hyqmet B Hasko

TREGIM.

Kishte ditë që plaku vinte në të njejtën orë, me përpikmërinë e një ore zviceriane dhe qëndronte me orë të tëra rrethuar me vetminë e tij.

Ai erdhi përsëri dhe ajo vrapoi instinktivisht drejt tij, sikur e shtynte një fuqi e fshehtë…E shoqëroi drejt tavolinës së tij, ku tanimë nuk ulej kush tjetër.

Kur pati ardhur herën e parë, ishte i veshur thjeshtë dhe nuk iu përgjigjej kritereve të frekuentimit të atij lokali luksoz, ku vinin njerëz të kamur dhe zakonisht gjithcka kryhej me prenotime. Pati hyrë brenda si i ndrojtur dhe sytë e tij, që në krye të herës qenë drejtuar drejt Bujanës, sikur ta njihte prej kohësh.

Menaxheri pati nxituar ta nxirrte jashtë, por ajo pati vrapuar drejt tij, jo si drejt një të të panjohuri, por si drejt dikujt me të cilin e lidhnin fije të forta…As vetë nuk e pati kuptuar pse, por mendoi se ishte tepër e ndjeshme dhe reflektive në sjelljen me njerëzit, çfarë e bënte krejt të veçantë dhe të adhuruar nga klientët.

-Ky është mysafiri im, -i tha menaxherit, -gjithcka e ka të paguar nga unë. Menaxheri mbeti pezull, por çfarë mund t’i thoshte asaj?! Ajo mbante peshën kryesore të lokalit dhe ishte Princesha e shqiptarëve, që hynin e dilnin papushim, me xhepat plot.

Bujana, as vetë nuk e kuptoi se cfarë e tërhiqte si manjet tek ai burrë i thinjur e në moshë të thyer, që kishte dy sy përshkënditës…

-Merrem unë me zotërinë, -këmbënguli rishtas Bujana…

Stafi i lokalit nuk ia prishnin dot Bujanës, për shkak se shumica e klientëve të pasur ishin shqiptarë dhe vinin prej saj. Lokalit i kishin vënë toponimin “Lokali i Shqiptares”…

Epati shoqëruar të panjohurin në dushet e restorantit ku ai qe larë e veshur me rroba të reja, kostum burri, që ajo e mbante çuditërisht në raftin e saj, sikur të priste ardhjen e tij… Kjo ishte hera e parë e më tej, sa herë që vinte, zotëria vinte i larë dhe i veshur me rroba të shternjta, parfumosur e rruar taze…

Tani zotëria qëndronte para saj, me një cehre të freskët.

-Hë si e kaluat sot?-iu drejtua Bujana ëmbël e butë plakut.

-Si jo më mirë moj bijë! Tani që të pashë ty, u bëra edhe më mirë…

Plaku dukej i emocionuar dhe sytë e tij të butë shprehnin një ngrohtësi të pazakontë…

Plaku nxorri tinës saj një foto të vjetër, gjysmë të cngjyrosur nga gjurmët e kohës dhe një vijë e hollë lotësh rreshqiti nga sytë e tij dhe u ndal në mjekrën gjysêm të thinjur…

Bujana ia preku me hamendje merakun, por nuk mund të hynte në botën e tij të trazuar.

Plaku vazhdonte të kruante zërin, si para një prove për të inçizuar diçka me vlerë dhe që do t’iu rezistonte stinëve e kohëve…

Vazhda e kujtimeve vërshoi në cdo skutë të kujtesës së tij.

-Bijë,iu drejtua plaku Bujanës, Dua të të tregoi një histori…

-Megjithë qejf do ta dëgjoja,iu përgjigj Bujana, por po me presin klientët…ti e di apo jo!?

-E di,e di, por i kam marrë leje menaxherit e sot do të rrishë me mua.

Ajo pa profilin e menaxherit, sytë e tij si të shqyer nga habia, por që shprehnin miratimin e kërkesës që sapo i pati bërë plaku.

Plaku nisi tregimin shtruar…

…Kur Isha i ri dhe sapo isha martuar, pa dashuri, me këmbënguljen e prindërve, një ditë takova një vajzë, që më rrëmbeu me shikimin e parë dhe më bëri të përjetoja dashurinë që nuk e kisha njohur kurre deri atëhere.

Kaluan ditë e javë me njeri tjetrin dhe pas tre muajsh nga lidhja jonë e fshehtë, një pasdite më tha se pati mbetur shtatzënë. U trondita, se isha i martuar dhe lidhja jonë nuk qe e njohur për askënd, përvecse ne të dyve…

Nuk e desha veten, edhe shtatëzania e saj më duhej, në ato rrethana të vështira që po kaloja. Shqetësimi dhe mosaprovimi im e preku shumë të dashurën time të ëmbël, që i vuri një gur zemrës dhe iku përgjithmonë në Gjermani.

Pas dy vitesh, bashkëshortja ime humbet jetén në një aksident dhe unë shkova në Gjermani për të krijuar lidhjet e këputura me dashurinë e jetës time…Nuk dija asgjë për miken time, për fatin e shtazanisë së saj…

U vura në kërkim të saj, por nuk e gjeta askund.

Fillova të punoja në cdo punë që më dilte përpara, merrja lokale me qera dhe i menaxhoja, ndërkohë ditë pas dite kërkoja gjurmët e të dashurës sime, por nuk i hasja askund, sikur e pati perpire dheu…

Kaluan dhjetë vjet dhe punët po më shkonin shumë mirë, biznesi po më shkonte mbarë, gjersa një ditë, një shqiptar nga Tetova më tha se e njihte gruan që unë kërkoja dhe Ajo jetonte në Hamburg.

Shkova në Hamburg dhe rashë në gjurmët e saj, por ishte vonë.

Një muaj më parë ajo kishte ndërruar jetë, si pasojë e një sëmundje të keqe, të pashërueshme. Vajza jonë, fryt i asaj dashurie të ëmbël e të paharruar të asaj natë të largët, vetëm dhjetë vjec, ishte marré nën përkujfesjen sociale të shtetit gjerman.

Gjatë gjithë kohës punoja me ngulm, i kënaqur me bizneset, por i trishtuar për humbjen e dashurisë sime, për fatin e keq të së dashurës, por akoma më shumë trishtohesha që vajza ime ishte ende e huaj për mua dhe madje nuk dinte asgjë, që unë, babai i saj biologjik, ekzistoja…Të gjeja vajzën dhe të krijoja kontakt me të, u bë qëllimi i jetës sime.

-Nuk më pritet që të di sa më parë, iu drejtua Bujana, e gjete vajzën?!

-E gjeta, moj bijë e gjeta, por duro të lutem…

Plaku u mbush me frymë thellë, ndezi një cigare, edhe pse në lokal nuk lejohej të pihej duhan. Ai pa sytë qortues të Bujanës dhe iu drejtua duke buzëqeshur ëmbël:

-Mos e vra mendjen bijë. Ky është lokali ynë dhe nuk i japim llogari askujt kur e ndezim ndonjëherë në të rrallë. Se, sic thoshte një Miku im, më mirë me të dalë tym nga hundët se nga kryet…

Ai ua bëri me shenjë personave të personelit që rrinin në këmbë dhe ata të gjithë u afruan pranë tij dhe Bujanës si me komandë :

-Urdhëroni, zoti shef, -folën të gjithë një herazi…

-Zoti shef?!-klithi Bujana.-Ju po talleni më duket, jeni të gjithë horra!

-Nuk po tallet askush. Zoti shef, po, po, zoti shef jam unë!-foli plaku duke tundur kokën mendueshëm.

Heshti pak dhe ndezi një cigare tjetër.

-Unë jam pronari i këtij lokali dhe i shumë lokalave të tjerë.

Heshti rishtas dhe fjalët po i ngecnin në fyt nga pesha e emocionit të castit…

Vajza përballë tij notonte në një valëzim trilleri…

-Edhe ti ..ti Bujana…ti je bija ime! –foli plaku teksa zëri i dridhej.

-Faleminderit, je shumë i mirë që me vlerëson…-ia bëri Bujana e prekur nga fjalët e tij…

Kishte rënë një heshtje apostolike…

-Unë nuk jam i mirë… Unë jam Babai yt biologjik…Ajo gruaja për të cilën të tregova pak më parë, e cila ishte dashuria ime e parë e vërtetë…ishte nëna jote…dhe ti je bija jonë…Të Kam kërkuar ka vite…dhe tani nuk kam frikë edhe nëse vdes. Ky lokal dhe gjithcka që kam…eshte e jotja, bijë!

Nxorri foton që deri atëhere e mbante fshehurazi Bujanës dhe ia vuri në dorë. Ajo pa sytë e të ëmës kur ishte e re dhe sytë e atij burri dikur të ri e tanimë të palkur, që po e vështronin me mirëdashje, e sikur thoshin: “E dija që do të të gjeja një ditë”…

Bujana pati shtangur. Menaxheri dhe kamarieret e banakierët, që me sa duket kishin disa ditë që zotëronin “sekretin” e plakut…vështronin të mallëngjyer at e bijë, që të pérqafuar kishin nisur një rrugëtim të ri në jetë…

Bujana notonte në ujëra të panjohur dhe nuk kishte kohë as të mblidhte veten dhe as të reflektonte ndaj asaj që porsa pati ndodhur dhe që ishte ngjarja më e rëndësishme në jetën e saj.

Sytë e saj notonin në një fluger ngjyrash si të ylberit dhe nuk dinte çfarë të bënte me duart e saj, t’ia hidhte si hark në qafë babait, që sapo e pati njohur, apo të fshinte rrëketë e lotëve që po i zbrisnin drejt mjekrës me rrëmbim…