Melisa Baboci

O moj kohë me sy prej xhami,
që buzëqesh e zemrën s’e di,
na shite shpirtin për ca famë,
e na le bosh në vetmi.
Dikur këndohej për atdhenë,
për bukë, për nder e për besë,
sot matet njeriu me “like”,
e zemra tretet pa shpresë.
Në rrugë ecin njerëz pa sy,
me kokën ulur në ekran,
harrojnë nënën, harrojnë fëmijën,
veç botën false mbajnë pranë.
Fjala u bë si monedhë e lirë,
dashuria treg nëpër natë,
shoku të shet për një përfitim,
e buzëqesh si mik i ngratë.
Ku janë burrat me mend e fjalë?
Ku janë gratë me shpirt të dlirë?
Sot vlerë ka veç mashtrimi,
e e vërteta rri e ngrirë.
O moj botë që po venitesh,
ngadalë po vdes pa e kuptuar,
nga jashtë dritë e bukuri,
përbrenda shpirt i copëtuar.
E unë rri e shoh i heshtur,
mes zhurmës që s’ka më kuptim,
si një syrgjyn në kohë moderne,
që kërkon dritë në errësim.
Melisa_Poetry