Llesh Gjomarkaj

Të tjerë duam,
e të tjerë na duan.
Me të tjerë
i sosim netët e ditët.
Njerëzit jetojnë,
qeshin e vuajnë,
por rrallë i dëgjojnë
hallet e shpirtit.
Rrallë flasim
për virtyte e dashuri,
për gjërat më të bukura
që stolisin jetën.
Shpirti vuan
e dergjet në zbrazëti;
trishtim e ngushëllim
kemi veç kuletën.
Shpirti e barku
jetojnë në të njëjtën rrugë;
secili ka dëshirat
e menynë e tij.
Në qoftë se njërit
i japim ujë e bukë,
t’i japim dhe tjetrit
pak dritë e dashuri.
Trupi do bëhet
një ditë pluhur e gurë,
por shpirti jeton përgjithmonë,
nuk vdes kurrë…!