Nga Emi Krosi

NURIE LOSHAJ KASTRATI
Tema: Rrëfimi letraro-historik, autobiografik dhe sentimental, në romanin e Nurie Loshaj Kastrati.
Duke u munduar të “mbledhim” kohën e hallakatur përmes leximit, ku faqet e librave shpalosin, njerëz/ vende/ kohë/ histori dhe rrëfime të ndryshme, mundohemi të paqtohemi me veten. Një rrëfim i gjatë i autores Nurie Loshaj Kastrati, në romanin “Feniksi” prej 532 faqesh, totalish me fabul me elemente:
autobiografik,
historik,
sentimentalist, që ngjizet nga kujtesa historike e Kosovës. Një kohë gjatë e
gjithërrokshme, që ngaprotestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, në 26 mars 1981 deri sot. Përmes dy personazheve Viktoria dhe Marsoni, (çift bashkëshortësh), që kryesisht janë kryepersonazhet, që pastaj personazhet e tjerë rrotullohen si satelitë rreth tyre, por që janë anësorë. Fabula fillon me Viktorian, një studente për gjuhë të huaj (anglisht) dhe ditën kur fillon protesta e studentëve ajo ndeshet me forcat e policisë serbe dhe pasi studentët goditen dhe gjakosen nga brutaliteti i policisë, aty ndihmon një student me emrin Marson, që ishte gjakosur. Ajo, mbetet e shokuar nga mënyra sesi dhunohen/ rrihen/arrestohen/helmohen me gaz, madje dhe ajo u godit nga gazi lotsjellës. Ata të dy, ndërtojnë ditë pas ditë të ardhmen sëbashku. Pasi fejohe, kur Marsoni diplomohet shkon ushtar dhe më pas martohen. Duke rrëfyer çdo detaj të bashkëjetesës së tyre, në çift dhe vështirësitë e fillimit të jetës bashkëshortore, me mundësi të pakta punësimi, dhe me fëmijë të vegjël, ia dalin të punësohen dhe të ndërtojnë një shtëpi. Por, lufta e Kosovës i detyron të largohen në Maqedoni dhe sërish të kthehen në shtëpinë e tyre, me tre fëmijët: Eva, Dielli dhe Orkidea.
Rrefimi ndërtohet në dy paralele.
Rrëfimi i parë; (rrëfimi autobiografik i autores), dallimi mes shkrimit si një ligjëratë mbi
veten, apo dhe nocioni mimesis, (autonomia e letërsisë në raport me realitetin), në raport me formën dhe substancës, me shprehjen dhe përmbajtjen, referenca autoriale si qëllimësi në vetvete, mes mimesis-i dhe diegesis-i, ( karakterit narrative ku autori flet me zërin e tij), në formën e “vetëreferencialitetit të tekstit letrar”. Teoritë moderne përreth diskursit njerzor: në jetë, rreth nesh, duke e përforcuar konceptin se proza autobiografike, si mimetikë e jetës, ka përballë dy faktorë: a) faktin jetësor, b) fiksionin, sepse “që të shkruash rreth autobiografisë lipset të kesh një rekurs për të njëjtin vokabular fjalësh lavdërimi dhe fajësimi, njëlloj siç është e rëndësishme kur shkrimi autobiografik vepron kur flet për unin, e veçanërisht kur kjo e bën të rrezikshme punën e kritikut kur shkruan rreth autobiografisë – njëlloj sikur shkruan autobiografi”, shkruan teoricieni i autobiografisë është Philippe Lejeune. Kemi dy lloje: a) autori autobiografik subjektiv (autori vihet në qendër të tekstit dhe rrethanat historike i mbulohen me të dhëna personale), b) autori autobiografik objektiv, (autori është person real, shoqëror, brenda dhe jashtë tekstit) nëpërmjet;
autobiografema, (modeli i shkrimit të identitteitit personal dhe historik): dita është e
enjte, data njëzet e gjashtë mars, ndërsa viti njëmijë e nëntëqind e tetdhjetë e një. Kjo ditë dhe date do të vazhdojë të jetë kështu deri në mesnatë (2024:15);
biografema, (biografema me të dhëna pesonale për rrethnat e jetës së saj dhe të
familjes), pasi rrëfimi autobiografik i vishet dy personazheve.
Rrëfimi i dytë (rrëfimi ndërthuret me historinë), përmes elementeve të romanit historik.
Letrariteti i historisë, është tashmë i njohur tek shumë romane me temë të tillë. Ndërtimi i historisë si protestat e studentëve dhe historia e Kosovës vit pas viti, që nga helmimet e nxënësve në shkolla, deri tek heqja e Autonomisë. Mbyllja e Universitetit, RTK-së, shkollave, dalja publike e UÇK-ës, bombardimet e NATOS, duket si një ditar jetësor i çiftit Viktoria- Marson. Ata, rrëfejnë për jetën e tyre personale dhe familjarëve të tyre dhe për afro dy dekada dhunë ndaj popullit të Kosovës.
Romani historik, është një formë e rrëfimit historiko-letrar, duke rikrijuar historinë përmes përfytyrimit, me personazhe historike por edhe të trilluar. Tipologjia e romanit historik na shëmbëllen:
pamjet rotrespektive nga koha e shkuar,
raportet shkrimtar-rrëfyes/shkrimtar-lexues,
llojin e romanit historiko- iluzionist: (autori përpiqet të mbulojë ngjarjet e përshkruara me një mbulesë legjitimiteti dhe vërtetësie). Autorja është munduar të sjellë para lexuesit, historinë si
rikujtesë letrare, përmes:
një trillim i shkrirë dhe integruar me historinë,
përputhja mes imagjinatës dhe kontekstit historik,
raporti mes historisë dhe poetikës letrare,
diskursi historik përmes përshtjellimit të lëndës letrare,
integrimi i fiksionit dhe i të vërtetës,
parimi i trillimit, përmes rreptësisë të së vërtetës historike e të gjasës.
Arsyeja e shkrimit të një romani historik, udhëtimi në kohë (kthim në të shkuarën e largët por edhe të afërt), përmes trillimit dhe fantazisë. Lidhja përmes materies së historisë dhe fantazisë së narrativës, është perceptuar nga autori dhe publiku, si një lidhje mes “të tashmes” dhe historisë. Ashtu si lënda e gjedhës së romanit historik europian, që u ruajt dhe u kultivua në fillimshekullin XX, vazhdon po me këtë poetikë hibride edhe në romanin historik modern, ruan po ato gjurmë dhe elemente të romantizmit, sentimentalizmit dhe të realizmit, nëpërmjet elemteve si:
vetëdijen kritike ndaj të shkuarës historike,
vazhdimësia e ndërgjegjes patriotike,
rindërtimi i vetëdijes historike moderne dhe patriotike,
ndërthurjet lëndore mes historisë dhe fantazisë,
tregues i shndërrimeve stukturore, shoqërore dhe sociale të kohës,
pasqyrimi i përshkrimeve të zakoneve dhe mënyrës së jetesës. Në pasazhin e fundit: “zogu
Feniiiks!Feniksi me krahët ngjyrë Dielli! – tha Viktoria e magjepsur. Ja ku po fluturon dhe shqiponja, thanë ushtarët Çlirimtarët, ‘ Shihni si po fluturojnë krah për krah Shqiponja dhe Feniksi…” (2024 : 532). Përrrokja e marrëdhënieve, sa historiko-politike dhe intime-romantike, me përjetimet e çdo dite të Viktorias kryesisht, sendërtohet dhe tragjedia e një populli në trojet e veta. Përmasa e historisë së Kosovës moderne, përmes syrit të rrëfimtarit të gjithëdijshëm, nu ka thyerje, por rrëfim të njëpasnjëshëm. Gjuha është e kuptueshme dhe është përdorur standardi i gjuhës letrare. Ka dhe fjalë të dialektit të së folmes së krahinave të Kosovës, që thyen dhe klasiken e rrëfimit të gjatë.
Sëfundmi: autorja e ka jetuar vetë gjithë atë gjatësi kohore-historike, por gjatësia e romanit e lodh lexueisn, i cili nuk ka durim të lexojë kaq shumë përshkrime dhe faqe. Ndaj, romani mund të ndahej në dy pjesë ose të ngjeshej më mirë duke hequr situata apo përshkrime, që mund të përmblidheshin me pak faqe. Gjithësesi, romani është klasik dhe lexohet rrjedhshëm, duke shtuar dëshmi të reja të letrarizimit të historisë së re të Kosovës, që mbetet një dokument i kujtesës kolektive. Historia ruhet vetëm përmes kujtesës kolektive, kurse letërsia përmes aktshkimit të saj.