Vasilika Babo

GJITHÇKA KËTU PËRFUNDON!
Lotova në këtë botë si foshnjë e porsalindur,
kur trupin ma ndriçoi rrezatimi i hënës,
ndjeva ngrohtësinë e puthjes së babait,
në ballin e bukur mbi gjirin e nënës.
Yjet buzëqeshnin e vezullonin çdo natë,
ninullat më nanurisnin ëndrrat drejt qiellit,
ditët fluturonin kur globi rrotullohej,
në trajektoren e përhershme nën rrezet e diellit.
Çdo natë shpërthenin yje të kristaltë,
formonin meteorë me shigjeta kurore,
nata më mbulonte me vellon e argjendtë,
kur prekte lehtë fytyrën foshnjore.
Zemrën e pastër mbështetur pafajësisë,
e lashë të lirë në qiellin e lumturisë,
rritur me rreze dashurie e ngrohtësie,
nuk mësoi kurrë hipokrizinë e pabesisë.
Nuk iu përkula pengesave të kohës,
as viteve që iknin qetë pa u numëruar,
piedestal të jetës kisha ndershmërinë,
në qenien time jetën kam dashuruar.
Miqësuar gjithmonë me sinqeritetin,
mirësinë, respektin e mirënjohjen njerëzore,
buzëqeshjen e zgjuarsinë kisha mburojë,
për të mbrojtur veten nga dobësitë femërore.
Jeta më ndezi qiej të përflakur,
fllade të ngrohta lëndinave të rinisë.
Më përkundi lehtë mbi gjethet pranverore,
e më shkroi në pentagram notat e lumturisë.
Nuk vonuan erërat dhe tufanet e forta,
larg fluturova si zogu prej kafazit.
U përkunda dallgëve mbi dete e oqeane,
si anije mes tufanesh shpëtova prej mrekullisë.
Prej shtigjeve e brigjeve të limaneve plot dritë,
dëgjoja jehonën e majave shkëmbore,
vallëzimin e valëve që shushurinin përqark,
kur ëndrrat e bukura më kapnin për dore!
I mblodha në zemër bukuritë e jetës,
si lule të pavyshkura të një kopshti pranveror,
fashova dhimbjet në mes të kraharorit,
në gjoksin tim të butë i bëra theror.
I ruajta të patretura nga lotët që binin,
thellë në qetësi nga më e lehta prekje,
koha ecën shpejt e diku përfundon,
lind me të qarë e mbaron në heshtje.