Migel Flor

ESE
**ASGJË…
(Asgjë. Asgjë nuk më bëre. As unë as ti.)
Fjalë që nuk janë pjellë e ulërimës, por rëndojnë më shumë se ajo..
Janë ato pak fjalë që mbajnë brenda histori, emocione dhe copëza shpirti; marrëdhënie që ndizen në zjarr e lotët i bëjnë hi… e pastaj mbetet vetëm: asgjë. Monolog e dialog në dyluftim:
“as unë e as ti”.
Në dukje, kjo fjali mohon dhimbjen. Tingëllon si qetësi pas stuhisë. Por shpesh “asgjëja” është forma më e rafinuar e plagës; një lëndim që nuk ulërin, por gërryen në heshtje.
Është në natyrën e njeriut që, kur zemërohet, të kërkojë menjëherë fajtorin. Në etjen për shpjegim, ringjall mendësi e ndjesi të vjetra. Por kur thuhet me qetësi:
“s’bëmë asgjë”,
atëherë retë nga të murme bëhen të zeza dhe stuhia nis pa zhurmë. Instinktivisht kërkon të fshehësh kokën diku, sikur prej një të vërtete që po afrohet.
Sepse në thelb të kësaj fjale fshihet një e vërtetë e hidhur: rrënimi i marrëdhënieve nuk nis gjithmonë nga tradhtia. Ka lidhje që vdesin nga mungesa e dritës shpirtërore, si gjethja e vjeshtës që humb klorofilin larg diellit.
Atëherë në arenë dalin “gladiatorët” me faj e pa faj, dramaturgët e komedianët shkruajnë për “përmbytje” pa shi, ndërsa në sfond mbeten vetëm hije e silueta që venë e ikin si flakë kashte. Dhe pranë atij zjarri të shkurtër ngrohin duart disa mjeranë.
“As unë e as ti” është ndoshta palca filozofike e gjithë kësaj shprehjeje.
Jeta nuk ndahet gjithmonë në engjëj dhe fajtorë. Dy njerëz mund ta humbin njëri-tjetrin pa luftë, pa tradhti, pa ndonjë katastrofë të dukshme. Thjesht “dremitin” në udhëtim dhe nuk arrijnë të ecin më me ritmin e zemrës. Nuk akordojnë dot notat në violinën e shpirtit dhe zgjedhin heshtjen si melhem të rremë.
Pastaj, me gjuhë memece, mërmërisin:
“asgjë s’bëre”,
duke mbledhur supet si mbrojtje edhe nga erërat që u shpupurisin flokët e “palara”
Por kjo “asgjë” nuk është boshësi. Përkundrazi, ajo është varri i të gjitha fjalëve që nuk u thanë kurrë.
Asnjë telefonatë nuk erdhi. Ndjenjat vegjetojnë si kalliri pa kokrra, që nuk e ul kokën nga pesha, por nga mungesa e saj. Njeriu mbjell grurë dhe korr egjër; mbjell erë dhe korr furtunë. Pastaj nis vajtimi.
Njeriu nuk plagoset vetëm nga ajo që i bëhet, por edhe nga ajo që mungon: nga mungesa e përqafimit, e pranisë, e një fjale të ngrohtë. Nga një pranverë pa lulëri, që e shndërron botën në moçal bretkosash..
Ndaj fjala ka shenjtëri. Ka fisnikëri.
Ajo mund të jetë mjaltë i hidhur, por mbetet shëruese për ata që ende ndiejnë; për ata që nuk janë verbuar nga drita e rreme; për ata që kanë shpirt, por nuk dinë si ta ndezin dritën e tij.
Edhe pse fundi është gjithmonë relativ, shprehja:
“asgjë… s’bëmë as unë e as ti”
nuk është thjesht mohim. Nuk është as pafajësi.
Është gremina e një ndjenje që nuk u vra nga qielli, por nga vetvetja; nga varfëria shpirtërore, nga shterimi i brendshëm i kësaj bote të rreme, që me mokrën e saj bluan ngadalë kockën e zemrës.