Gëzim Llojdia

1.
Eruditi Moikom Zeqo nuk jeton më.Vepra e tij sigurisht është ndër ne.Nuk është thjeshtë vepër zbukuruese nëpër sirtarët e lodhur e të dalë boje të bibliotekave. Ajo është një pasqyrë e thellë e mendimit një rrugë që, edhe pse e kalon kohën, nuk ndalet kurrë. Çdo rresht i tij është një fije e hollë që lidh të kaluarën me të tashmen, dhe çdo fjalë e tij është një shkëndijë që ndriçon errësirën e botës.Për shkrimtarët, arkeologët, studiuesit dhe besimtarët, ai ishte më shumë se një udhërrëfyes ishte një dëshmi e jetës, një dritë që shndërronte çdo hije në dije.
…Edhe pse e quajtën qysh në lindje Molotov një figurë e shquar e luftës së dytë në pushtetin sovjetik. Ai ishte deri në fund një atdhetar gjithë dije, që jetën ja kushtoi studimeve në shumë fusha, ku në të gjitha shkëlqeu.
2.
Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në Durrës. U rrit në një familje nga Libohova, ku kultura ishte pjesë e identitetit. Arsimin e filloi dhe e mbaroi në qytetin e tij. Në vitin 1966, gazeta “Drita” ishte një dritare për letërsinë dhe shkrimtarët e kohës. Faqet e saj, të zverdhura e të thërrmuara, ruanin përpjekjen e kohës. Në ato faqe, poezitë e Moikomit dhe kritikat e tij shquheshin për guximin dhe thellësinë.
…Faqet e asaj gazete i kam mbajtur nëpër duar vitet e fundit. Letra ishte e zverdhur dhe mezi ruhej, duke u shkatërruar copa-copa, e thërrmuar shpejt dhe e mbushur me gërma plumbi. Deri në vitet ’90, gazetat në Shqipëri shtypeshin në poligrafikë, ku gërmat e plumbit radhiteshin me dorë, dhe rotativët e shtypnin gjithçka, herë në një krah dhe herë në tjetrin.
… Në një nga këto gazeta, gjeta disa poezi të Moikomit, që duket se i botonte Ismail Kadare, dhe më pas kritikën e tij të guximshme ndaj shkrimtarëve shqiptarë që kishin bërë emër në atë kohë, pa u trembur fare. Ky ishte një veprim që dëshmonte shpirtin e tij të pavarur dhe të patrembur, që shkruante me sinqeritet, edhe në kohët më të vështira.
Në vitet 1971-1974, ai punoi si gazetar dhe redaktor i “Dritës”. Gjatë kësaj periudhe, ai u dallua për qasjen e tij të hapur ndaj shkrimtarëve të njohur, duke kritikuar pa frikë. Në vitin 1991, si ministër i Kulturës, ai shkroi për një shkrimtar turk, duke treguar hapjen e tij ndaj kulturave të huaja.Teza e tij për doktoraturë, mbi Naim Frashërin dhe Bektashizmin, e lidhte me traditat shpirtërore shqiptare. Kjo ishte një pikë lidhëse me Dritëro Agollin, i cili kishte lidhje të thella me teqenë Bektashiane. Moikom Zeqo la një trashëgimi të pasur, një udhërrëfyes për ata që kërkojnë thellësinë e dijes dhe kulturës.
3.
Moikom Zeqo, në vitet ’90, u afrua ngushtë me Dritëro Agollin. Ai ndiqte çdo fjalim të tij, si një student që kërkon dritën në fjalët e mëdha. Në biseda, ndoshta dikush tha se ndodhi e kundërta. Agolli, poeti dhe shkrimtari, ishte një yll që ndriçonte, ndërsa Zeqo, studiues, arkeolog, shkrimtar dhe poet, ishte një pasion që e rrezatonte çdo fushë që prekte. Në Orik, kur studentët e historisë vizitonin, përmendej se Zeqo kishte kontribuar në arkeologjinë nënujore. Por një profesor e tha me një lloj reflektimi: “Moikomi shkëlqeu më shumë në studime se sa në arkeologji.” CV-ja e tij, plot me shkëlqim, e vërtetonte këtë. Nga 1979 deri në 1987, punoi pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, më pas, 1987-1990, si specialist në artin antik në Akademinë e Shkencave. Së bashku me gazetarin Xhemal Maton, bënë dokumentarë për arkeologjinë nënujore, që do të kujtohen si një pasuri e paharrueshme e kohës.
4.
Mjafton të shfletohet e përjavshmja “Drita”, letraro-artistike, e datës 10 korrik 1966, për të kuptuar qartësisht se si bëhej kritika nga lexuesit në shtypin letrar të asaj periudhe. Në dukje, kritika duket e ndershme, por në thelb, a ishte vërtet e tillë? Kjo është një pyetje që vetëm lexuesi mund ta gjykojë. A ishin fjalët e shkruara të sinqerta dhe të lira, apo ato ishin thjesht një pasqyrim i një kohe të kufizuar dhe të mbikëqyrur, ku mendimi kritik shpesh mund të ishte i ndikuar nga rrethanat politike dhe sociale? Të gjithë këta aspekte kërkojnë një reflektim të thellë për të kuptuar se çfarë qëndronte pas kritikës që shpërndahej në shtypin letrar të atij kohë.
5.
Po në faqen dy të kësaj gazete letrare-artistike shfaqet edhe shkrimi i Moikom Zeqos, nxënës nga Durrësi. Duke folur për edukimin komunist revolucionar të brezit të ri, ai merret me analizën e disa tregimeve të autorëve shqiptarë. Shkrimi i tij tregon një pasion të thellë për letërsinë, duke lidhur temën e edukimit dhe formimin e shoqërisë me përpjekjet e shkrimtarëve për të ndikuar në vetëdijen e brezit të ri tw asaj kohe. Në këtë analizë, Moikomi kërkon të shohë se si letërsia shqiptare pasqyron dhe përçon mesazhe revolucionare, të cilat ndikojnë në formimin e një identiteti kolektiv dhe kombëtar, përmes ndikimeve të ideologjisë.
6.
Në fillim ai analizon tregimin e A.Cergës :”Ne ishim tetë” duke shqyrtuar fjalët se ky ishte një tregim i mirë. Ndërsa tregimi tjetër:Ujqërit’ i Agim Cergës,shkruan M.Z është i zbehtë dhe ka tinguj fallco. Në këtë tregim vihet re një tendencë humanizmi të sëmurë. Autori me anë të këtij tregimi e zbut figurën e oficerit fashistë i cili ka ardhur në vendin tonë. Ky oficer ka lëkundje shpirtërore dhe nuk donë, që të luftoj kundër shqiptarëve. Autori e justifikon këtë duke thënë se është arbëresh. Pra oficeri nuk don të luftoj kundër shqiptarëve se është arbëresh, por sikur ky oficer të ishte në nj shtet tjetër,a do të luftonte?
Dua të theksoj se ky oficer duhej të kish merita në ushtrinë fashiste,përderisa kishte gradën oficer.Nëpërmjet tregimit ky njeri me merita fashiste na del njerëzor dhe i dhembshur .
Më poshtë autori analizon tregimin e autorit T.Laco “Larashi” duke quajtur një tregim të mirë.
Duke analizuar D.Agollin, ai shkruan:”Tregim i dobët dhe pa vlerë është tregimi”Kamerad,kamerad” i D.Agollit.
Se kuptoj ce ka shqetësuar D.Agollin të shkruante këtë tregim. Një doktor italian dezerton nga ushtria e tij dhe vjen tek partizanët .A nuk kishte ndonjë cilësi të shquar. S’ish trim,por nga ana tjetër ish i dhënë mjaft mbas dashurisë,megjithëse në një moment autori e ngre doktorin kur ky ndodhet pranë një gruaje,që po lindte,prapë se prapë figura e doktorit është e zbehtë .Ku qëndron fabula e këtij tregimi?
Duke mbyllur këto shënime dua të theksoj edhe njëherë se ne të rinjtë,duam të lexojmë tregime, që na mësojnë,duam të gjejmë në letërsi heronj,që të mund ti marrim shembull në punën e jetën tonë.
Mbyllet po me këto fjalë letra e nxënësit nga Durrësi.