Botohet libri “Gli ultimi Dadi” i Dhimitër Pojanakut. Shqipëroi: Irma Kurti

Shqipëroi: Irma Kurti

Sapo doli nga shtypi libri i poetit Dhimitër Pojanaku titulluar “Gli ultimi dadi” (Zaret e fundit) përkthyer nga poetja dhe përkthyesja e njohur Irma Kurti. Libri mban logon e Shtëpisë botuese “Ukiyoto Publishing”. Në parathënien e shkruar nga Dr. Ardian Christian Kyçyku lexojmë: “Ajo që tek shumica e poetëve të tjerë është thjesht mungesë sistemi poetik, – me ravgime të dukshme për ta paraqitur si liri tematike e stilistike, – tek Pojanaku është vepër e hapur. Një zë që nuk mbart fort parasysh gjeografinë, shtypjen e ushtruar nga tekat e historisë, dhe që zgjatet deri në kufijtë e mbramë të shqipes, aty ku rrijnë të ngujuara fjalët e ndaluara dhe hapësirat e këtyre fjalëve.

Pojanaku nuk di të qahet, nuk di të ndërkryhet sipas kanuneve letrare tashmë të mykura, nuk synon të shndërrojë këtë botë të ndërtuar keq, apo të rrënuar mirë. Hidhërimi i tij krejt i veçantë, thelbësisht poetik, e fton lexuesin në fortesën e Poezisë dhe, që brenda saj, i hap një sy nga ku bota mund të shihet vetëm nëpërmjet shpirtit të poetit.”

Përmbledhja poetike “Zaret e fundit”  është një himn për dashurinë dhe natyrën, ku elementët natyrorë ndërthuren me ndjenjat njerëzore në mënyrë fluide dhe spontane. Autori, me një stil të thjeshtë dhe të kuptueshëm, arrin të prekë akordet më të thella të shpirtit njerëzor, duke treguar se thellësia e vërtetë nuk kërkon kompleksitet stilistik. Në vargjet e tij, ai u këndon yjeve, trëndafilave të varrezave dhe tulipanëve, duke i personifikuar dhe duke biseduar me ta sikur të ishin qenie njerëzore. Ky personifikim jo vetëm që i sjell në jetë elementët natyrorë, por e fton lexuesin të reflektojë mbi marrëdhënien e tij me natyrën dhe dashurinë që ajo frymëzon.

Vargjet zbulojnë dashurinë romantike, por në to zbulohen gjithashtu edhe tema të rëndësishme jetësore, brishtësitë njerëzore dhe lufta kundër fatit dhe vdekjes. Pojanaku u dedikon vargje rrugëve të heshtura dhe qetësisë në varreza, duke eksploruar dualitetin e ekzistencës: dashurinë për jetën dhe vetëdijen për përkohshmërinë e saj.

Çdo poezi lexohet me një frymë duke lënë një ndjesi bukurie që gjendet tek thjeshtësia dhe thellësia e mendimit. Autori rrok thelbin e poezisë, duke treguar se edhe fjalët më të thjeshta mund të fshehin të vërteta të mëdha. Kjo përmbledhje poetike që tashmë është në duart e lexuesit italian është një reflektim për jetën dhe një udhëtim emocional që e lë lexuesin plot me mbresa dhe ndjesi pozitive.

DHIMITËR POJANAKU lindi në Pogradec të Shqipërisë, ku jeton edhe sot, më 28 gusht 1956. Ai u diplomua për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Është autor i disa librave me poezi dhe ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare, si në Francë, Maqedoninë e Veriut, Spanjë, Itali, Gjermani, Indi dhe Greqi. Në vitin 2002, ai fitoi çmimin kombëtar shqiptar “Penda e argjendtë” me veprën e tij “Gurët zbardhin natën”. Poezitë e tij janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme në shqip dhe italisht si dhe janë përkthyer në disa gjuhë. Në vitin 2005, për stilin e veçantë të të shkruarit, i akordohet titulli “Qytetar Nderi i Pogradecit”. Librat e tij janë botuar në gjuhën greke, rumune dhe italiane.

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Ka fituar gjithashtu çmime në konkurse letrare ndërkombëtare në Shqipëri, Itali, Greqi, Zvicër, SHBA, Filipine, Liban, Kore dhe Kinë. Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.

Irma Kurti ka botuar mbi 120 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 24 vende të botës.