Smokthina kujton bijt dhe bijat dëshmorë në 80 vjetorin e rënies-Bernard Zotaj

Bernard Zotaj

Luigj Gurakuqi, firmëtari i pavarësisë dhe ministri i parë i Arsimit të shtetit shqiptar do të theksonte se një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradien e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtue mbas shembullit të mëdhenjëve të vet…

Nga hysmeqar në antifashist

Bezhan Hajro Nuredinaj lindi më 1929 në një familje të varfër në Belik të Vjazës. Aty kishte shkuar me familjen, pasi ishin larguar nga Ramica, për shkak të fukarrallëku. Bezhani e kaloi fëmijërinë në varfëri. Babai, Hajrua me punën e krahut mbante dhe ushqente familjen e cila përbëhej prej 7 njerëz. Bezhani u rrit mes varfërisë. Në vitin 1940 babai i Bezhanit ndërron jetë. Nëna File nuk mund të qëndronte më në Belik me fëmijët, por shkoi në vitin 1941 në Amonicë pranë vajzës së madhe, e cila ishte martuar me Ferik Memushin. Këtu ata u strehuan në një kasolle që u ndërtuan. Bezhani filloi punë si hyzmeqar në moshë të vogël për të ndihmuar familjen. Nën ndikimin e ideve komuniste, Bezhani u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare që në dhjetor 1942, kur dëgjoheshin krismat e pushkëve të Luftës së Gjormit. Në nëntor 1943, në moshën 15 vjeçare, Bezhani doli partizan në batalionin “Perlat Rexhepi”. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi batalionit, kundër forcave naziste nga nëntori 1943 deri në qershor 1944, ku u dallua për guxim e trimëri. Kështu Bezhani në zjarrin e luftës u rrit dhe u burrërua para kohe. Kongresi i Përmetit dhe vendimet e tij, gëzuan edhe Bezhanin. Delegatët e tij njohën popullin me vendimet e tij. Në fillim të qershorit 1944 populli i Shullërit u mblodh në Ramicë në Rrëzë të Rrethit për të takuar delegatin e Kongresit të Përmetit, Esat Avdulla Haxhiun nga Mavrova. Takimi ishte i papërshkrueshëm nga gëzimi dhe hareja. Partizanë e fshatarë këndonin, kërcenin, brohoritnin dhe shtinin me pushkë. Një plumb qorr e goditi Bezhanin. Ai ra për liri, duke mbetur partizani 15 vjeçar i pavdekshëm. Bezhan Hajro Nuredini është shpallur Dëshmor i Atdheut vendim nr. 68, dt. 2.4.1981, të Komitetit Ekzekutiv të Vlorës.

Për Miftar Alinë, në ballë si vetëtimë

Miftar Ali Bocaj lindi në fshatin Ramicë në gjirin e një familje të varfër fshatare. Nuk ndoqi shkollë por punoi shumë, sepse fukarallëku në atë kohë të vështira ishte shtruar këmbëkryq në famijen e tij. Ai u lidh shpejt me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u rreshtua partizan në çetën partizane “Zigur Lelo” të Smokthinës më 5 qershor 1943. Miftari kishte temperament të qetë, ishte i bindur, u dallua për disiplinë dhe vendosmëri të lartë. Në nëntorin e vitit 1943, çeta u inkadrua në Br. V S. Luftimet e Brigadës ishin të rrepta si në luftën e Mesaplikut të janar-shkurtit 1944. Brigada kaloi në sektorin e përmetit në ruajtje të Kongresit të Përmetit dhe gjatë muajt qershor 1944, me luftime arriti në Qafën e Gjarprit, ku bëhej luftë tek Guri i Prerë. Forcave të brigadës, ku bënte pjesë dhe Miftari, u takoi të bënin gjatë natës së 6 – 7 qershorit disa sulme e kundërsulme me forcat naziste. Miftari kishte luftuar me nazistët gjermanë, por atë ditë lufta u bë në përleshje trup me trup. Dhe populli e përjetësoi në këngë: Përpara o partizanë,/T’u hidhemi në istikame,/Kush s’e sheh Miftar Alinë,/Në ballë si vetëtimë. Miftari mbeti i vrarë duke mos e lëshuar pozicionin e luftimit. Luftëtari trim e skuqi me gjakun e tij udhën e lirisë. Presidiumi i Kuvendit Popullor, Miftar Bocaj e ka dekoruar me medaljet e “Kujtimit”, “Trimërisë” dhe të “Çlirimit”. Shpallur Dëshmor i Atdheut vendim nr. 97, dt. 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Vlorës dhe me vendim nr. 33, datë 15.09.2004.

…dhe me Mulo çiliminë

Mulo Dalan Dervishaj lindi në vitin 1928 në Ramicë në një familje me tradita patriotike. Ai mundi të mbaronte dy klasë fillore. Pastaj u muarr me punët e shumta të bujqësisë dhe blegtorisë të familjes Dervishaj. U lidh ngushtë me lëvizjen dhe më 5 qershor 1943, kur u formua çeta partizane “Zigur Lelo”, midis djemve smokthinjote, ishte dhe Mulo Dervishaj. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga çeta e Smokthinës. Më pas u bë luftëtar i BrVS. Mulo kishte pseudonimin “Çilimiu”, sepse kishte trup të vogël. Ai ishte i mësuar me punë, i gjallë e trim, lëvizte e gjendej kudo, gjithnjë i bindur dhe nuk u ankua për asgjë. Qafa e Gjarpërit dhe Guri i Prerë në agimin e 7 qershorit 1944, gjëmoi nga topi e murtaja, nga mitralozat dhe nga thirrjet “Para partizane”. Aty u kalua nga sulmi e kundërsulmi deri në përleshje trup me trup. Partizanët u detyruan të tërhiqen. Mulo ishte aty në mbulim të shokëve. Arma e tij u dëgjua gjatë, por nga rrethimi nuk mundi të dilte. Ai mbeti tek Guri i Prerë. Shpallur Dëshmor i Atdheut vendim nr. 97, dt. 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Vlorës dhe me vendim nr. 10, datë 22.05.2003.

Vetëtimë për Hajdinenë…

Hajdine Sinan Zogaj lindi në një familje të varfër më 1925 në Bashaj. I ati Sinan Pëllumbi kishte qenë luftëtarë në Luftën e Janinës më 1913-1914 dhe në Luftën e Vlorës 1920. Varfëria e kishte detyruar të shkonte çoban së bashku me të shoqen në Beun. Hajdineja fëmijërinë e kaloi me prindërit e saj në Beun. Më 1934 prindërit e Hajdinesë bashkë me vajzën, u larguan nga Beuni dhe shkuan të jetonin te dhëndëri Tare Kokallaj në Krajth të Ramicës. Hajdineja ishte e gëzuar. Bashkë me nënën e saj Bukuri, ajo merrej me punët e shtëpisë. Në vitin 1941 Hajdineja martohet me Hysen Lusho Zogaj, i cili ishte i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare prej vitit 1942. Hajdineja u lidh me luftën në vitin 1943, me organizimin e gruas antifashiste për fshatin Ramicë. Ajo mori pjesë aktive në veprimtarinë e kësaj organizate, si priti, shtroi sofra e përcolli partizanë në shtëpinë e saj të varfër, përgatiti triko, fanella e çorape leshi dhe bëri bukë për partizanët. Kujdesi dhe ndihma e saj u dukën në operacionin e Dimrit, ku nëpër pyjet dhe shpellat e Çipinit ku ishin strehuar për t’u shpëtuar torturave dhe vrasjeve të nazistëve gjermanë. Në pranverën e vitit 1944, Hajdineja lindi një vajzë, që e quajtën Lumturi. Në operacionin e qershorit 1944, të ndjekur nga lufta, një pjesë e pleqëve, grave e fëmijëve të Ramicës, u larguan nga fshati për t’i shpëtuar reprezaljeve të armikut, duke kaluar nga mali i Tartarit për t’u fshehur në pyjet e Matohasanit. Gjatë rrugëtimit të vështirë të të gjithë grave, fëmijëve dhe pleqëve të Ramicës, nisi një shi me shkrepëtima kur dolën në majë të malit të Tartarit. Një vetëtimë godet Hajdinenë duke e lënë të vrarë. Ndërsa Lumturia tre muajshe që ishtë në djep e ngarkuar në kurrizën e Hajdinesë, vetëtima e hedh disa metar tujte dhe ajo shpëton. Kështu Hajdineja mbeti viktimë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare duke lënë Lumturinë. Shpallur Dëshmor i Atdheut vendim nr. 862, dt. 21.06.2021 të Komisionit Qendror të Statusit Dëshmor i Atdheut.

Trimi që nuk vjen më…

Kamber Sullaj lindi në vitin 1915 në Bashaj, në një familje të varfër, por bujare dhe atdhetare. Mbeti jetim që i vogël. Nëna i vdiq dhe babanë ja vranë për bukën e gojës. Nuk mundi që të vazhdonte shkollë, por që fëmijë u ndesh me vështirësitë e jetës. Kamberi u lidh me lëvizjen dhe mori pjesë në shumë veprimtari të grupit edukativ dhe të njësitit guerril të fshatit Bashaj. Në qershor të vitit 1943, del partizan dhe rreshtohet në çetën “Zigur Lelo” të Smokthinës. Mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi çeta. Në nëntor 1943 u rreshtua në BrVS. Aty ai u caktua komandant skuadre dhe e drejtoi skuadrën në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada. Pas luftimesh të ashpra e fitore në Qarkun e Vlorës, brigada u përqëndrua në zonën e Përmetit për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit. Në luftimet që zhvilloi brigada në Qafë të Gjarpërit më 6 qershor 1944, në përleshje me nazistët gjermanë, së bashku me skuadrën e tij, duke luftuar trup me prup me pushtuesin ra dëshmor për lirinë e Shqipërisë. Kënga: Erdh haberi në Smokthinë,/ Ç’u vranë ca djem të mirë,/ Ata trima që më s’vinë,/ Kamberi me Miftar Alinë…/ Na nderoi Kamber Rustemi/ Dhe përkrah Miftar Aliu,/ Në fund e mbylli betejen/ Mulo Dervish çilimiu… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

U pushkatu nga nazistët se nuk ju tregoi partizanët

Sefer Meço Guçaj ka lindur në vitin 1874 në katundin Matogjin të Smokthinës dhe vdiq më 1944, i pushkatuar nga pushtuesit gjermanë, duke u radhitur në krahë të dëshmorëve të lirisë. Megjithëse pa shkollë, ishte njeri i zgjuar dhe një nga personat e nderuar në fshat. Në vitin 1913, për të mbrojtur trojet shqiptare prej shovinistëve grek, bashkë me të tjerët nga Smokthina, shkoi e luftoi në mbrojtjen e Janinës. Atje iu vra në përpjekje edhe i vëllai i tij Kalo Meço Guçaj. Ndjenja e atdhedashurisë e këtij patrioti, u shpreh edhe në luftën kundër okupatorëve italianë më 1920. Atëherë ishte 46 vjeç dhe u shqua për trimëri gjatë luftimeve gjer sa italianët u hodhën në det. Por përveç pleqërisë, varfërisë dhe urrejtjes për regjimin zogollian, në moshën 70 vjeç, si gjithë patriotët e tjerë, i takoi të shohë përsëri shkeljen e vatanit nga fashistët italianë. Nuk ishte më në gjendje të merrte armën në dorë, por nisi partizan në Brigadën V Sulmuese të birin, Shaqirin. Në Operacionin e Qershorit 1944, nazistët gjermanë e zunë Seferin ku ish shpërngulur në malin e Çipinit. Ata u përpoqën ta detyronin të bëhej udhëtregues kundra partizanëve. Por ai nuk u përkul. Atyre nuk u mbeti gjë veçse ta pushkatonin. Emri i tij është pasqyruar si dëshmor në muzeun e fshatit, duke gëzuar respekt e dashuri për veprimtarinë patriotike, për guximin, trimërinë dhe besën e dhënë, se do të ishte prapë luftëtar, pavarësisht nga mosha. Ja, kështu, Sefer Guçaj, plaku 70 vjeçar, si luftëtar popullor e mbylli jetën e tij.