Postimi i Muza Budiane

Misionare matjane e fjalës së shkruar
E lindur në fshatin Bel të Klosit, më 15 tetor 1971, Emi Krosi mbaroi shkollën e mesme
pedagogjike në Tiranë dhe u emërua mësuese. Pastaj ka mbaruar Fakultetin për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas Master shkencor për studime dhe kritikë. Është studiuese, gazetare, mësuese, poete, romanciere dhe kritike. Ka botuar “Një statujë e paputhur”, poezi; “Përmasa e kohës së përjetshme”, studim; “Baraka e kampit”, roman; “Buzët ngjyej me ngjyrën e muzgut”, poezi; “Letërsia e pranguar e Sami Repishtit” studim; “Teadum vitae” poema; “Viseve të estetikës dhe kritikës”, studime etj.
* * *
Emi Krosi është një nga ato krijuese që, përmes poezisë, studimit dhe kritikës letrare, i ka dhënë zë jo vetëm ndjenjave personale, por edhe kujtesës kombëtare, historisë dhe identitetit shqiptar. Veprimtaria e saj dëshmon se fjala e shkruar mbetet një mjet i fuqishëm për të ruajtur vlerat shpirtërore dhe kulturore të kombit.
Nga vëllimi i parë poetik, “Një statujë e paputhur”, zgjodhëm disa poezi, të cilat dëshmojnë një personalitet krijues të shumanshëm, që e ka kthyer fjalën e shkruar në mision jetësor.
STATUJË E PAPUTHUR
Përvijoi një shkëndijë dashuria
e në sytë e mi u zhvesh qielli,
zemra u rebelua,
gjaku i nxehtë çau lëkurën e mallit.
Fëshfërijnë gjethet e fundit të nëntorit
nga shikimi i parë i syve,
bota e kalbur mes tingujve melankolikë
derdh tango ëndërrash, dëshirash e shpresash.
Një statujë e paputhur buzësh,
eh, sa ka udhëtuar e pazbuluar
dashuria ime kalimtare
mori zemrën në kështjellën e pangulur,
humbi, mbeti në vegimin aq të dëshiruar
të zemrës së dashuruar.
KOSOVËS SIME
I gdhenda fjalët në gur,
mbi këmishën e grisur pa butonë,
i shkriva lotët mbi qiri,
si gërshetat e shpleksur keq, Kosovë!
E ndiej lëngun e arave ndër deje,
vlagën e plisit për farë,
ohu, ç’piskamë e gjallë
oh, ç’klithmë e gjatë.
E di, mos fol më, të kuptoj
në frymëmarrjen tonë,
koha në çdo hap çalon,
ti erdhe tek unë, por unë
oh, unë kur do të vij te ti?
Orët e kurdisura,
të çakërdisura nga heshtja,
muret e akullta rrokëzuan bashkim,
dhe tani trung,
gjethoji lastarët e shqiptarisë etnike!
SIMFONIA E JETËS
Era më varet si vath në vesh,
dhe në dy zgavra të thella
ku u rrëzuan sytë e mi,
në damarët e nxirë toka vallëzon mbi shkronja,
në uikendin me eshtra rëre.
Një qiri gugaç, kufomën e dylltë elegante
me floknajë flakësh,
rrobën e mallit nga qielli e zhveshi,
një simfoni, me bosht notash peshqish
mbi kopertinën e apokalipsit,
këpucën stërmadhe të një trungu matuf,
që qefinin e hijes zhgërryhen në llucë.
Një laps fluturoi me sferën e diellit,
me një pigment rrethor si skaj i rrudhur,
i tërhequr, i verbër
dhe jeta i buzëqesh ajrit të ngazëllyer,
me puthje, me dashuri dhe dehje.
TË DASHUROJ VETËM TY, KOSOVË!
Dua të ndiej në trupin e lagur nga ekstaza,
të dashuroj vetëm ty, Kosovë
se kemi lindur bashkë.
Ne, binjakët, brinjën do ta thyejmë
e brenda lëkurës vetëm një frymojmë,
unë e ti, ti dhe unë.
Patjetër, në zhgunin e leshtë
do jemi ngrohtë,
mirë, të lumtura
atëherë globin do ta shqyejë zilia.
FLORA BROVINA
Njolla gjaku mbi bluzën e bardhë,
në duar fletët me fjalë thyejnë vdekjen,
në copa të kaltra urat e ylberta
zbulojnë kurrizet, lakuriqe
me pigmente të pluhurta kolorësh.
Në ecjen e kohës së popullit tënd,
sa lapse vizatuan portrete,
emra mbi telajo të arta dashurie,
jete e durimi.
Përtej hekurave, pak qiej me krahë zogjsh
pipëtima flladesh mbi petale të fshehura,
mbi brazdat e pëllëmbëve,
vargjet e zhubravitura nga djersa klithin.
Një cep jake e gjakosur,
inicialeve një stetoskop ka mbetur,
varur në erë si dëshmi humane,
e vrarë pafajsisht…
Por, a është e qetë bota,
kur gruaja flijohet nga urrejtja
që zgjat tentakulat mbi glob?!
KLITHMË ÇAME
Jam vonë në dhembjen tënde,
o Atdhe i Bilal Xhaferrit,
ku janë bijtë e tu o Çamëri?
Mërgimtarët, ngarkuar nga streha jote
për rrugë po nisen nga shovinizmi grek,
po djali yt, Bilali, nëpër vargje të përcëlluar
u end pa atdhe.
Në tokën e shqipes,
të huaj tradhëtarë e quajtën,
në ndjekje të klithmës çame,
përtej Atlantikut mbeti.
Përse të mohuan, të mallkuan?
Në penën time, i largët përfytyrimi i kohës
me plagë, zjarr, bastisje
por diçka më mungon në trup,
dhe pjesa jote e humbur,
e trungu mori formën e lindjes.
Të paktën na fal, o Çamëri
ndoshta shtegtimit tënd po i vjen fundi.
PESHA E KOHËS
Nga rrugët e pluhurta pesha e kohës,
në gropat me llucë zhgërryhet,
unë leckamane e zbathur,
në mbarimin e pauzave zgjohem.
Në fillimin e dialogjeve hesht,
në qiellin e largët autoportretin tim vizatoj,
koha krah meje, e çmendur, iluzionante konfuze, e zbrazët.
Koha lakuriqe s’ka turp,
po dridhet, ka ftohtë
njerëzit vijnë dhe ikin,
delirantë, pasionantë, ëndërronjës.
Ne të dyja në metronë e fatit,
buzëqeshim kur na tallin,
për qenin që na bën shoqëri,
një qen i shpifur, zgjebonjës…
Por jo i lig, sa njeriu
s’të kafshon, s’të tradhëton.
LYPSARËT
Në kauzën tonë jeni të papërfillshëm,
me duar të shtrira,
portrete të hajthme varfërie migjeniane,
lakmi e fatit lypsarë.
Hapa indiferentë,
trokëllin zhurshëm vorbulla qesharake njerëzore,
dhe pse ju qeshin,
jeni krenarë në zgjedhjen tuaj.
Ah, lypsarët, globi komod i shekullit XXI.
PËRMENDORET E REJA TË KOSOVËS
Liria pi gjak, paqja do sakrificë
Ademi, Fehmiu, Agimi
pinë qumësht në gjinjtë e Kosovës,
që ia shteri dhembja.
Buzët fushës ia puthën varret e kufomave,
pa gjymtyrë,
trupin e derdhur luadheve ia çartën përdhunuesit
Qerpikët e grunjëta ia leu me gjak hëna,
belin ia qarkuan me gjerdanët e pushkëve,
sytë ia përlotën flakët e çative nën pjergull,
flokët ia shpleksën pëllumbat e pullazeve të gjelbra të arrave,
me putra të ftohta urish, mjegullat e bombta.
Oh, ballin tënd, Kosovë, me brazda plagësh me vranja ndër rrudhat e hijshme si pala flamuri,
t’u çuan korifejtë, përmendore lirie
dhe peneli i portretit tënd skicoi lotë trimash,
mbi poret e tokës ngazëlleu flijimi.
Jashari, Lladrovci, Ramadani
përmendoret e reja, për ty u bënë fli.
* * *
Poezia e saj lëviz mes lirizmit intim, dhimbjes kombëtare dhe reflektimit filozofik mbi kohën, jetën dhe fatin e njeriut.
Në poezinë “Statujë e paputhur”, dashuria shfaqet si një ndjenjë e bukur, por e paarritur, e mbetur në kufijtë e ëndrrës dhe të mallit. Vargjet kanë ngarkesë emocionale dhe figuracion të pasur, duke krijuar një atmosferë melankolie dhe dëshire. Në ciklin kushtuar Kosovës, veçanërisht te “Kosovës sime”, “Të dashuroj vetëm ty, Kosovë!” dhe “Përmendoret e reja të Kosovës”, autorja shpreh një ndjenjë të thellë identitare dhe kombëtare. Kosova nuk paraqitet thjesht si hapësirë gjeografike, por si pjesë e qenies shqiptare, si plagë, krenari dhe shpresë. Përmendja e figurave si Flora Brovina, Bilal Xhaferri dhe Adem Jashari e lidh poezinë me kujtesën historike dhe sakrificën kombëtare. Poezi si “Simfonia e jetës” dhe “Pesha e kohës” dëshmojnë prirjen e autores drejt eksperimentimit figurativ. Metaforat e guximshme, imazhet e dendura dhe asociacionet e papritura krijojnë një univers poetik modern, ku realja dhe simbolikja ndërthuren vazhdimisht. Ndërsa në “Lypsarët”, autorja prek plagët sociale të kohës sonë, duke sjellë një vështrim kritik ndaj indiferencës njerëzore dhe pabarazive që vazhdojnë të ekzistojnë edhe në shekullin XXI.
Si përfundim, Emi Krosi shfaqet si një zë i veçantë i letërsisë bashkëkohore shqiptare, ku bashkëjetojnë ndjenja e fortë kombëtare, shqetësimi qytetar dhe kërkimi estetik. Fjala e saj është një urë mes kujtesës dhe së ardhmes, mes dhimbjes dhe shpresës, duke e bërë atë me të drejtë një misionare matjane të fjalës së shkruar.
