Një ditë mes miqve, historisë dhe bukurive të Ishmit!Nga Agim Lika

Nga Agim Lika

Ka ditë që kalojnë si gjithë të tjerat dhe ka ditë që mbeten gjatë në kujtesë, si fotografi të ngulitura në mendje. E tillë ishte edhe dita e 2 qershorit 2026, një udhëtim mes miqsh, historisë dhe bukurive të rralla të Ishmit, që nisi si një shëtitje e zakonshme dhe u kthye në një përvojë të mbushur me emocione, njohje dhe kujtime të paharrueshme.

Ora shënonte 07:00 kur, së bashku me mikun tim Xhavit Masha, morëm rrugën nga Tirana. Mëngjesi ishte i kthjellët, ajri i freskët dhe dielli i sapolindur përkëdhelte kodrat përreth kryeqytetit. Në Vorë bëmë ndalesën e parë për kafen e mëngjesit, atë rit të bukur shqiptar që nuk shuan vetëm etjen, por afron njerëzit dhe hap bisedat.
Aty na u bashkua miku ynë Kujtim Xhebexhiu, ndërsa në Maminas na priste Qemal Likmeta. Tashmë udhëtimi kishte marrë formën e një karvani të vogël miqsh, të bashkuar nga dëshira për të njohur më mirë historinë, natyrën dhe njerëzit e një treve me vlera të rralla.

Rruga drejt Gjirit të Lalzit ishte e mbushur me lëvizje, por peizazhi e bënte çdo kilometër të këndshëm. Në të dy anët shfaqeshin fshatra, biznese dhe ndërtime të reja, dëshmi e zhvillimit të zonës. Dukej sikur vendbanimet ishin afruar aq shumë me njëra-tjetrën, sa kishin krijuar një mozaik të pandërprerë jete.
Njëri pas tjetrit kalonin Bilalasi, Rrubjeka, Rada, Kamberasi, Manza, Shkalla, Armathi, Shkafanja, Rrotulla, Fushë-Draçi, Draçi dhe Shetaj. Çdo emër vendi mbante brenda vetes histori të pashkruara, kujtime brezash dhe rrënjë të thella në kohë.

Kur mbërritëm në Kepin e Rodonit, natyra na dhuroi një spektakël të vërtetë. Përballë nesh shtrihej Adriatiku i kaltër, ndërsa mbi shkëmbinj ngrihej krenare Kalaja e Skënderbeut. Pak më tej, Kisha e Shën Ndout qëndronte e heshtur, si një rojë e shekujve.

Aty historia nuk lexohet vetëm në libra. Ajo jeton në gurët e kalasë, në muret e kishës dhe në erën që fryn nga deti. Çdo hap të kujton kohë lavdie, sakrifice dhe qëndrese, kur shqiptarët mbroheshin me armë në dorë dhe me besimin në zemër.

Pas kësaj ndalese mbresëlënëse morëm rrugën drejt Bizës. Në qendër të fshatit na priste Gegë Proja, një burrë me kulturë të gjerë dhe njohës i shkëlqyer i historisë së zonës. Biseda me të ishte si të hapje faqet e një libri të gjallë. Ai fliste me pasion për toponimet, fiset dhe ngjarjet që kanë formësuar identitetin e kësaj treve.
Koha kaloi pa u ndjerë. Na ftoi me dashamirësi për drekë, por itinerari ynë ishte i ngjeshur. U larguam me respekt e mirënjohje, duke lënë pas një mik të mirë dhe duke marrë me vete një kujtim të çmuar.

Më pas udhëtimi vazhdoi drejt Kërtushajt, ku na priste profesor Shezahir Kërtusha. Që në çastin e parë ndjemë ngrohtësinë e mikpritjes ishmake.
— Mirë se keni ardhur! Miqtë e Agimit, sot janë edhe miqtë e mi! — tha ai sapo hapi portën.
Një fjali e thjeshtë, por e mbushur me fisnikëri dhe me gjithë peshën e traditës shqiptare të mikpritjes.
Nën hijen e pemëve të oborrit dëgjuam histori për fisin Kërtusha, për vendosjen e tij në ato troje dhe për ngjarje që lidhen me të kaluarën e Ishmit. Profesori rrëfente me urtësi e qetësi, ndërsa ne e dëgjonim me vëmendje e kureshtje.
Dy orë kaluan si dy minuta. Një gotë raki të shoqëruar me meze të përgatitura nga zonja e shtëpisë, muhabeti i ngrohtë dhe atmosfera familjare na bënë të ndiheshim sikur ishim në shtëpinë tonë.
Kur u larguam, morëm me vete jo vetëm respektin për profesorin, por edhe bindjen se mikpritja ishmake mbetet një nga pasuritë më të mëdha shpirtërore të kësaj krahine.

Rruga na çoi më pas në Kullas, ku në lokalin e Altin Kullës na priste poeti Urim Mezini. Takimi me të ishte një tjetër stacion i bukur i kësaj dite. Bisedat për letërsinë, kulturën dhe jetën rridhnin natyrshëm, ndërsa koha dukej sikur ndalonte.
Në fund të takimit, Urimi na dhuroi secilit nga dy libra. Një dhuratë e vyer, sepse librat mbeten miqtë më besnikë të njeriut.
Kur Xhaviti tentoi të paguante kafet, Urimi buzëqeshi dhe tha:
— Këtu je në Ishëm. Mikun nuk e lëmë të paguajë!
Të gjithë qeshëm. Por në ato pak fjalë fshihej thelbi i shpirtit të kësaj treve: respekti, bujaria dhe dashuria për mikun.

Mbrëmja po afrohej. Morëm rrugën e kthimit përmes Bubqit, Vorës dhe më pas drejt Tiranës. Brenda makinës mbretëronte një heshtje e ëmbël. Secili dukej i zhytur në mendimet e veta, duke rikujtuar pamjet, bisedat dhe njerëzit që kishim takuar gjatë ditës.
Kur u ndamë me Xhavitin, Qemalin dhe Kujtimin, ndjemë se kishim jetuar diçka më shumë se një udhëtim.

Ishte një takim me historinë e Kepit të Rodonit, me urtësinë e Bizës, me fisnikërinë e Kërtushajve dhe me shpirtin mikpritës të Ishmit.
Sepse pasuria më e madhe e kësaj treve nuk janë vetëm peizazhet e saj mahnitëse apo monumentet historike. Pasuria e saj e vërtetë janë njerëzit — ata njerëz të mirë që dinë të hapin derën, zemrën dhe sofrën për mikun.

Dhe janë pikërisht këto kujtime që e bëjnë një udhëtim të mos harrohet kurrë.

Tiranë, më 10 qershor 2026.