Hapa dollapa-Judita Dedi




Hapa dollapa
Po nderja rrobat në ballkon, kur poshtë pallatit dëgjova një zë të hollë që bërtiti..
Hapa dollapa… Kush është fshehur prapa?…
Po vij..
Njëri mbylli sytë dhe nisi të numëronte, ndërsa të tjerët u shpërndanë me vrap për t’u fshehur..
Qëndrova e mbështetur te parmakët dhe i shikoja nga lart.
E dija ku ishte secili…
Për një çast më pushtoi një dëshirë e madhe t’i tregoja atij që kërkonte se ku ishin fshehur shokët e tij.
Por nuk fola…
Dhe pikërisht në atë heshtje, m’u shfaq para syve fëmijëria ime.
Mu kujtuan pushimet e verës, kur çelësat e shtëpisë i varnim në qafë dhe prindërit ishin në punë.
Lagjja ishte loja jonë.
Luanim symbyllurazi derisa errësohej dhe qeshnim sikur koha të mos mbaronte kurrë.
M’u kujtua Tila.
M’u kujtua Keta.
M’u kujtua Meri.
Për një çast i pashë të tria duke vrapuar për t’u fshehur, ashtu si dikur…
Pastaj u ktheva në realitet..
Tila nuk jeton më. Deti i Otrantos ma mori përgjithmonë shoqen e fëmijërisë.
Keta jeton larg, në Amerikë, me familjen e saj.
Me Merin takohemi sa herë na jepet rasti.
Ose kur unë shkoj në vendlindje,
ose kur ajo vjen në Tiranë.
Sa herë pimë një kafe bashkë, na duket sikur koha ndalet dhe për pak çaste bëhemi sërish ato vajzat e vogla që fshiheshin pas mureve të pallatit…
Poshtë, fëmijët vazhdonin të luanin.
Ai që kërkonte thërriti me gëzim..
Të gjeta!
Dhe unë, pa e kuptuar, ndjeva një therje në zemër.
Sepse e kuptova se ne nuk po luanim më symbyllurazi..
Ishte jeta ajo që na kishte fshehur.
Dhe sa shumë do të doja që, edhe një herë të vetme, dikush të bërtiste me zë të lartë…
Ju gjeta të gjithave..
E ne të dilnim nga vendet ku na ka fshehur koha, me flokët e çrregullta, gjunjët e gërvishtur dhe të qeshurat që mbushnin gjithë lagjen… sikur të mos ishte larguar kurrë vera e fëmijërisë..