Ne nuk e dimë si vdiq poeti.Por e dimë pse jetoi Ali Asllani-Gezim Llojdia

Gezim Llojdia


Një reportazh letrar për poetin.


1.

Tiranë,dhjetor 1966.
Dimri nuk kishte ardhur ende me gjithë peshën e tij,por një ftohtësi e padukshme kishte mbështjellë qytetin.Një frymë e ngadaltë, thuajse e padukshme, u tret në ajër. Poeti nuk ishte më. Ishte 21 dhjetor.Dhe me të ra një borë e bardhë, e heshtur. Ne nuk e dimë si vdiq poeti.Dimë vetëm se ndodhej në Tiranë. Vdiq në vitin 1966, në moshën 86-vjeçare. 21 dhjetori i vitit 1966 u shua Ali Asllani. Poeti lirik, autori i “Këngës së Vlorës”.Poeti që lindi në zemër të Labërisë dhe la pas një nga trashëgimitë më të çmuara të letërsisë shqiptare. Por si çdo poet i madh, largimi i tij nuk pati as zhurmë,as ceremoni madhështore.Vetëm heshtje. Dhe një boshllëk i madh në letërsinë shqipe.Me gjuhën e tij mund të themi:Në portretin e fundit, mbi fytyrën e zbehtë të poetit lirik, frymëmarrja e dimrit mbante ende kërcënimin e një dihatjeje të fundit. Zemra nuk ndjente më.Ajo firomë që kurthonte me terrin e zi u shua pa zë. Ne nuk e pamë. Por e dimë. Sepse poezia e tij e tha gjithçka.I shtrirë në arkëmorti,trupi që flinte,mendja, që dremiste.Me gjuhën e poetit:Rajvizim në portret.Fytyra e tij regëtinte si një diell i ngrohtë.Po aq sa shëmbëllente me hënën e ngrysur në një natë të ftohtë dimri .Trupi flinte,por mendja dremiste pa pushim .Duke sjellë me vete vargje që shuhen vetëm kur shuhen :”qiejt e poetëve të mëdhenj”.Deshifrimi është më i thjeshtë nga sa mund të mendohet.Ekzistenca juaj është burim i pashtershëm poetësh.Çdo fjalë e lëshuar nga pena juaj ishte një grusht yjesh .Ato që shndrisnin edhe në errësirën e çdo kohe.
…Po, ne nuk e dimë si vdiq poeti. Ishte në Tiranë, në heshtjen e saj të thellë Por ajo, që dimë me siguri është se ai u nda nga kjo botë më 21 dhjetor, duke lënë pas një pasuri të pashtershme, një trashëgimi. Ishte një poet, një burrë i thjeshtë, por gjithashtu një figurë e fuqishme,që e mbante dhe e vuante çdo ngjarje të kombit me shpirtin e tij të paluhatur.Në vitin 1966,ai ishte 86 vjeç.
Mirëpo a plaket poeti? Kurrë nuk plaket. Ishte një dritë, që shndrit.
…Dhe megjithatë… ne nuk e dimë si vdiq poeti.Por e ndjejmë.E ndjejmë në ajrin e rëndë të atij dhjetori.Në zverdhjen e letrave që flasin për të. Në kujtimet që kaluan si hije nëpër rrugët e Tiranës.Atë dhjetor ’66.
2.

Frymëmarrja e dimrit.E ftohtë dhe e pashërueshme, mbështillte fytyrën e zbehtë të poetit lirik,që shtronte rrezikun e një dihatjeje të mundimshme. Çdo frymë, çdo hap, një kujtim i një jete që po i ikte mes gishtave.Por, ndërsa frymonte, çdo varg që dilte nga goja e tij ishte një frymëmarrje e fundit.Një tingull i përjetshëm që, edhe kur trupi flinte, shpërthente nga shpirti i tij si një zë që mund të thoshte të vërtetën e botës.Ai jetonte përmes fjalëve, dhe ato fjalë ishin si një pjesë e tij, që reflektonte çdo ndjesi të thellë që shpërthente nga dashuria e tij për atdhenë,për popullin, për gjithçka që ai e shihte të lavdishme dhe të pavdekshme. Por ajo zemër vazhdonte të rrihte fort në sekondat e fundit,me ritmin e poezisë, që ai kishte lindur për të shkruar.Por kjo ishte një poezi, që do të jetonte përgjithmonë në çdo “nënshkrim të fjalës,” që ai ka lënë pas.

3.

Me bastunin në dorë, në udhët e kujtesës.Një hije fisnike mbi rrugët e Tiranës.
…Ka ende zëra,që kujtojnë ecjen e tij të ngadaltë, të përkorë, me bastunin në dorë.Por duke ecur në rrugën, që të çon drejt Lidhjes së Shkrimtarëve, pranë rrugës së Kavajës.Një rrugën që çonte te Lidhja.Ai ecte ngadalë, fisnik,me bastunin në dorë.Kalimtarët nuk shihnin vetëm një plak. Ai ecte ngadalë, fisnik, me bastunin në dorë. Nuk ishte thjesht një plak.Ishte një poet që shkonte te poetët.Ishte një figurë e kulturës dhe e historisë.Një poet,zë i ndërgjegjes kombëtare.Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, diplomati, politikani,por mbi të gjitha:poeti i ndërgjegjes qytetare.Shkrimtari Agim Shehu ,do ta skiconte me respekt, në një portret të përzemërt.Si njeri ,që e përçonte peshën e kohës me dinjitet.Një njeri, që mbarte në ecjen e tij, jo vetëm vitet, por edhe historinë.

4.

Nëpër gazeta të vjetra dhe kujtesa të zhubrosura.Nëpër arkiva të pluhurosura, kemi gjetur një gazetë rreth 65-vjeçare.Letra e saj është zverdhur, por brenda saj, emri i Ali Asllanit jeton ende.Ai i përkiste një brezi që njohu luftën, idealin, dhe zhgënjimin. Një poet që jetoi përtej rreshtave të vargjeve.Në një kohë kur regjimi i pasçlirimit kishte vetëm 22 vite jetë, poezia e tij tingëllonte si një kambanë alarmi.

5.

Dhe njoftimi, që nuk mjaftoi.

Një njoftim i thjeshtë në gazetën “Drita” datë 25 dhjetor 1966 shkruante:
…”Më 21-XII-1966 vdiq në Tiranë, në moshën 86 vjeç, poeti Ali Asllani,anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve. I shprehim ngushëllimet tona familjes.”

Një fjali.Asgjë më shumë.E më pas,një poezi e botuar pas vdekjes Ishte dërguar disa javë më parë.Pse nuk u botua më herët? E dinim përgjigjen: hija e censurës.Njoftimi mortor për poetin .Ky ishte një lajmi i zakonshëm i një periudhe të rreptë, që asnjëherë nuk do të mund të kapte thellësinë e asaj, që humbi poeti.Më poshtë,redaksia e kësaj gazete ka vendosur edhe një vjershë si dhe një shënim, ku thotë: “Këtë vjershë Ali Asllani e pat dërguar në redaksinë tonë për botim disa javë para se të vdiste.”
Poezia,që ai kishte dërguar disa muaj para vdekjes, një poezi , nuk kishte mundur të shfaqej. Sepse për poetët si Ali Asllani, dhe për ata që e jetonin jetën mes fjalës dhe heshtjes. Edhe heshtja ishte një formë arti,një heshtje që fliste më shumë se çdo fjalë.
Poezia titullohej “Le të jemi krenar”.
Nëpërmjet vargjeve, ai deshi të theksonte diçka të thjeshtë dhe të thellë: krenarinë për atdhenë, një krenari që nuk njeh ndalim,që ndrit në çdo rrahje të zemrës dhe vazhdon të shndrisë edhe pas vdekjes së tij.
Mirëpo një pyetje e vogël ngrihet.Poezia ishte shkruar në shtator të vitit 1966.Nëse ishte dërguar disa javë para vdekjes së poetit,përse nuk ishte botuar?Dihet gjithashtu, që poeti dhe politikani, ish-kryetari i bashkisë Vlorë, e ndiqte nga pas hija e mos botimit.Një heshtje që kishte ngërthyer fjalën e tij.Një fjalë që ngjante e pamundur të mund të shprehej plotësisht. Po e japim të plotë poezinë, shkruar në stilin e tij të pazëvendësueshëm, i cili lëvizte përmes vargjeve.A ishte kjo një poezi që nuk “përshtatej” me frymën e kohës?A ishte refuzuar në heshtje për shkak të profilit kritik të autorit?Apo poeti dënohej për të kaluarën dhe qëndrimit gjatë luftës së dytë!

Është i njohur fakti, që Ali Asllanin e kishte ndjekur hija e mosbotimit të plotë dhe të rregullt.Ndonëse ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kishte një emër të konsoliduar si poet dhe kritik i devijimeve sociale.
…Poeti nuk pati funeral shtetëror. Por ai pati diçka më të fortë. Përjetësinë në fjalë.Në çdo varg,që mbetet,në çdo ndjesi që ringjallet,ai jeton.Me bastunin e tij,ecën ende,por tani në mremorien tonë.
…Ne nuk e dimë si vdiq poeti.Por dimë pse jetoi. Ai jetoi për poezi, për jetën dhe për atdhenë.Poeti lirik Ali Asllani do të mbetet gjithmonë një nga figurat më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

”Le të jemi krenar”.
Shqipëria jone tashi
di të bëjë diell e shi,
di të bëjë shi e diell ,
sepse kokën e mban lart,
sepse rrënjët i ka thellë!

Le te jemi pra krenarë!
Q’ë nga len te perëndon,
e kush ësht si vendi jonë?

Si në tok’ edhe në det
kemi pjesën më të bukur,
në të bukurin planet!

Le të jemi pra krenare,
dy miljon thua shqiptarë,
fis fisnik në radh*’ të parë,
titan ishim,titan jemi
dhe përhera gjith titan,
rreptësonet shum shqiponja.
kurse matet me tufan!

…Shtator 1966.

6.
…Dy poezi të tjera, të panjohura deri më tani, të botuara në gazetën “Drita” të vitit 1966, i përkasin një periudhe të errët dhe të ngurtësuar për krijimtarinë.Ato janë si një dritare e vogël, që i jepte mundësinë poetit të fliste me shpirt dhe mendje, edhe kur heshtja ishte më e madhe se fjalët. Poezitë e tij të periudhës së fundit nuk janë më ato të rinisë së tij, të ndritshme dhe të pasura me dritën e lirisë. Por ato janë më të errëta, të mbushura me një hidhërim të thellë dhe reflektime të hidhura për jetën dhe sistemin që e shtrëngonte.Megjithatë, ato mbartin të njëjtin pasion të jashtëzakonshëm, që Ali Asllani kishte për jetën. Një pasion të zjarrtë, që nuk mund të shuhej, dhe për poetikën, që nuk mund të mbyllej.Ajo që mbetet është një shpërthim i vazhdueshëm energjie poetike.Një shpirt, që s’dorezohej, dhe një poezi që vijonte të shëndrisë, madje edhe në errësirën më të thellë.Ajo që mbetet e pashlyeshme është eleganca e vargjeve të tij dhe ndjeshmëria,që ai shprehte përmes natyrës,përmes labirinteve të shpirtit, që shkrimtarët e shohin si një pasqyrë të thellë të botës njerëzore.Ato nuk kishin më fuqinë e vargut të dikurshëm.Por brenda tyre kishte një shenjë: poeti përpiqej ende të jetonte në letër.Ndërkohë, poezia kushtuar fshatit Vajzë, ku ai lindi dhe mban rrënjët e frymëzimit të tij, është e vetmja që shkëlqen në atë vit të fundit. Aty ai flet si dikur. Për burime, për shelegë, për djem që këndojnë, për vajza që “therin me sy e vetull” një poezi popullore,e skalitur si “qilim në tezgjahun e Labërisë”.
Ja dy poezitë e tij botuar në gazetën :”Drita” viti 1966.

E vërteta dërmon hekur

Kur ia bënte pushka vu,
A e dini këto nëna,
luftë me hasmin hundë-hu,
sa kan* vuajtur ato hëna?

Që të sillnin bukë për çeta
shkel e shkuan mbi bajoneta;
Nëpër gjurma të një mushku,
Pinin ujë me fleta dushku!

Her i thyente poshtë përpjeta,
Her i thyente tatëpjeta,
E cfarë buke një kothere
Me dy grushte manaferre.

Në fshat foshnjat me pahir,
mbaheshin me hirrë dybeku,
dhe si kecër, kec i shtirë
zor ua mbante kokën zverku!

Ja pse njeriu i ri
mbetet hasmi i çakallit.
Lavdi nënës Shqipëri
gjithë këta fidan flori
sot i ruan si sytë e ballit.

Mijra shqerra, mijra ftuja
veshur ngjeshur me tërtër (I)
u zhvesh pasha me tre tuja
po u vesh një fis i tërë

U çel nëna tungjatjeta!
U çel nena djegur pjekur;
Shif!e drejta e vërteta,
se si vjen dërmon hekur.
1-tërtër fije ari.

Kënga e një plaku

Them të shkruaj një poem
qoft lirike,qoft* epike,
do ma vargjet me derhem,
të mos dalin shtatanike.

Rrëmoj gjurmët titanike,
Dëgjoj këngët heroike,
Dëgjoj këngët,ato këngë,
Këngë e gunave pa mëngë.

A e njihni Arbërinë,
mos ja prekni krenarinë,
tanim na erdhi radha,
e udhëhequr nga një dritë,

Shqipëria monolitë,
merr e jep me re të bardha.
Po ju flas sepse këtu,
treqind muaj edhe t’hu,
e vërteta ja bën mu.

Vendi ynë tani po thuaj,
di ta ndez dhe di ta shuaj,
le të jetë lumi turbull,
ne do hidhemi përtej,
kjo shqiponjë që di e ngrihet,
e di mirë se ku do vej*.

Pra poemë e një poeti,
S’do rëkojë pas këtaj
kjo muzikë eterniteti,
do vazhdoj në tel të saj.

Vendi ynë përher’ nerënzë
kurdoherë sumbulloret,
kënga jonë përhera këngë,
sevdallesh e këtij vendi,
veshur petka prej argjendi,
mot e jet do rrotullonet.

7.
Poeti, që nuk u largua.Shumë i sugjeruan pas Luftës së Dytë,që të largohej nga Shqipëria.Ata e dinin se kushtet e regjimit ishin të tilla,që poezia do ti mungonte nëpër botime.Ai nuk pranoi.
…“Qofsh i mallkuar o Ali Asllani ,që s’u arratise”, shkruan me ironi të dhembshme A. Agaj,për Ali Asllanin në librin për luftën e Vlorës është një pasqyrë e qartë e këtij angazhimi të pandashëm.Sepse po të ishte larguar, thotë ai, do të kishte kënduar më bukur për Vlorën.
Por Ali Asllani nuk iku.Ai qëndroi.Si patriot. Si qytetar. Si poet që nuk largohet nga toka, që e ushqeu me poezi.Ali Asllani e dinte se poezia dhe liria janë të lidhura përherë, dhe ai e mbajti këtë lidhje të gjallë me çdo varg, që ai shkruante. Poeti ishte dhe do të mbetet një simbol i krenarisë dhe i qëndresës.Ai, si patriot, atdhetar i madh nuk u largua nga vendi i tij,duke mbetur një shembull i shkëlqyer.

8.
Poezia ,që është më shumë se varg.Ali Asllani nuk ishte vetëm një mjeshtër fjalësh.Ai ishte një endës i gjuhës dhe ndërtoi vargje ,që shkëlqejnë për tingëllim, për kuptim,për shpirtin. Ai ndërtoi një poezi të pasur me:figura të guximshme e sensualitet të hollë,
gjuhë popullore dhe urtësi të thellë,intuitë poetike dhe finesë estetike.
…“Sikur një gur stërrall, në gji zjarrin e ka ngjall,
Qoftë në lumë, e qoftë në det zjarr i tija nuk humbet!”…
Kjo është poezia e tij:varg që nuk shuhet, zë që nuk hesht.
Poezia e Ali Asllanit është më shumë se thjesht një mjet shprehës.Ajo është një “pasqyrë e thellë e shpirtit”. Një shprehje e brendshme e përvojës njerëzore, dhe një thirrje që do të rezonojë me çdo brez pas tij.Poezia e tij është një sintezë e paharrueshme, një lidhje e natyrshme dhe e fuqishme mes artit dhe natyrës,mes individit dhe popullit,mes forcës dhe ndjeshmërisë. Ai shkruan, për njeriun dhe natyrën,duke krijuar një botë që është njëkohësisht e bukur dhe e dhimbshme. Një pasqyrë,që pasqyron lavdinë dhe vuajtjet dritën dhe hijet e ekzistencës njerëzore. Me fjalët e tij, nuk na sjell imazhe, por na flet drejtpërdrejt në zemra dhe mendje.Por duke na udhëhequr përmes një udhëtimi emocional, që na lidh thellësisht me historinë tonë,me natyrën,dhe me shpirtin kolektiv të popullit.Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore,që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes .Ky është vargu që frymon si një fllad i pastër, i mbushur me ngjyrat e jetës dhe me energjinë e poezisë,që kurrë nuk do të vdesë.Ai na kujton gjithashtu se poetët ashtu si fjalët, janë gjithmonë aty. Duke fërkuar dritën e tyre të fundit.Të pafund, për t’u bërë pjesë e çdo kohe dhe çdo shpirti, që ka nevojë për ato vargje. Ky është vargu i tij,me rrezatim drithëronjës që, sa të bën për vete, aq edhe të degdis tutje, atje ku përqafohet me jetën, puthet me pëllumbeshën,shullëhet me guguftunë… nusëron me stil të vjetër, po të ndjek me zjarr të ri.

9.

Jo këngë e përkohshme, por poezi e përjetshme.Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë.Me dritën dhe hijet e saj. Me kontrastet e jetës dhe me pasionin për të thënë të vërtetën.Ndaj, kur thotë:
“Poezi e një poeti? Jo, jo këngë eterniteti…”
ai e ka fjalën për veten. Dhe për ne, që e lexojmë ende.

10.

Në vend të epilogut.
Ali Asllani, me një dorë prej qilimtari,”endi në tezgjahun e Labërisë” duke thurur dhe bashkuar harmoninë e tingujve dhe emocioneve. Ai na la një pasuri të papërsëritshme të poetikës dhe të dashurisë për vendin dhe kulturën e tij. Vargjet e tij mbeten të gjalla, të pazgjidhshme dhe të bukura. Si një testament i një jete të kaluar në shërbim të shpirtrave dhe të lirisë.Në emër të kësaj pasurie të paharrueshme, që na la poeti,ne do të vazhdojmë të kujtojmë dhe të nderojmë fjalët e tij,ato që janë më të forta se çdo shenjë kohe.Poezitë e tij janë si një flamur, që nuk shuhet kurrë. Ato do të vazhdojnë të jetojnë në shpirtin e çdo brezi,duke na frymëzuar të krijojmë poetikë, që kalon kufijtë e fjalëve.Fjalët e tij janë si një rrjedhë e përjetshme,që “lundron përmes historisë”. Dhe ashtu si ai, poeti,që nuk vdes kurrë, as fjalët e tij nuk do të shuhen kurrë. Ato janë pasuri, që kalon nëpër gjenerata,që i mbushin zemrat dhe mendjet me dritën e gjithçkaje,që ai jetoi dhe krijoi.Poeti ishte më shumë se një mjeshtër i fjalës. Ai krijoi një poezi të thellë, të ndjeshme dhe plot urtësi, që mbetet e përjetshme.

11.

…Ne nuk e dimë si vdiq poeti.Por dimë ,pse jetoi.
Për të ndriçuar një komb.
Për të thënë të vërtetën.
Për të krijuar atë poezi, që s’mund ta mbyllë asnjë regjim, asnjë harresë.Ali Asllani ishte autori i shumë këngëve të njohura patriotike, si “Kënga e Luftës së Vlorës”, dhe më tej, krijues i poemës “Hakërim”, një vepër që lindi si reagim ndaj korrupsionit dhe kontrabandës në administratë .Në atë poemë, poeti ngriti zërin kundër atyre elementëve të pandershëm dhe të molepsur, të cilët, për hir të pasurimit të shpejtë, ishin të gatshëm të shkelin mbi interesat e atdheut dhe të kombit shqiptar.Poema “Hakërim” është ndoshta më aktualja e tij. Ajo lindi nga zhgënjimi ndaj korrupsionit dhe kontrabandës, jo si një frymëzë e çastit, por si një akt qytetar dhe poetik. Ai denonconte ato që pak guxonin:fenomenet e errëta që dëmtonin thelbin e shtetit shqiptar edhe në kohën e luftës së Dytë Botërore.
Poeti nuk kërkonte lavdi. Ai kërkonte drejtësi.
Ai që këndoi Vlorën.Ali Asllani është autori i “Këngës së Luftës së Vlorës”, një himn i gjallë i trimërisë shqiptare.Por ai nuk ishte vetëm këngëtar i fitoreve.Ishte edhe kritik i realitetit.Ai shkruante për të demaskuar,për të ndriçuar,për të paralajmëruar.

12.

…Ne nuk e dimë si vdiq poeti.
Por dimë se poezia e tij nuk vdiq kurrë.Në çdo varg të pathënë. Në çdo klithmë,që nuk pati gojë ta thotë, ai është aty. Me bastunin e tij, duke ecur nëpër kujtesën tonë.Zëri që denoncoi, edhe nga brenda sistemit.Ali Asllani nuk heshti.Madje as kur ishte vetë pjesë e administratës.Ai denoncoi pa mëshirë korrupsionin, padrejtësinë, maskaradën e zyrave dhe maskën e pushtetit.Poema “Hakërim” është një britmë, një revoltim, një akuzë. Ai shkroi:
“Hani pini e rrëmbeni, mbushni xhepe mbushni arka…
Të pabrekë ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…
Hani pini e rrëmbeni, është koha e çakenjëve,
Hani pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…
Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,
Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…
Dhe për një kërkoni pesë… por më mirë njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu, dhe i miri le të vdes…”
…Një gjuhë therëse,që nuk kursente askënd.Një poezi që s’kishte frikë të shihte në sy pushtetin.Një poet që, ndonëse nënpunës i regjimit, nuk lejoi që ndërgjegjja t’i nëpërkëmbet.
Veprimtaria e tij:më shumë se letërsi.

13.

…Të flasësh për Ali Asllanin nuk është e lehtë. Sepse ai nuk ishte vetëm poet.Ishte një intelektual me vizion, një funksionar i drejtë, një patriot i heshtur. Ai ka lënë një trashëgimi të gjerë në shumë fusha:letërsi, politikë, diplomaci,administratë. Në secilën prej tyre, la gjurmë me ndërgjegje të pastër.
Figura e tij qëndron si një shtyllë e palëkundur në historinë tonë kulturore.
Ali Asllani njeriu, që këndoi lirinë dhe kundër padrejtësisë.
Ai që shkroi “Këngën e Luftës së Vlorës”, këngën e çlirimit dhe krenarisë, ishte po ai që më pas u kthye në poetin e revoltës. Një zë që s’pranoi kompromis me të keqen. Një krijues, që i këndoi lirisë kur ajo ishte e nevojshme, dhe e goditi pabesinë kur ajo u bë rregull.

14.

Përjetimi poetik i vendlindjes.Në një nga këto poezi, kushtuar fshatit Vajzë të Vlorës, ai shfaqet për një çast i vërtetë, natyral, siç kishte qenë dikur. Vargu është i lirë, tokësor, me shpirt vendlindjeje:
“Në krye të fshatit ka një deli krua
Uj i tija akull derdhet në përrua…
Mu në mes të tyre bregu Allatoj
Dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoj…”
…Poezia rrok pamje të vogla, të thjeshta, të gjalla nga bagëtitë që varen në përrua, te pleqtë që qajnë hallet nën rrap. Te vajza me furkën në sqetull që “e therr me sy e vetull”. Një Labëri e lirë, e kthyer në poezi me shpirt të ftohur, por ende të vërtetë.Një zë që mbyllet,një epokë që largohet.Poeti kishte ndjerë gjithçka. Kishte parë gjithçka.Kishte folur me forcë, me ndjenjë, me guxim.Por në vitin e fundit, fjala e tij tashmë fliste me zë të ulët.
Ashtu ndoshta ndihej dhe Ali Asllani në ditët e fundit. Në një kohë kur bota ndërronte ngjyrë, ndërsa poezia e tij mbetej në dritë të zbehtë, por të sinqertë.Ai që foli, edhe kur të tjerët heshtën.Ali Asllani nuk ishte vetëm një poet. Ishte dëshmitar dhe ndërgjegje e kohës së tij.Ai këndoi fitoren, qortoi tradhtinë, ngriti zërin kundër padrejtësisë dhe ktheu vendlindjen në poezi.
Ai jetoi gjatë, shkroi më shumë, foli me guxim dhe vdiq me heshtje.

15.

…Ne nuk e dimë si vdiq poeti.
Por dimë se poezia e tij jeton me gjithë vështirësitë që i solli koha, me gjithë zbehjen e fundit.Sepse vargjet, që lindin nga e vërteta, nuk shuhen kurrë.Unë me të vërtetë besoj se poezia është forma më e lartë e shkrimit,por poezitë e mësipërme janë thjeshtë një pasqyrë e kohës dhe atij realiteti,gati skematike.Po të shikosh në tërësi krijimtarin e Ali Asllanit të mrekullon në atë radhitje fjalësh,figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rininë e përhershme të vargut,me finesën estetike e sensualitetin e thellë. Intuita e tij poetike i kapërcen kufijtë e një përpunimi të zakonshëm të ligjërimit artistik,ku shfaqet një harmonizim i rrallë për tingëllimin kuptimor i ngritur mbi themelet leksikor e fonetik.Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës,duke nxjerr në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë e vargut. Me një dorë prej qilimtari endi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve,ekspresivitetin e fjalës e vargut,të strofave e të krejt poezive të veta duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e vendlindjes.Këtu motri nektarin e poezisë,përthithi e bëri të vetin mençurin e vargëzimit,
ndjeshmërinë e mendimit poetik,psikologjinë,si dhe reflekset e botës shpirtërore,të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan :Poezi e një poeti,jo, këngë ‘eterniteti….. Mirëpo duke zgjedhur të qëndronte nën një regjim, që nuk e shikonte më sy të mirë,poeti s’kishte rrugë tjetër. N.Jorgaqi ka shkruar rreth kësaj çështje.Nëse Lasgushi u mbyll nën vetvete ngaqë edhe në shkollarët e dinim të vdekur ,madje u habitën kur shtypi dha njoftimin për ikjen e tij në parajsë.Poeti lirik lab provoi më kotë të vazhdonte atë rrugë me poezinë e bukur të tij ,poezinë e lirë ,të pastër dhe të sinqertë, që e kishte shkruar vite më parë dhe nën një regjim tjetër.
…Ne nuk e dimë si vdiq poeti. Por dimë pse jetoi.Për të ndriçuar një komb. Për të thënë të vërtetën.Për të krijuar atë poezi që s’mund ta mbyllë asnjë regjim,asnjë harresë.
Poezinë,që lind nga dheu.Pi dritë nga dielli dhe jeton përjetësisht ,në memorien e një populli.