

NË SYTË E TU, RINI
Dielli po lind,
mbi gishtat e bacalokut,
granatat kanë një gjuhë e vjetër ankthi…
Shpresa po ringjallet…
Ëndrrat e fjetura
Po rilind dielli,
po shpërthen gërmadhash,
shpresa po ngre krahët
mbi ëndrrat e përgjumura.
Në sytë e tu, rini,
shoh shpresën,
në flamujt përflakur zgjove ëndrrën e
lirisë.
Në sytë e tu ka dritë,
Si e nënës…
si një këngë e lashtë
që rilind nga hiri i shekujve.
Eh, shpejtësia e saj po verbon tiranët,
rënë në gjumin letargjik,
të dehur nga makutëria.
Kush ka sy, le ta shohë dritën!
Kush ka sy, le ta shohë dritën!
Mërgata s’duron më robëri,
as makutëri,
as përgjumje;
në sytë e saj ende digjet
zjarri i atdheut.
Ata që deshën t’ia verbojnë sytë së
vërtetës,
kanë frikë nga agimi që po vjen.
Një festival i bukur
apo ulërimë demokracie?
Përgjigjja lexohet
në sytë e rinisë.
Mjaft më robëri!
Mjaft më makutëri!
Dielli do të lindë përsëri,
për të ngrohur shpirtin që digjet
për liri.
Dhe nga Tirana deri në skajet e
botës,
nga sheshet ku mblidhen njerëzit
deri te zemrat që rrahin larg atdheut,
ngrihet një zë i vetëm:
Nuk kërkojmë lëmoshë,
por dinjitet!.
Nuk kërkojmë premtime,
por të vërtetën!
Nuk kërkojmë zinxhirë të rinj,
por krahë për të fluturuar.
Le të dëgjohet kjo thirrje
në male e fusha,
në qytete e mërgime,
atje ku shqiptari mban ende
një copëz atdheu në zemër:
Ngrihuni, bij të shqipes!
Mos e lini ëndrrën të flejë!
Mos e lini dritën të shuhet!
Sepse liria nuk vjen si dhuratë,
ajo lind nga guximi,
nga fjala që nuk hesht,
nga zemra që nuk përkulet.
Dhe kur historia të shkruajë këtë ditë,
do të thotë:
“Në sytë e rinisë po lindte dielli,
dhe askush nuk mundi ta ndalte agimin.”
Nexhbedin Basha
21 qershor 2026