Legjenda e arbërit-Nexhbedin Basha

LEGJENDA E ARBËRIT
– Kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut-

Emri Gjergj,
dielli që ndezi kreshtat e Arbërit,
rrufe që zgjoi gurët e lashtësisë;
si shqiponjë u ngrit mbi qiellin e kaltër,
me shpatën vetëtimë, çau terrin
në shekuj histori.

Në gjoks i rrihte zemra e
një kombi,
në gjurmët ku eci ndezi
pishtarët e lirisë;
fjala e Tij, thirrje për
për shqiptarët,
që besën nguliti në rrënjët e
Arbërisë.

Me penë shkruaj historinë
për Ty, o bir i shqipes,
për tokën Arbnore,
për gjakun që s’shuhet,
me zemrën që s’fle,
me shpirtin që digjet,
për dheun
që flet me zërin e rrënjëve.

Në çdo shkëmb gdhendet emri Yt,
nëpër hapsirën e Arbërit ndjej trokun e kalit,
ende dëgjoj zërin e tij si një kushtrim,
si kronikan shkruaj historinë dhe e përjetësoj në vargje

“Lirinë nuk ua solla unë, e gjeta mes jush!”
Fjalë që Barleti i përcolli brez pas brezi,
si një zjarr i shenjtë që nuk
shuhet kurrë,
si një amanet që shpirtrat ndezi.

Muza më rrjedh si valët e Drinit,
ku flet me gjuhën e shqipes
kujtesa,
dhe ndalem në Sinë të Dibrës,
ku ende gurët flasin,
ku ndriçon yllësia
dhe ndizet zjarri i zemrës.

Kullat e vjetra, kalatë mbi
shkëmbinj,
ruajnë gjurmët e Kryetrimit,
Ti mbrojte Arbërinë, me guxim,
për tradhëtitë e kohës shpërtheve zemërimin.

Ti, Hero, mbret i mendjes dhe i
qëndresës,
si një lis i lashtë në përjetësi;
e shpërfille fronin, trimëri tregove,
Si bir i kombit, Legjendë e Arbërisë.

“Ku je, o trim, Skënderbeu?
Si Hero Kombëtar, kujtesa të thërret,
Me bemat e tua s’të ka tretur dheu,
Dardania e Çamëria të kanë në gji, Mbret.

Se liria ka rrënjë të thella, sa vetë
Mëmëdheu,
është amaneti Yt, që kurrë s’do të tretet;
si një bekim i Zotit për Ty,
Hero Kombëtar në jetë të jetëve!
emri Yt i gjallë, brez pas brezi do
të mbetet.

Nexhbedin Basha