Timo Merkuri

Poezia “Unë dhe perandoria ime e vogël” e Natasha Lakos kërkon disa lexime për të hapur shtresat e saj. Në leximin e parë ajo shfaqet si një meditim lirik mbi dëshirën, ëndrrën dhe marrëdhënien e njeriut me botën. Por sa më thellë zhytesh në vargje, aq më tepër kupton se nën sipërfaqen e tyre lëvizin disa rrjedha poetike njëherësh, të cilat nuk e pengojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë dhe i japin forcë njëra-tjetrës. Kjo është një nga veçantitë e poezisë së Natasha Lakos: aftësia për të bashkuar reflektimin, simbolin dhe imagjinatën, pa e humbur lidhjen me përvojën njerëzore.
Në krahasim me poezinë “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël”, ku realizmi magjik përshkon pothuajse të gjithë universin poetik dhe bëhet mënyra kryesore e perceptimit të realitetit, te “Unë dhe perandoria ime e vogël” ai shfaqet më i përmbajtur. Nuk është atmosfera mbizotëruese e poezisë, por një prani e ndërprerë që del herë pas here nga rrjedha e ligjërimit. Mund të thuhet se këtu realizmi magjik ngjan me një damar minerali në thellësi miniere: nuk përbën të gjithë masivin shkëmbor, por prania e tij i jep vlerë dhe shkëlqim të veçantë tërësisë. Ai nuk e udhëheq poezinë nga fillimi në fund, por sa herë shfaqet, i jep vargut një ndriçim tjetër dhe hap një horizont më të gjerë kuptimesh.
Qysh në vargjet e para ndien se kjo poezi nuk është ndërtuar për të rrëfyer një ngjarje. Ajo ndjek lëvizjen e lirë të mendimit dhe të dëshirës, atje ku realja dhe e mundshmja afrohen me njëra-tjetrën. Kështu hapësirat ndryshojnë përmasë, historia hyn në territorin e ëndrrës dhe largësitë nuk duken më të pakalueshme. Lexuesi ka ndjesinë se po ndjek një përpjekje poetike për ta afruar botën me masën e shpirtit njerëzor.
Në këtë udhëtim shfaqen figura që mbeten gjatë në kujtesë: perandoria e vogël, Himalaja, Korabi, Tomorri, tingujt e trumbetës. Ato nuk mbeten si emra në varg. Lëvizin me vetë rrjedhën e mendimit poetik dhe ndryshojnë kuptim sa herë që leximi thellohet. Himalaja është një mal i largët, por edhe maja e një dëshire që kërkon të kapërcejë kufijtë e vet. Perandoria është një hapësirë e vogël, por edhe një mënyrë për ta përqafuar botën me masën e njeriut. Ndërsa Korabi dhe Tomorri nuk janë vetëm male shqiptare; ata bëhen pika ku largësia dhe afërsia takohen dhe pajtohen me njëra-tjetrën.
Në çastin kur poezia duket se ecën vetëm në reflektim, shfaqet magjikja. Jo me bujë dhe as me dëshirën për të habitur. Ajo vjen natyrshëm, si një ndryshim drite mbi peizazh. Në një çast, Himalaja afrohet aq pranë sa mund të vihet në gjunjë. Në çastin tjetër, ëndrrat marrin zë dhe dalin në botë si tinguj trumbete. E pamundura nuk trajtohet si përjashtim. Pranohet qetësisht, si pjesë e së njëjtës botë ku jetojnë edhe bisedat e përditshme, edhe kujtesa historike, edhe dëshirat më të fshehta të njeriut.
Nëse te poezia për Tiranën magjikja buronte kryesisht nga transformimi i qytetit dhe i hapësirës urbane, këtu ajo lind nga vetë shikimi poetik. Bota nuk ndryshon sepse mbi të veprojnë fuqi të mbinatyrshme. Ajo ndryshon sepse syri që e sheh nuk mjaftohet me pamjen e parë. Kjo është arsyeja pse një copë Himalajë mund të bëhet pjesë e një perandorie të vogël dhe pse madhështia e largët mund të gjejë strehë pranë Korabit e Tomorrit. Magjikja nuk zbret nga qielli; ajo lind në çastin kur imagjinata arrin të zbulojë mundësi të reja brenda vetë reales.
Sa më shumë thellohesh në këtë poezi, aq më qartë shikon se magjikja i afrohet realitetit si drita e borës mbi një majë mali. Mali mbetet po ai, me peshën, gurin dhe heshtjen e vet, por nën atë dritë fillon të tregojë fytyra që më parë nuk shiheshin. Kështu ndodh edhe këtu. Realja dhe magjikja nuk përballen me njëra-tjetrën, por ecin së bashku nëpër vargje, herë duke u dalluar e herë duke u përzier.
1. Ideja jonë është për të analizuar realizmin magjik në këtë poezi, por për ta kuptuar atë, duhet parë fillimisht realja, sepse prej saj lind imagjinata poetike. Magjikja ngrihet mbi një botë të njohur, ashtu si bora e Himalajës bie dhe qëndron mbi shkëmbinjtë e malit dhe jo mbi ajrin.
Që në vargjet e para, poezia vendos përpara nesh elemente që i përkasin qartësisht realitetit. Shfaqet Aleksandri i Madh, figurë historike e njohur. Përmendet mbretëresha e Spanjës dhe kërkimi i një kontinenti të ri. Këto vijnë nga historia dhe jo nga fantazia. Ato mbajnë mbi vete peshën e kohës dhe e lidhin poezinë me botën konkrete të përvojës njerëzore.
Reale është edhe hapësira gjeografike e poezisë. Himalaja, Korabi dhe Tomorri nuk janë vende të shpikura. Ata ngrihen në varg me gurin dhe borën. Edhe kur poezia fillon të largohet drejt ëndrrës, këta male mbeten si shtylla guri që mbajnë të palëkundur urën midis reales dhe imagjinatës. Himalaja qëndron në horizont si një rojtar i heshtur në largësi, ndërsa Korabi dhe Tomorri sikur afrohen pranë vargut për ta bërë atë më të ngrohtë dhe më njerëzor.
Por realja e kësaj poezie nuk kufizohet te historia dhe gjeografia. Ajo jeton edhe në mënyrën si njerëzit mendojnë, dëshirojnë dhe sillen. Kur poetja thotë: “Njerëzit zakonisht lakmojnë diçka që e dinë”, ajo nuk shpreh një ide abstrakte, por një të vërtetë të nxjerrë nga vëzhgimi i jetës. Është një fjali që duket sikur ka ecur gjatë nëpër shekuj bashkë me njerëzit dhe ka mbledhur mbi vete pluhurin e përvojës së tyre.
Po kështu, poezia sjell zakone dhe pamje të njohura nga jeta kolektive:
“Të shtënat e dasmave kanë mbetur si bishta të luftërave të ikura” dhe
“Përshëndetja me krisma e lindjes së fëmijëve”.
Këto vargje mbartin jehonën e një bote reale, ku gëzimi dhe dhuna kanë jetuar pranë
njëri-tjetrit. Krismat nuk janë vetëm tinguj. Ato duken sikur ecin ende nëpër kujtesën e shoqërisë, si udhëtarë të vonuar që nuk kanë gjetur ende prehje.
Edhe reflektimi mbi fitoren lind nga një përvojë krejt njerëzore:
“Njerëzit zor ta kuptojnë fitoren, / pa parë me sytë e tyre çfarë kanë vënë nën gjunjë.”
Ky është një mendim krejt njerëzor. Brenda tij dëgjohen jehona pushtimesh, triumfesh dhe humbjesh, sikur shekujt të kenë lënë gjurmët e tyre mbi këtë varg.
Në poezi, realja nuk është sfond i heshtur, ajo ndërton kuptimin. Historia, gjeografia dhe zakonet njerëzore nuk qëndrojnë të palëvizshme. Ato lëvizin nëpër tekst si banorë të një perandorie të vogël, secili duke sjellë kujtesën dhe peshën e vet. Aleksandri i Madh vjen nga largësia e historisë, Himalaja nga largësia e hapësirës, ndërsa krismat e dasmave dhe të lindjeve vijnë nga afërsia e jetës së përditshme. Të gjitha bashkohen në të njëjtin varg dhe krijojnë një truall të dendur realiteti.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye poetja zgjedh emra, vende dhe përvoja që i njohim. Ëndrra ka nevojë për një tokë ku të mbështetet. Edhe fluturimi më i guximshëm nis nga një pikë e prekshme. Përpara se uni lirik të arrijë të thotë:
“Unë vë në gjunjë Himalajën. / E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem”,
poezia na ka bërë të ndiejmë peshën e maleve, jehonën e historisë dhe frymëmarrjen e jetës njerëzore. Vetëm atëherë bëhet e mundur që e largëta të afrohet dhe e pamundura të duket e natyrshme.
Realja këtu nuk është thjesht pika e nisjes së realizmit magjik; ajo është themeli i tij. Ashtu si trumbeta nuk mund të lëshojë tingull pa ajrin që kalon nëpër të, edhe magjikja nuk do të kishte forcë pa këtë botë konkrete. Historia, malet, zakonet dhe përvoja njerëzore janë ajri i kësaj trumbete poetike. Pikërisht prej tyre lind ajo jehonë e veçantë që më pas do ta çojë poezinë drejt hapësirave ku realja dhe magjikja ecin krah njëra-tjetrës pa e mohuar asnjëherë njëra-tjetrën.
2. Në këtë poezi, magjikja nuk vjen nga jashtë realitetit. Ajo lind brenda tij, si shkëlqimi I një damari mineral ari në thellësinë e një miniere bakri. Prandaj nuk shfaqet me bujë. Ai hyn në varg me një natyrshmëri të tillë, sa lexuesi e pranon pa e vënë në dyshim. Kjo është një nga bukuritë e poezisë: magjikja nuk troket në derë, por hyn qetësisht dhe ulet pranë reales.
Që në fillim, hapësirat humbasin ngurtësinë e tyre të zakonshme:
“Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat.
Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë.”
Bota nuk paraqitet më si një hartë me kufij të palëvizshëm, ajo fillon të marrë frymë sipas ritmit të imagjinatës poetike. Largësitë zbuten, kufijtë bëhen më të përshkueshëm dhe ajo që dukej e paarritshme afrohet dalëngadalë drejt njeriut. Kjo është një magji afërsie, jo pushteti.
Në qendër të saj qëndron uni lirik me “perandorinë e vogël” të tij. Vetë kjo figurë mbart një paradoks: perandoria të kujton madhështinë, ndërsa mbiemri e vogël e sjell menjëherë në përmasën njerëzore. Është sikur poetja të ndërtojë një mbretëri ku sundimi matet me afërsinë, jo me territore. Dhe kur thotë: “Perandoria ime e vogël. Të dua si një lodër pa fund,” fjala “lodër” hap një dritare tjetër kuptimi. Ajo sjell atë sinqeritet të hershëm që fëmija ruan përballë botës. Në atë moshë askush nuk pyet nëse një gjë është e mundur apo jo. Mjafton ta duash që ajo të bëhet pjesë e universit tënd. Pikërisht diçka nga ky besim i pastër duket se mbijeton edhe te uni lirik.
Ndoshta për këtë arsye Himalaja hyn në poezi pa peshën e zakonshme të largësisë së saj. Ajo nuk afrohet si trofe dhe as si shenjë pushteti, ajo afrohet si një dëshirë. Si një majë e bardhë që prej kohësh ka zënë vend në horizontin e shpirtit. Dalëngadalë humbet largësinë e saj gjeografike dhe fillon të bëhet pjesë e peizazhit të brendshëm të poetes, ashtu si një yll që pasqyrohet në ujë dhe papritur duket sikur ai del nga thellësia e ujit.
Një nga vargjet më të çuditshme dhe më domethënëse të poezisë është:“Një kufizim i vërtetë fantazie.”
Në pamje të parë duket si kundërthënie. Fantazia zakonisht lidhet me lirinë, jo me kufizimin. Por këtu poetja prek një të vërtetë: edhe imagjinata ka nevojë për një pikë mbështetjeje. Edhe fluturimi më i lirë ka nevojë për tokën nga ku ngrihet. Prandaj fantazia nuk endet pa cak. Ajo zgjedh një majë mali, zgjedh Himalajën, zgjedh një ëndërr konkrete. Në këtë mënyrë, kufizimi nuk e varfëron imagjinatën; përkundrazi, i jep formë dhe drejtim.
Magjikja bëhet edhe më e dukshme kur poetja flet për ëndrrat:
“Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,
që del nga bisedat e mia të përditshme.
Të gjitha ëndrrat dalin si tinguj trumbete.”
Ëndrrat nuk mbeten më të mbyllura në botën e brendshme. Ato marrin zë. Dalin nga vetja e njeriut dhe hyjnë në hapësirën e përditshme. Trumbeta bëhet si një lajmëtare e padukshme që mbledh frymën e ëndrrave dhe e shpërndan nëpër botë. Është sikur ëndrrat të kenë fituar këmbë për të ecur dhe zë për të folur Dhe pikërisht kjo mungesë habie është një nga shenjat më të qarta të realizmit magjik.
Kulmi vjen në fund të poezisë:
“Unë vë në gjunjë Himalajën.
E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.”
Fjala qetësohem ndryshon krejt kuptimin e skenës. Nuk është qetësia e pushtuesit pas betejës, është qetësia e njeriut që ka arritur të pajtojë largësitë brenda vetes. Himalaja nuk mposhtet; ajo afrohet. Korabi dhe Tomorri nuk zmadhohen; ata hapen për ta pranuar atë. Është sikur tre male, të lindura në horizonte të ndryshme, të takohen në të njëjtën hapësirë shpirtërore dhe të njohin njëri-tjetrin.
3. Magjikja te kjo poezi nuk është shtresë mbi realitetin dhe as efekt stilistik. Ajo lind në mënyrën si poetja e sheh botën. Prandaj, për ta kuptuar burimin e saj, duhet të ndalemi te Uni poetik, aty ku fillon çdo zhvendosje e kufijve midis reales dhe imagjinatës.
Në këtë poezi, realizmi magjik nuk buron nga struktura të gatshme mitike, legjendare apo folklorike, dhe as histori kolonizuese si realizmi magjik latino amerikan. A lind nga vetë mënyra e perceptimit të botës nga Uni poetik. Nuk qëndron si shtresë e vendosur mbi realitetin, as si zbukurim i jashtëm stilistik, por lind si një dridhje e brendshme e vetëdijes krijuese, e cila e përkul dhe riformëson realitetin sipas intensitetit të përjetimit subjektiv. Në qendër të ligjërimit vendoset një subjekt që nuk e shikon botën nga distanca, por e përfshin atë brenda një hapësire intime, ku kufijtë fillojnë të zbuten, si vijat e një harte që lagen nga shiu.
Qysh në shenjën e parë të ligjërimit, “uni” nuk paraqitet si vëzhgues i jashtëm, por si qendër vepruese e botës së tij: “Unë dhe perandoria ime e vogël”.
Kjo nuk është thjesht një figurë intime, por një mënyrë e të menduarit. Uni nuk e përshkruan botën, ai e përfshin atë brenda një hapësire personale ku përmasat nuk janë të dhëna. Pikërisht këtu fillon të formohet ajo zonë ku realja dhe imagjinata nuk ndahen më prerë.
Në këtë hapësirë, uni nuk e pranon botën si të përfunduar. Ai e prek, e rishkruan, e afron. Kur thotë:
“Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat.
Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë,”
nuk kemi një akt logjik, por është një përvetësim shpirtëro. Bota nuk trajtohet si strukturë e pandryshueshme, por si një material që merr formë sipas intensitetit të dëshirës. Himalaja këtu nuk është më thjesht gjeografi; ajo kthehet në një pikë afërsie të imagjinatës, në një majë që zbret drejt vetëdijes së subjektit.
Ky raport me botën është një marrëdhënie afruese, thuajse intime. Uni nuk kërkon ta dominojë realitetin, por ta sjellë atë në përmasën e tij të përjetimit. Dhe në këtë përmasë, edhe gjërat më të mëdha humbin distancën e tyre dhe bëhen të prekshme.
Kjo ndjeshmëri lidhet ngushtë me sinqeritetin fëminor. Në marrëdhënien e saj me poezinë, shohim se Natasha Lako shfaqet e sinqertë. Shfaq atë lloj besimi të pastër që nuk pyet nëse bota është e mundur apo e pamundur, por e merr atë si të hapur ndaj krijimit. Pikërisht në këtë besim qëndron një nga burimet më të rëndësishme të magjikes.
Kur thuhet: “Perandoria ime e vogël. Të dua si një lodër pa fund,” këtu “lodra” nuk është thjesht figurë, por një mënyrë për ta parë botën si të lëvizshme Në këtë hapësirë, kufijtë nuk janë pengesa, por gjendje të përkohshme të imagjinatës. Uni nuk i shkel ato; ai i zbut, i afron, i bën të përshkueshëm.
Një nga momentet më domethënëse të kësaj logjike të brendshme është edhe vargu: “Një kufizim i vërtetë fantazie.”
Këtu shfaqet një paradoks. Fantazia nuk paraqitet si pafundësi e pakontrolluar, por si një forcë që merr formë pikërisht përmes përqendrimit. Uni nuk shpërndahet në të paanën, por zgjedh pika konkrete: male, emra, figura historike. Dhe nëpërmjet këtyre pikave, imagjinata fiton peshë dhe besueshmëri poetike.
Edhe historia bëhet pjesë e këtij përvetësimi të brendshëm. Aleksandri i Madh nuk mbetet figurë e ngrirë e së shkuarës, por shndërrohet në pikë krahasimi që e thekson më shumë përmasën e aktit imagjinativ. E madhja historike nuk mohohet; ajo përthithet dhe rikontekstualizohet brenda përjetimit personal.
Në këtë mënyrë, edhe natyra fillon të sillet si pjesë e një hapësire të gjallë shpirtërore. Himalaja nuk qëndron larg, por afrohet në mënyrë të padukshme; Korabi dhe Tomorri nuk janë më vetëm male, por bëhen pika takimi mes kujtesës dhe dëshirës. Është sikur peizazhi të ketë hyrë në një marrëdhënie të re me vetëdijen që e shikon.
Ky proces shkon deri në një pikë ku edhe ëndrrat fitojnë ekzistencë të dukshme: “Të gjitha ëndrrat dalin si tinguj trumbete.”
Ëndrra nuk mbetet më e mbyllur brenda subjektit. Ajo merr zë, del jashtë dhe bëhet e dëgjueshme. Trumbeta këtu nuk është thjesht instrument, por një formë e materializuar e imagjinatës. Ajo e kthen të padukshmen në tingull dhe e bën të brendshmen të qarkullojë në hapësirën e përbashkët.
Këtu shihet e qartë se magjikja nuk buron nga ndonjë mekanizëm i jashtëm poetik, por nga mënyra si Uni poetik e përthyen botën. Ai nuk e përshkruan realitetin, por e zgjeron atë në përmasën e vet shpirtërore, duke e bërë të përkulshëm ndaj imagjinatës dhe ndjeshmërisë.
Magjikja në këtë poezi është rezultat i një vetëdijeje që nuk i ndan kufijtë mes reales dhe ëndrrës, por i vendos ato në komunikim të vazhdueshëm. Në këtë hapësirë të përbashkët, bota nuk humbet formën e saj, por fiton një afërsi tjetër: më njerëzore, më të brendshme, më të prekshme. Dhe aty, në këtë afrim të heshtur, Himalaja mund të ulet pranë Korabit pa e humbur madhështinë e saj, por duke fituar një vend në kujtesën intime të poetit.
4. Në këtë poezi, realja dhe magjikja nuk qëndrojnë të ndara. Ato rrjedhin brenda njëra-tjetrës. Realja nuk prishet, por zbutet; magjikja nuk imponohet, por lind si vazhdim i saj.
Që në fillim, uni poetik e hap këtë hapësirë të përbashkët:“Unë dhe perandoria ime e vogël” Këtu realja ende duket e njohur, intime, njerëzore. Por menjëherë ajo fillon të marrë frymëmarrje tjetër. Nuk mbetet e mbyllur në përmasën e zakonshme të përditshmërisë. Kjo përthyerje bëhet më e dukshme kur hapësirat humbasin ngurtësinë e tyre:
“Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat.
Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë.”
Figura historike, mali, hapësira- të gjitha janë elemente reale, të njohura, por mënyra si trajtohen i zhvendos nga logjika e zakonshme. Bota nuk përshkruhet më; ajo riformohet nga brenda. Sikur vetë realiteti të zbutet e përpunohet nën dorën e imagjinatës.
Në këtë pikë, ndërthurja ndodh pa zhurmë. Realja nuk largohet; ajo vetëm ndryshon mënyrën e ekzistencës. Himalaja mbetet Himalajë, por njëkohësisht bëhet e afërt, e prekshme në përmasën e dëshirës. Ajo nuk qëndron më si largësi gjeografike, por si afërsi shpirtërore.
Edhe përditshmëria nuk mbetet jashtë kësaj lëvizjeje, ajo fillon të tingëllojë ndryshe:
“Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,
që del nga bisedat e mia të përditshme.”
Nga një fjali e zakonshme lind një tingull që nuk i përket më vetëm realitetit. Është sikur e zakonshmja të ketë brenda saj një jehonë tjetër, që zgjohet vetëm kur preket nga imagjinata. Trumbeta nuk vjen nga jashtë botës; ajo del prej saj, si një frymëmarrje e fshehur që bëhet e dëgjueshme.
Kështu, realja e magjikja fillojnë të jetojnë në të njëjtin qark. Njëra nuk e mohon tjetrën; përkundrazi, e vazhdon. Realja jep materialin e parë, ndërsa magjikja e kthen atë në përjetim të zgjeruar.
Kulmi i kësaj ndërthurjeje vjen në vargun:“Unë vë në gjunjë Himalajën./E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.”ku kufijtë nuk thyhen, por zbuten deri në zhdukje. Nuk kemi më përplasje mes të mundshmes dhe të pamundshmes. Kemi një kalim të natyrshëm nga një përmasë në tjetrën, si një rrëshqitje e qetë e botës në brendësi të unit
Në këtë mënyrë, poezia krijon një hapësirë ku realja nuk është më e ngurtë dhe magjikja nuk është e huaj. Ato bëhen dy mënyra të së njëjtës frymëmarrje poetike. Dhe pikërisht në këtë bashkëjetesë të heshtur qëndron forca e poezisë: aftësia për ta bërë të largëtën të ndjehet pranë dhe të zakonshmen të duket e hapur ndaj pafundësisë.
5. Në këtë poezi, realizmi magjik nuk qëndron i vetëm dhe as nuk e merr rolin qendror. Ai është më shumë një rrjedhë e qetë që kalon mes shtresave të tjera të ligjërimit modernist, duke i zbutur kufijtë e tyre dhe duke i bërë më të përshkueshme. Pikërisht në këtë bashkëjetesë, poezia fiton një pasuri të veçantë: nuk mbështetet në një rrymë të vetme, por në një ndërthurje ndjeshmërish që e mbajnë të gjallë dhe të lëvizshme.
Një nga shtresat më të dukshme është ajo simboliste. Figurë si Himalaja, Korabi, Tomorri apo edhe vetë “perandoria e vogël” nuk janë thjesht emërtime, por bartin peshë të brendshme kuptimore. Ata nuk qëndrojnë si objekte reale, por si shenja që hapen drejt diçkaje më të madhe se vetvetja. Në këtë sens, realizmi magjik nuk i zëvendëson simbolet, por i bën ato të lëvizin, t’i afrohen jetës së brendshme të unit poetik.
Nga ana tjetër, ndihet edhe një frymë moderniste introspektive, ku gjithçka kalon përmes filtrit të vetëdijes. Uni nuk është thjesht tregues i ngjarjeve, por një hapësirë ku ngjarjet rindërtohen. Ai nuk e pasqyron botën; e përthyen atë. Dhe në këtë përthyerje, realizmi magjik i butë e ndihmon tekstin të mos bjerë në thatësi konceptuale, por ta mbajë gjithmonë një dridhje të brendshme emocionale.
Këtu qëndron edhe një nga fitimet më të rëndësishme të poezisë: ajo nuk bëhet as thjesht simboliste, as thjesht moderniste refleksive. Ajo mbetet në gjendje ndërmjetëse, ku çdo rrymë e pasuron tjetrën pa e dominuar.
Realizmi magjik, në këtë kontekst, nuk është shtresa më e fortë, por shtresa më e butë. Ai nuk e imponon veten, por e zbut realitetin modernist, i cili shpesh mund të jetë i mbyllur në vetëanalizë. Ai e hap atë drejt një hapësire më të lirë, ku imagjinata nuk është arratisje, por mënyrë e të menduarit.
Prandaj edhe vargje si:“Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat./Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë,” nuk mbeten në nivelin e një metafore të vetme, por bëhen pikë takimi mes historisë, simbolit dhe imagjinatës moderne. Aleksandri i Madh sjell hijen e epikës historike, ndërsa Himalaja shndërrohet në një simbol që nuk rri i ngurtë, por hyn në qarkullim të brendshëm emocional.
Kjo bashkëjetesë rrymash e bën poezinë të ngjajë me një peizazh të shtresëzuar, ku çdo element nuk e mbulon tjetrin, por e ndriçon nga një kënd tjetër. Simboli bëhet më i gjallë, introspeksioni më pak i mbyllur, ndërsa realizmi magjik i butë i jep gjithçkaje një frymëmarrje të lirë.
Në këtë hapësirë, edhe përditshmëria moderniste nuk mbetet e rëndë apo e ftohtë:“Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,/që del nga bisedat e mia të përditshme.” ku ndërthuren tre shtresa: e përditshmja reale, ndjeshmëria simbolike e tingullit dhe hapja magjike e ëndrrës. Asnjëra nuk e anulon tjetrën. Përkundrazi, ato krijojnë një rezonancë të përbashkët, ku fjala e zakonshme fillon të ketë jehonë më të thellë sesa kuptimi i saj fillestar.
Në fund, kjo ndërthurje i jep poezisë një cilësi të veçantë: ajo nuk ngurtësohet në një rrymë të vetme estetike. Realizmi magjik i butë e mban të hapur, simbolizmi i jep thellësi, ndërsa modernizmi introspektiv i jep vetëdije. Dhe midis tyre, uni poetik lëviz si një dritë e qetë që i lidh të gjitha pa i shpjeguar.
Prandaj kulmi:“Unë vë në gjunjë Himalajën./E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.”
nuk lexohet vetëm si figurë magjike, por si pikë bashkimi e gjithë këtyre shtresave: simboli bëhet i prekshëm, historia bëhet e përkulshme, ndërsa imagjinata moderne gjen një formë ku mund të marrë frymë pa kufizim.
Në këtë mënyrë, poezia fiton jo një qendër të vetme, por një lëvizje të brendshme. Dhe kjo lëvizje është ajo që e mban të gjallë: një realitet që mendon, një simbol që merr frymë dhe një magji e butë që nuk e ndryshon botën me forcë, por e bën atë më të hapur ndaj përjetimit njerëzor.
Sarandë, tetor 2026- qershsor 2026
Unë dhe perandoria ime e vogël
Unë dhe perandoria ime e vogël
Perandoria ime e vogël. Të dua si një lodër pa fund.
Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat.
Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë.
Njerëzit zakonisht lakmojnë diçka që e dinë,
ashtu si mbretëresha e Spanjës, që kur kërkonte kontinentin,
pati ëndërruar floririn.
Unë ëndërroj një majë mali me borë të përjetshme.
Një kufizim i vërtetë fantazie.
Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,
që del nga bisedat e mia të përditshme.
Të gjitha ëndrrat dalin si tinguj trumbete.
Të shtënat e dasmave kanë mbetur si bishta të luftërave të ikura.
Përshëndetja me krisma e lindjes së fëmijëve,
lind si gëzim për prenë e së nesërmes.
Njerëzit zor ta kuptojnë fitoren,
pa parë me sytë e tyre çfarë kanë vënë nën gjunjë.
Unë vë në gjunjë Himalajën.
E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.