Kujtime për Heroin e Popullit Dino Kalenja-Gjon Banushi

Gjon BANUSHI, ish – komisar i Grupit III Partizan të Mallakastrës

Njohja me Dino Kalenja

Sapo kishte përfunduar operacioni fashist i korrikut 1943 në Mallakastër kur u vumë në dijeni nga Qarkori për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe me urdhërin e atij Shtabi për krijimin e Brigadës I Sulmuese e caktimin e Mehmet Shehut si komandant të saj. Të dyja i pritëm me shumë gëzim e emocion. Ato ditë në Mallakastër erdhi edhe sekretari politik i Qarkorit Vlorë-Gjirokastër, Hysni Kapo dhe bashkë me Mehmet Shehun organizuan në Çorrush një takim me drejtuesit politik e ushtarak në krahinë si Bilbil Klosi, Nuredin Aliu, Dervish Hekali, Gjon Banushi, Qemal Klosi, Zenel Hekali, Ferik Hado, Hasan Alimerko, Vllas Arapi, Fejzo Gjomema, Shefqet Hekali, Hajdar Aranitasi, Qamil Hamzo, Shefit Fetiu, Mynyr Xhindi, Aranit Çela, Axhem Abazi, Kalo Brahimi, etj.

Objekti i takimit ishte analiza e thellë e gjendjes së krijuar mbas operacionit fashist dhe mbi bazën e saj u lanë shumë detyra për të përballuar këtë situatë sa më shpejt duke i qëndruar popullit në krahë. Gjithashtu të bëheshin takime me popullin për demaskimin e Organizatës së Ballit Kombëtar dhe krerët e saj, që bashkëpunuan hapur me ushtrinë fashiste në përleshje me forcat partizane, dhe jo vetëm kaq po me urën e zjarrit në dorë dogjën e plaçkitën shtëpitë e pasurinë e fshatarëve, ekzekutuan burra e gra, pleq e fëmijë të pafajshëm. Detyrë urgjente ishte edhe përzgjedhja e 100 partizanëve që do shkonin bashkë me Mehmet Shehun në Brigadën I Sulmuese dhe paralelisht me të intensifikimi i punës propagandistike për mobilizimin e sa më shumë të rinjve në rreshtat partizane.

Para se ndaheshim Mehmet Shehu na tha: “Si Qarkor u kemi kërkuar shokëve të Tiranës që të dërgojnë në Mallakastër Dino Bektashin nga Kalenja. E ka kaluar provën e luftës në Tiranë. Është i shkolluar dhe i përgatitur nga ana politike e ushtarake. Është njeri i aksioneve. Ka qenë drejtues në njësitet guerile dhe aktualisht partizan në çetën e Pezës, ku dhe është plagosur dy herë. Ishte ai organizatori i aksionit për nxjerrjen nga burgu të Zenel Shehut dhe shumë t burgosurve te tjerë politik, prandaj Qarkori e ka caktuar komandant të Komandës së Vendit për krahinën e Mallakastrës”. Për Dinon deri në atë kohë dija vetëm që ishte në Tiranë dhe i aktivizuar me lëvizjen. Kurse në Kalenjë, në shtëpinë e babai të tij, xha Bektashit, shkoja shpesh se ishte kryetar i këshillit nacionalçlirimtar në fshat dhe anëtar i këshillit krahinor, kurse nënë Hatemja ishte anëtare e organizatës së gruas antifashiste në fshat. Djali, Xheviti ishte anëtar i komitetit të rinisë antifashiste për krahinën, kurse vajza, Havaja ishte anëtare e organizatës së pionierëve antifashist.

Motoja e xha Bektashit ishte: “Të gjithë në luftë e gjithçka për luftën çlirimtare”. Dhe këtë e vuri vetë i pari në jetë. I gjithë fisi Duraj u përfshi në LANÇ. Xhafua ishte komandanti i çetës territorial të fshatit, Sabriu, Abazi, Zylua e Llania anëtar të çetës. Kurse Sinani, Demua, Qerimi, Qemali, Lulua e Rrapua u hodhen në rreshtat partizane. Dhe jo vetëm kaq, po të gjitha shtëpitë i kthyen në baza të luftës ku strehoheshin jo vetëm partizanë e drejtues të luftës në krahinë, por edhe drejtuesit e Qarkorit të Partisë dhe Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, kur vinin në Mallakastër. Interesimit tonë për më shumë informacion për Dinon i dha përgjigje Zenel Shehu, Dervish Hekali dhe Bilbil Klosi që na folën me konsideratë më të lartë për Dinon, duke e përshkruar si djalë shumë inteligjent, të etur për dituri dhe me shumë vullnet. Sapo kishte shkuar në Itali për të kryer shërbimin ushtarak, ishte regjistruar në liceun francez të Romës dhe kishte shlyer provimet e lirimit të papërfunduara në liceun e Korçës, për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Më vonë ishte regjistruar në universitet për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në katedrën e gjuhës frënge dhe me vullnetin e pasionin që e karakterizonte përfundoi me rezultate të larta dy vitet e para. Gjithashtu Dervish Hekali na fliste me shumë admirim për Dinon, si një prej drejtuesve kryesor të njësiteve guerile të Tiranës.

Mbas çlirimit e në vazhdim, për aktivitetin e Dinos si drejtues në njësitet guerile të Tiranës, takimet e tij të shpeshta me Gogo Nushin, Beqir Balluku dhe shumë udhëheqës të tjerë kryesor të PKSH, por edhe për organizimin e njësiteve guerile jo vetëm në xhandarmërinë e Tiranës, por edhe në shumë qytete të tjera: si në Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Fier, Vlorë, etj., më kanë folur me superlativa bashkëluftëtarët e tij Qamil Poda, Adnan Qatipi, Lym Keta, Skënder Konica, Skënder Kosova etj. Si partizan në çetën e Pezës, ku u bë shok me Babë Myslymin, Kajo Karafilin, Maliq Muçon e shumë të tjerë, me kane folur Sali Verdha, Mahmut Agolli, Sherbet Karuli, Josif Zegali e shumë shok të tjerë.

Komandant i Komandës së Vendit për Mallakastrën

Ditët e para të gushtit erdhi Dinua në Mallakastër. Me ta marrë vesh Dervish Hekali, shkoi që të nesërmen në Kalenjë për ta takuar dhe mbas dy ditësh edhe Bilbil Klosi me Qemal Klosin. Ata e kishin vënë në dijeni për krijimin e batalionit “Ismail Klosi” dhe caktimin e Dervish Hekalit si komandant dhe Qemal Klosit si komisar. Gjithashtu edhe me vendimin e Qarkorit të Partisë Vlorë-Gjirokastër që ai ishte caktuar komandant i Komandës së Vendit për krahinën e Mallakastrës, me qendër në Ballsh. E kishin lënë që të takoheshin përsëri së shpejti, për ta njohur me shokët e tjerë, por edhe me situatën e rëndë në Mallakastër dhe masat që parashikoheshin të merreshin për kapërcimin e tyre. Mbas disa ditësh nëpërmjet korrierit, Dinua u lajmërua që takimi do bëhej në Hekal. U la në Hekal, se ai fshat ishte baza jonë më e fuqishme e që mbante peshën kryesore të luftës në krahinë. Atje ishte vend-komanda e luftës, aty mblidhej celula e partisë dhe këshilli nacionalçlirimtar krahinor dhe kishte qendrën batalioni “Ismail Klosi”.

Në datën e orën e caktuar erdhi i shoqëruar nga shoku i tij i ngushte Ali Dino Shehu nga Kashi. Aliu ishte sekretar i këshillit nacionalçlirimtar e komandant i çetës territorial në fshat dhe për ketë veprimtari fashistët i ekzekutuan babanë dhe xhaxhanë Hamit Hajro. Takimi u bë në shtëpinë e Eqerem Qamilit, një nga bazat tona më të rëndësishme. Ishin disa nga drejtuesit politik e ushtarak që vepronin në Mallakastër: si Bilbil Klosi, Gjon Banushi, Zenel Hekali, Qemal Klosi, Dervish Hekali, Hajdar Aranitasi, Shefqet Hekali, Islam Sadiku, Shefit Fetiu, si dhe Nuredin Aliu kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar për krahinën e Mallakastrës. Kur Dinua u fut në dhomën ku po qëndronim, pamë një djalë të gjatë e me trup sportiv, të bukur, me një fytyrë të qeshur dhe me sytë që i shkëlqenin, i veshur partizan, me një çantë lëkure hedhur krahëqafë dhe kapelën me yll të kuq. Me grushtin lart dhe me zërin kumbues na u drejtua me “Vdekje Fashizmit”. Edhe ne të gjithë u ngritëm në këmbë e me grushtin lart ju përgjigjem “Liri Popullit”. Pasi na hodhi një shikim, u afrua dhe buzëgaz na përqafoi miqësisht e me shumë ngrohtësi të gjithëve. Gjithë emocion ishte takimi me mësuesin e tij Zenel Shehu duke u hedhur në krahët e njeri-tjetrit, shoqëruar me shprehje e gjeste që shprehnin shumë dashuri, mall e respekt për njeri-tjetrin.

Dinon e pritëm si komandant të Komandës së Vendit për krahinën e Mallakastrës, një strukturë ushtarake dhe i vetmi pushtet partizan për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në zonat e çliruara. Organizimi dhe veprimtaria e asaj komande bëhej në bazë të urdhrit dhe rregullores: “Për organizimin e pushtetit ushtarak në prapavijat e UNÇSH”. Këshilli Nacionalçlirimtar i krahinës dhe komanda e vendit përbënin autoritetin kryesor të pushtetit në Mallakastër, ndërsa batalioni “Ismail Klosi” ishte krahu i armatosur i atij pushteti. Në vazhdim, sipas rendit të ditës, diskutuam për problemet me të cilat po përballeshim në krahinë pas operacionit fashist të korrikut dhe masat urgjente që duheshin marrë për kapërcimin e gjendjes së rëndë, sidomos për të minimizuar dëmet e mëdha të shkaktuara nga fashistët italian dhe sidomos nga bandat e Isa Toskës dhe për t’u ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara më shumë. Si detyrë parësore shikonim vendosjen e rregullit dhe qetësisë në krahinë. Dinua i ndiqte me shumë interes diskutimet e propozimet e shokëve dhe mbante shënime në bllokun e tij. Mbas takimit pjesëmarrësit u larguan ne baza të tjera dhe disa në zonat ku operonin, kurse Dinon, Bilbili, Qemal Klosi, Nuredin Aliu, Ali Shehu dhe Gjon Banushi na mbajti për darkë Eqerem Qamili, vëllai i Zenel Shehut.

Brenda pak ditëve Dinua shkoi fshat më fshat dhe organizoi takime me kryetarët e Këshillave Nacionalçlirimtare, komandantët e çetave vullnetare dhe përgjegjësit e rinise antifashiste. Gjithashtu takoi edhe komandantët e formacioneve territoriale të organizuara në batalione si Qamil Manen, Hysen Zeqon, Zenel Manen, Refat Rexhepin, Meçan Hajdarin etj. Me formimin politik, ideologjik e ushtarak që kishte, por edhe me ato cilësitë individuale: si thjeshtësinë, dashamirësinë, gojëtarinë, fjalët e ngrohta e bindëse, u bë i dashur dhe u mirëprit krahëhapur në çdo fshat e shtëpi. Objektivi ishte garantimi i rendit e qetësisë, organizimi i shërbimit të rojeve partizane në bazë fshati, zbulimi e demaskimi i elementeve të kolonës së pestë që vepronin kundër LANÇ, ndihmën ndaj popullsisë të dëmtuar nga lufta, pajtimin e gjaqeve dhe zgjidhjen e konflikteve etj.

E pashkëputur nga kjo ishte edhe riorganizimi e fuqizimi i këshillave nacuonalçlirimtare dhe mobilizimi i popullit e në veçanti i të rinjve për të mbështetur luftën për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtoreve të tyre ballist. Është meritë e padiskutueshme e Dinos që nga çdo fshat dolën me dhjetëra djem e vajza vullnetare për në rreshtat partizane. Dinua përveç të tjerave organizoi edhe forcat e komandës së vendit në Ballsh, Cakran, Fratar dhe Ngracan me partizane me eksperiencë në luftë, që kishin bërë shërbimin ushtarak ose kishin shërbyer në xhandarmëri dhe me autoritet në popull. Mbështetje të veçantë për realizimin e kësaj detyre pati nga Eqerem Qamili, Tetem Isufi, Tefik Osmani, Ali Shehu, Hakil Rushiti, Sefer Malo, Gjysho Shehu etj.

Komisari i batalionit partizan “Ismail Klosi”

Më 20 tetor 1943 në Çorrush u formua Grupi III Partizan i Mallakastrës dhe Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, e caktoi Dinon komisar të batalionit “Ismail Klosi” e anëtar të shtabit të grupit. Si komisar Dinua mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Fratar, Patos, Hekal, Gllavë, Kiçok, por edhe në Trembeshin, Çajup e Kurvelesh etj., kur Grupi III Partizan doli nga rrethimi gjatë operacionit të dimrit 1943-1944 në Mallakastër. Atje spikatën aftësitë e tij në komandim e drejtim, për vlerësimin e situatave me intuitë, maturi e pjekuri, për shpejtësinë në marrjen e vendimeve dhe si trim mbi trima gjithmonë i pari në çdo aksion e betejë. Për nivelin e lartë kulturor e intelektual, aftësitë komunikuese e bindëse, por edhe si drejtues e komandues i talentuar, celula e partisë dhe komanda e Grupit III Partizan vendosën që kur të riorganizohej Grupi në fillim të prillit 1944, Dinua të caktohej zëvendëskomisar i Grupit. Për këtë informuam dhe morëm edhe miratimin nga Komanda e Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Po rënia e tij më 29 mars 1944 në betejën për çlirimin e Kalasë se Margëlliçit, bashkë me Mustafa Matohitin, Meleq Gosnishtin, Lefer Talon dhe 17 partizanevë të tjerë, nuk ia mundësuan marrjen e asaj detyre. Një ditë mbas rënies se tij, më 30 mars 1944, batalioni i dytë në Grupin III të Mallakastrës mori emrin “Dino Kalenja” si vlerësimi më i madh që i bëhej kontributit të tij në luftë, por edhe për ta kthyer atë në simbol të luftës për liri.

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH gati shtatëdhjetë përqind e efektivit të batalionit “Dino Kalenja” që nga 20 maj 1944, u bë pjesë e Brigadës III Sulmuese. Në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada që nga Përmeti e deri në Kosovë për çlirimin e Junikut, Deçanit, Gjakovës, Pejës, Mitrovicës e Sanxhakut, partizanët mallakastriotë të drejtuar nga Ali Shehu e Tajar Asllani, ishin gjithmonë në vijën e parë të luftës dhe u dalluan për akte trimërie, sakrifice e vetëmohimi. Në atë brigadë ishin në funksione komanduese Qamil Poda, Lym Keta, Adnan Qatipi e shumë shokë të tjerë të cilët u gëzuan e u ndjenë krenarë që partizanët e ardhur nga Mallakastra ishin pjesëtarë të batalionit “Dino Kalenja” të shokut të tyre të njësiteve guerile të Tiranës dhe të çetës së Pezës.

Këto ishin cilësitë individuale, aftësitë dhe talenti si drejtues e komandues, si ushtarak të Dinos, që nga ardhja në Mallakastër e deri sa ra në altarin e lirisë… Për komisarin Dino Kalenja kam shkruar me hollësi në librin “Mallakastra në flakë luftoi”, si dhe në gazetat “Zëri i Popullit”, “Luftëtari”, “Kushtrim Brezash” e “Kombi”.