Kulla e Lufit dhe njerëzit e saj, më e famshmja në Mirditë dhe një nga kullat më të famshme në Shqipëri-Lin Kiku

Lin Kiku

Ngjarja më e bujshme në 150 vitet e fundit të historisë së Mirditës, është pa dyshim ngjarja e dhimshme dhe e trishtueshme e ndodhur në fundin e tetorit të vitit 1915 në fshatin Lufaj. Një çetë e tërë me ushtarë vdiq duke u djegur përsëgjalli në një kullë të këtij fshati. Në burime gojore është përcjellë nga brezi në brez ndodhia e kësaj ngjarjeje, por në burime zyrtare nuk është përmendur kurrë, as në letërkëmbime dhe as në artikujt apo librat që janë botuar nga periudha e asaj ngjarjeje e në vazhdim. Si dhe pse ndodhi kjo tragjedi e rëndë, që shkaktoi një numër të lartë viktimash? Kush ishin fajtorët që nxitën dhe fshihen pas kësaj ndodhie? Kush ishte familja që qëllimisht u përfshi në këtë tragjedi, dhe historiku i mëvonshëm i saj?

Në vjeshtën e vitit 1915, Mirdita, pati një nga periudhat më të vështira të historisë së saj. Forca të shumta të ushtrisë serbe në koordinim me forcat ushtarake të drejtuara nga Esad Pashë Toptani, mësynë krejt krahinën e Mirditës, duke bërë masakra të panumërta mbi popullsinë civile të zonës. Kanë vrarë, djegur dhe plaçkitur çfarë j’u ka dalë përpara. Janë me dhjetra shtëpi dhe kulla që janë djegur dhe shkrumbuar nga këto forca pushtuese.

Ekziston një dëshmi që e përshkruan në këtë mënyrë depërtimin e serbëve dhe të forcave të Esad pashë Toptanit në Mirditë në shtator dhe tetor 1915, që i vjen nga Shkodra baronit Count de Salis në Cetinjë në datën 17 tetor 1915: “Rreth një muaj më parë serbët depërtuan në Orosh, që është distrikti më i rëndësishëm i Mirditës, dhe pushtuan Oroshin, kryeqendrën me të njëjtin emër, e cila është rezidencë e Preng Bib Dodës dhe rezidenca edhe e abatit Prend Doçi, shefit shpirtëror të Mirditës. Abati në këtë kohë gjendej në Shkodër, ku kishte gjetur strehim dhe kështu populli i Oroshit u dorëzoi armët e tyre serbëve, të cilëve u kërkuan mbrojtje kundër Esad pashës, forcat e të cilit ndërkohë kishin hyrë në Mirditë”…( botuar nga Prof. dr. Romeo GURAKUQI në librin Shqipëria dhe Shkodra në periudhën gusht 1914 shkurt 1916). Shumë burrave që kanë qenë të përmendur dhe me zë në atë periudhë në Mirditë, janë ç’armatosur dhe j’u është djegur kulla.

Pasi janë takuar dy ushtritë, ajo serbe dhe tjetra esadiste në Orosh, kanë shpërndarë çeta me ushtarë nëpër fshatrat e Mirditës, me qëllim çarmatosjen e popullsisë dhe djegien e kullave të burrave më në zë të krahinës. Për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre disa Mirditas, u bashkuan me këta pushtues duke u bërë pjesëtarë të çetave ndëshkuese. Një çetë e tillë e përbërë nga rreth 40 ushtarë të armatosur, u caktua të shkonte në fshatin Lufaj të Selitës, tek burri më i përmendur i asaj zone, tek Gjon Lufi, për të bërë çarmatosjen e tij, dhe njëkohësisht dhe djegien e kullës së tij, dhe pasi ta poshtëronin ta vrisnin dhe atë. Esad Toptani, kishte mllef dhe një urrejtje të pa kufi kundrejt Gjon Lufit, pasi ky kishte marrë pjesë së bashku me babain e tij Shkurtin, në luftimet e zhvilluara në Durrës, në mbrojtje të qeverisë së Princ Vidit. Babai i Gjonit, Shkurti, u vra në këto luftime që ishin si pasojë dhe e intrigave të Esadit, dhe në një farë mënyre Gjon Lufi, ja kishte parë të keqen një herë skemave të këtij, por inati personal që kishte Esadi me të dhe situata e krijuar në favor të tij, i dha rastin që ta shfrytëzonte, duke mbaruar punë një herë e përgjithmonë me burrin e madh të Selitës, dhe krejt Mirditës, Gjon Lufin.

Përveç Esadit, edhe Serbët e urrenin Gjon Lufin, pasi ky kishte strehuar për disa vite në kullën e tij, Bajram Currin, që kërkohej nga ushtria serbe në atë periudhë për ta vrarë. Në çetën që u nis për në Trangë të Lufajve të Selitës, krahas ushtarëve esadistë, kishte dhe disa ushtarë vendalinj mirditas, por ka burime që flasin dhe për praninë e disa ushtarë serbë në këtë çetë. Këta i komandonte një oficer i ri në moshë, trim dhe i guximshëm, por pa përvojën e duhur, një zbatues i përpiktë i urdhrave, dhe ky quhej, Abaz Kupi.

Tranga është si një kala natyrore, por kala të vërteta e të pathyeshme qenë edhe njerëzit që banonin në këto kulla të bardha me themele në shkëmb. E tillë ishte kulla dykatëshe e Gjon Lufit, me përmasa 24 m x 7,5 m. me dritare të mëdha dhe kishte 14 dhoma, e ndërtuar krejtësisht me gurë të gdhendur buzë shkëmbit të bardhë, prej nga kundrohet lirshëm në të katërt anët. Ishte një vend i një sigurie të madhe, prandaj dhe Bajram Curri, ka qenë i strehuar në Trangë, për gati 3 vite së bashku me dymbëdhjetë burra të tjerë në kullën e Gjon Lufit, në kohën kur ai ndiqej në Kosovë nga pushtuesi osman, por dhe nga forcat serbe për t’u vrarë. Gjatë kohës që Bajram Curri, ka qëndruar në këtë kullë, ka punuar për organizimin e luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesi i huaj. Për këtë qëllim ka takuar parinë e tre bajrakëve për të bashkërenditur veprimet, siç ka qenë në bazë të direktivës së tij, ngritja e flamurit në kishën e Kthellës me 25 dhjetor 1912.

Me të mbërritur çeta e ushtarëve para kullës së Gjon Lufit, komandanti i saj, Abaz Kupi, i ka bërë thirrje të zotit të banesës që të dilte jashtë dhe të dorëzonte armët, pasi kulla e tij ishte e rrethuar dhe nuk kishin nga t’ia mbanin. Gjon Lufi, del nga kulla hedh sytë përreth dhe sheh një numër shumë të madh ushtarësh që ishin shpërndarë në pozicion luftimi përreth kullës së tij, e kupton se këta kishin qëllime të liga dhe të mbrapshta, ndaj ju drejtohet me fjalët: “Burra, disa prej jush jam t’u ju njohur, por pjesën më të madhe tuajën nuk po e njoh. Unë armët i kam mbajtur dhe i mbaj kundër armiqve të mi dhe të vendit tim. Në qoftë se ju keni ardhur si miq kollaj është dhe puna e armëve, prandaj të hymë një herë në kullë, bisedojmë, e pimë dhe nga një gotë, se tradita e Shqiptarit është që ta presë mikun ashtu siç i ka hije atij, pastaj dhe rruga e gjatë ju ka lodh e keni nevojë për pushim”. Abaz Kupi, si i ri që ishte nuk e mendoi se mund të kishte ndonjë reagim nga ana e Gjon Lufit, udhëzimet i kishte marrë të qarta nga serbët dhe Esadi, të çarmatosej fillimisht, ti digjej kulla, dhe pas këtij poshtërimi Gjon Lufi,të vritej. Vendosi të hynte në kullë së bashku me ushtarët e tij, dikush nga e ata e këshilloi të linte roje përjashta, por ky nuk ja vuri veshin duke ju thënë, nuk ka nevojë për roje, se nuk kanë çfarë të na bëjnë, kulla qenka e madhe dhe të gjithë të ngjitemi lart e të pushojmë, se pasi të mbarojmë punë këtu, e kemi një copë rrugë për të bërë deri kur të arrijmë nga atje ku u nisëm”.

Gjon Lufi, ndërkohë që këta po bëheshin gati të futeshin në kullë, me mendimin që kishte në kokë, dhe duke i njohur disa vendas që ishin pjesëtarë të kësaj çete, për t’i shpëtuar ata ju ka thënë: “Nuk ka vend për të gjithë ju kulla ime, prandaj ti filani prit këtu përjashta, dhe ti djali i filanit mos hy brenda! Disa prej tyre janë bindur nga fjalët e Gjon Lufit e disa jo, Përsëri pasi janë ngjitur në katin e dytë të kullës, ju ka thënë atyre që njihte, Nuk je për tu ul në sofrën time me këta burra, prandaj qohu e shko në shtëpinë tënde”! Disa Mirditasve që ishin bërë pjesë e forcave serbe dhe esadiste, ju ka dalë borxhit me këto fjalë, se ata për t’a djegur dhe për ta vrarë kishin shkuar aty.

Pasi ushtarët kanë zënë vend në dhomat e mëdha të katit të dytë të kullës së tij, Gjon Lufi, ka nxjerrë përjashta të gjithë pjesëtarët e familjes së tij, i ka vënë llozin derës së kullës nga jashtë, ka udhëzuar burrat e familjes që të shtinin me armë kundër kujtdo që tentonte të hidhej nga dritarja, dhe i ka vënë flakën katit të parë të kullës. Duke qenë se kulla ishte shumë e madhe, me 14 dhoma, kati i parë përdorej për të mbajtur ushqim për bagëtitë, siç ishte bari i thatë për dimër, kati i dytë për pjesëtarët e banesës. Në moment sa i ka vënë fjakën njërës prej dhomave, zjarri është përhapur me shpejtësi në të gjithë kullën, duke djegur gjithçka që ishte brenda saj. Ushtarët sa e panë se çfarë ndodhi, u turrën drejt shkallëve për të dalë përjashta, por ishte e pa mundur dalja për shkak të flakëve të zjarrit, kush tentoi të hidhej nga dritaret i priste plumbi i njerëzve të Gjon Lufit, dhe kështu ata u shkrumbuan tragjikisht brenda për së gjalli.

Njëri nga ushtarët që ishte vendas e njihte kullën në brendësi, i thotë Abaz Kupit, eja pas meje në qoftë se don të shpëtosh jetën, ka vetëm një rrugë shpëtimi, të dalim nga nevojtorja. Kulla e Gjon Lufit, ndryshe nga një pjesë e kullave të tjera në Mirditë, e kishte nevojtoren brenda në banesë, në katin e dytë të saj, dhe ishte ndërtuar nga mjeshtrit që jashtëqitja të dilte nga pas kullës me një lloj tubi të gjërë, të mbyllur nga të gjitha anët e të përfundonte poshtë shkëmbit nga ishte ndërtuar kulla, në përrua. Në këtë mënyrë shpëtoi Abaz Kupi, dhe disa të tjerë duke dalë nga vrima e nevojtores e direkt në përrua, e duke mos e ndalur vrapin deri në fshatin e parë që hasën e nga ku aty kërkuan ndihmë.
Kjo është ndodhia e kësaj ngjarjeje të bujshme që i dha famë Kullës së Lufit dhe protagonistit të saj, Gjon Lufi, dhe kjo ngjarje mori jehonë të madhe jo vetëm në Mirditë, por në krejt Shqipërinë e asaj periudhe.

Kush ishte Gjon Lufi, prejardhja e tij familjare dhe si vazhdoi më pas historia e kësaj familjeje.

Nga fundi i shek. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX në ngjarjet kryesore të kohës, në Selitë e më gjërë ka udhëhequr shtëpia e Lufit, nga fshati Lufaj, kryesisht Gjon Lufi dhe pastaj deri në vitin 1944 vëllai i tij Ndrecë Shkurt Lufi. ? Selita si bajraktar ( flamurtar – shqip) ka pasë shtëpinë e Gjikolës në Kurbnesh, por në mbledhjet që janë bërë dhe luftërat kundër turqve e pastaj në ngjarjet e tjera që janë zhvilluar, gjithnjë ka drejtuar shtëpia e Lufit, sigurisht e mbështetur nga pleqësia e katundeve.

I pari i Lufit, ka qenë Kol Llesh Lufi . Ka pasur dy djem. – Gjon Kolën (Lufi ) dhe Geg Kolën (Lufi ) . Gjon Kola (Lufi ) ka pasur një djalë, Prend Likën (Përlika – Lufi ) – Geg Kola ka pasur tre djem – Llesh Gega (Marlleshi – Lufi ) Gjin Gega (Gjok Gjini – Lufi ) Pren Gega (Bushpreni – Lufi )
Prendi ka pasur një djal Bushin – Bushi – Markun dhe Ndrecën- Ndreca 4 djem – Ndoi, Nikolli, Prenga dhe Shkurti.- Shkurti katër djem, – Gjon Lufi, Mark Lufi, Llesh Lufi, Ndrec Lufi.

Gjon Lufi, ka qenë një nga figurat dhe përsonalitetet më në zë të Mirditës, qe pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, në krye të trupave mirditase që morën pjesë në këtë kuvend. Gjon Lufi, ishte një luftëtar dhe komandant i shquar që kishte marrë pjesë në shumë luftra ndaj armiqve dhe pushtuesve të vendit tonë. Për herë të parë zyrtarisht, emri i Gjon Lufit përmendet nga Marin Sirdani, në revistën Hylli i Dritës, vitet 30, të shek të kaluar, ku në studimin e tij historik me titull, “ Histori dhe fakte” në përshkrimin e ngjarjeve pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, e tregon kështu në ngjarjet e asaj kohe: “Kto pshtjellime e ky pabashkim vijoj se vijoj edhe gjith kohën e luftës europjane, e dymdhetë bajrakët e Mirditës e do të Pukës kjenë shkretnue prej esadistavet. Ndër të gjitha ato luftime, pos sa burrave tjerë, Gjon Shkurt Lufi i Selitës e Pal Ndue Berhani i Pishkashit, i lanë nam vedit e bajrakut të vet per kreshniki që diftuen”.

Gjon Lufi, në popull njihej me titullin si “Gjenerali me Xhurdinë”, kaq i lartësuar ishte emri i tij. Gjon Lufi, ishte një nga krerët e fiseve më të forta në zonën midis Matit e Mirditës, e më gjërë. Gjon Lufi, i cili ishte komandanti mirditas i trupave mbrojtëse të kongresit të Lushnjës, në vitin 1920, u vra pas mbarimit të kongresit, nga nxitja e qarqeve anti shqiptare që kërkonin copëtimin e Shqipërisë, dhe këto qarqe shfrytëzuan ngatërresat dhe grindjet midis fiseve dhe familjeve malësore, duke i shtyrë kundër njëri tjetrit, për realizimin e qëllimeve të tyre dashakeqe ndaj vendit tonë.

Nga pranvera e vitit 1920, koha kur vdiq Gjon Lufi, e deri në fund të vitit 1944, Selitën e ka udhëhequr Ndrecë Lufi, i vëllai I Gjonit, i cili ka qenë oficer. Ka shërbyer në Tiranë, në Korçë, në Kukës, në Peshkopi, Mat, etj. Për një periudhë kohe është caktuar për të shërbyer në postën e Selitës, ky rast është dhe precedenti më i veçantë i periudhës së Zogut, ku ky i fundit nuk ka reaguar pavarësisht brutalitetit të tij, me ngjarjen e zhvilluar në postën e Selitës, ku Ndrecë Lufi, në atë periudhë shpërndau me forcë ushtarakët e postës dhe nuk lejoi nëpunësit e Zogut që të merrnin taksa në Selitë. Ky veprim ishte një precedent i rrezikshëm që kërkonte reagim dhe ndëshkim maksimal, duke ditur dhe reagimin e ashpër dhe brutal të Zogut për raste të tilla, siç ishte dhe varja e priftit në Dukagjin për një rast të ngjashëm, por Zogu kur mori njoftimin u përgjigj: “I qoftë falë vëllait të vet Gjonit, të cilit i detyrohem jo vetëm përsonalisht por dhe shtetërisht, kështu që bëjmë dhe pa taksat e tyre, e bëri këtë veprim le të rrijë aty e ta ruajë vetë rendin dhe qetësinë në Selitë”.

Ndrecë Lufi, në kohën kur ishte me detyrën e oficerit në Tiranë, u miqësua shumë me një oficer dhe njëkohësisht koleg i tij, me Abaz Kupin, duke hedhur kështu pas dhe mërinë e ngjarjes së viteve të shkuara. Kjo miqësi ishte shumë e ngushtë, sa në kohën kur ushtria fashiste e Musolinit me 7 prill të vitit 1939, sulmoi dhe pushtoi vendin tonë, Ndrecë Lufi në krye të 200 burrave nga Selita, ranë në Fushë – Krujë për ti dalë zot vatanit, dhe aty ai hyri në linjë telefonike me Abaz Kupin. I tregoi me sa forca të armatosura kishte arritur dhe se ku duhej të vendosej. Abaz Kupi i tha se çdo gjë kishte marrë fund, prandaj të kthehej në shtëpi. Ndrecë Lufi, duke menduar për t’i ruajtur forcat për më vonë u tërhoq. Disa ditë pasi pushtuan vendin fashistët italianë, burgosën shumë nga ata burra që kishin drejtuar rezistencën. Edhe Ndrecë Lufin e burgosën. Pas disa muajve burgim e liruan, se donin të krijonin në popull mendimin sikur ishin të arsyeshëm dhe i falin dhe kundërshtarët.

Ndrecë Lufi, nuk ndejti duarkryq, ai ishte njëri nga organizatorët dhe drejtuesit e Kuvendit të Bruçit, i cili u mblodh në fushë të Ndredysë më 26 korrik 1943. Në atë kuvend u lidh besa sipas zakonit dhe u bë organizimi i luftës për çlirimin e Burrelit nga ushtria fashiste italiane. Për këtë qëllim u krijua një shtab, dhe Ndrecë Lufi, ishte njëri ndër më kryesorët e këtij shtabi. Gjeneralit Italian që ishte komandant i garnizonit, shtabi i dërgoi një ultimatum, me mbarimin e afatit të ultimatumit, garnizoni ushtarak Italian u sulmua nga të gjitha anët prej vullnetarëve të vajtur nga Selita, Kthella e Rranza, dhe nga gjthë krahinat e Matit. Sulmi filloi me 31 korrik 1943. Ai qe i menjëhershëm, i rrufeshëm dhe i pandërprerë. Italianëve u vajti në ndihmë dhe aviacioni. Disa avionë ushtarakë bombardonin e mitralonin pa pushim llogoret e luftëtarëve vullnetarë. Sulmi I furishëm dhe qëndresa e pashoqe bëri që në mbrëmje të 31 korrikut Burreli të çlirohej.

Në kohën që luftohej për çlirimin e Burrelit, aeroplanët luftarakë italianë bombarduan dhe mitraluan kullën e Ndrecë Lufit, pasi ata e dinin se ai ishte një nga organizatorët kryesorë të sulmit ndaj tyre. Një bombë ra në banesë. Çatia mori zjarr e kulla ishte në rrezik të digjej, Shkurti djali I Ndrecës, së bashku me një kushëri të vetin i ndenjën gati dhe e fikën me ujë. Kështu e shpëtuan banesën nga djegia prej bombave të fashistëve italianë. Por në fund të vitit 1944 ajo kullë u dogj 2 herë nga partizanët. Kjo kullë legjendare u dogj 4 herë, në vitin 1915 nga esadistët, në korrik të viti 1943 nga bombardimi i aviacionit luftarak Italian, dhe në vitin 1944 dy herë nga partizanët, të cilët shembën dhe muret e saj.

Kur lufta kundër pushtuesit gjerman ishte ndezur e ashpër në të gjithë Shqipërinë, në malësitë e pjesës veriore flitej me urrejtje për komunistët. Për ata ishte përhapur një propaganda e madhe ku vihej në dukje se ata nuk njohin fenë, të marrin token, pasurinë, etj, prandaj kur forcat partizane kaluan në pjesën veriore të vendit, edhe pregaditja për t’a kundërshtuar marshimin e tyre u rrit. Në Selitë u vendos që mos të lejohej futja e komunistëve, dhe u bë një organizim dhe në krye të rezistencës ishte Ndrecë Lufi. Por rezistenca u thye, dhe partizanët hynë në Selitë me luftë. Selitasit u tërhoqën nga fronti e u larguan përkohësisht nga shtëpitë e tyre, jo se nuk ishin trima, se për këtë kishin dhënë prova, por për të mos shkaktuar gjakderdhje.

Pasi hynë në Selitë, dhe dogjën disa banesa në mes të tyre dhe atë të Ndrec Lufit, partizanët iu drejtuan Shpalit. Në këtë kohë Ndrecë Lufi, së bashku me djemtë, vëllain dhe njerëzit e tij më të afërt dolën në mal. Zgjodhën idealin para nënshtrimit, pavarësisht se kjo gjë ju kushtoi jetën, dhe një kalvar të pafund vuajtjesh familjarëve të tyre.

A kishin mundësi zgjedhjeje këta burra që zgjodhën vdekjen para jetës? Po, kishin biles po të pranonin nënshtrimin ndaj regjimit komunist, kishin si alternativë deri dhe në krye të drejtimit të Mirditës. Pasi hynë komunistët dhe morën pushtetin në Mirditë, një nga njerëzit më të fuqishëm të asaj periudhe dhe më pas, Mehmet Shehu, bëri një vizitë në Mirditë. Në bisedë e sipër me disa kuadro drejtues të krahinës, ju thotë atyre:” Për Mirditasit kam respekt dhe konsideratë të veçantë pasi jeni trima, të vendosur dhe të besës, dhe këto cilësi të veçanta që keni ju si krahinë, i kam mësuar prej një shoku dhe miku të ngushtë që kam pasur kur kam kryer akademinë ushtarake së bashku me të, dhe banon këtu në Mirditë, Tanush Lufi, e ka emrin prandaj meqë erdha sot këtu, ma gjeni se dua ta takoj se kam vite pa e parë”! Tanush Lufi, i biri i Gjon Lufit, mbaruar akademinë ushtarake jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera, në atë kohë ndodhej në mal sëbashku me xhaxhin e tij Ndrecën kundër komunistëve, dhe asnjëri nga të pranishmit nuk guxonte t’ja thonte këtë fakt Mehmet Shehut. Një kuadër i vjetër në përvojë dhe në moshë, i thotë: Shoku Mehmet, përsoni që kërkoni ju nuk është në anën tonë, është kundra nesh dhe ndodhet në mal.

“Paska mbetur po i njejti person që ka njohur dikur, tha Mehmeti, dhe nuk foli më gjatë”. Pas disa kohësh gjeti mundësinë t’i dërgonte fjalë me persona të tretë, dhe meqë kishin qenë shokë të ngushtë, Mehmeti i tha Tanushit, se kërkonte disa kushte dhe i bënte disa favore:
1.Të dorëzonin armët dhe të inkuadroheshin me forcat komuniste, pas Bardhok Bibës, që do të zgjidhej deputet dhe do të vendosej në Tiranë, do të merrte drejtimin e Mirditës,
2. Kullat do t’ia rregullonin.
3. Axha i vet Ndreca, do t’ia hidhte me një gjykim prej dy a tre vitesh burgim. Por Tanush Lufi, nuk pranoi duke i thënë Mehmetit: “Kam dalë në mal për idealin tim të lirisë dhe këtij ideali do t’i qëndroj deri në fund ”!

Familja e Lufit, si pasojë e rezistencës kundër komunizmit, e pasoi në këtë mënyrë:
1. Ndrec Lufi me të dy djemtë Nikollin dhe Shkurtin u vranë
2. Vëllai i Ndrecës, Lleshi, me të dy djemtë, Gjinin e Dodën u vranë.
3. Dy djemtë e Gjon Lufit, Tanushi dhe Ndoi u vranë, kurse Gega vdiq në spital.
4. Dy djemtë e Mark Shkurt Lufit, Pepa dhe Prenga u vranë.
5. Dy djem të vegjël vdiqën në internim.
6. U dogjën kullat e Ndrec Lufit, Llesh Lufit, të Ndue Gjon Lufit, dhe ju morën bagëtitë.
7. U humbën varret e 6 burrave dhe dy fëmijëve.
8. 23 Pjesëtarë të familjes qenë në internim, nga të cilët 15 fëmijë. Në internim bënë 64 vjet.
9. I morën 10 ha tokë në Laknas të Tiranës, dhe i dogjën dhe i shembën kullën e ndërtuar atje.

Kështu e pësoi familja Lufi, nga sistemi komunist me 13 meshkuj të vrarë, më shumë se çdo familje tjetër në Mirditë, dhe si rrallë familje dhe në rang kombëtar. Këtë familje dhe burrat që lindi dhe rriti kulla legjendare e Lufit, koha e rrjeshton duke zënë vend nderi në historinë e lavdishme të Mirditës, por dhe në historinë e krejt vendit tonë.
——————————————————–
“Shënim: Krahas referencave të përmendura në artikull, janë shfrytëzuar dhe burime të ndryshme gojore, pasi shpjegimin e kam dhënë më lart. Gjithashtu një pjesë e mirë e të dhënave janë marrë nga libri i Profesor Mark Përgjoni: Si e pësoi Selita nga komunizmi 1944 – 1990”.