Migel Flor
Ka libra që lexohen me zemër dhe jo vetëm me sy e mendje….
“Shpirt i shpirtit tim” i Shyrete Demajt i përket kësaj kategorie. Është një vëllim ku poezia nuk kërkon të impresionojë me figura të stërholluara, por të prekë lexuesin me ndershmërinë e ndjenjës dhe me bukurinë e fjalës.
Në poezinë “Ndeza një qiri”, autorja e vendos lexuesin përballë një gjendjeje të rëndë shpirtërore:
“Ku jam?
Në dreq të mallkuar, kërkund…
Gjunjët gërryer e plagosur,
në hemorragji rinie,
braktisin këtë trup të pashpresë,
që lëngon në këtë gjendje të pagjendje…”
Këto vargje janë një monolog i dhimbshëm ekzistencial. Pyetja “Ku jam?” nuk kërkon një vend në hartë, por një vend në vetvete. Është pyetja që njeriu ia drejton shpirtit kur humbet ekuilibrin mes ëndrrave dhe realitetit. “Hemorragjia e rinisë” është një metaforë e fuqishme që flet për gjakderdhjen e idealeve, për vitet që ikin duke lënë plagë të hapura. Autorja nuk ankohet; ajo rrëfen me guxim plagët e saj dhe i kthen ato në poezi. Kjo e bën vargun të besueshëm dhe emocionalisht të fuqishëm.
Një nga shtyllat më të rëndësishme të këtij libri është dashuria e autores për gegërishten.
“O sa e ambël, sa e bukur,
tingull hijeshie plot nur.
Asht kjo gjuha e lahutës,
e dasmës dhe e luftës,
i knohet trimit dhe nuses…
Gegnishtja asht fillesë,
asht fjala edhe besa.”
Në këto vargje nuk kemi vetëm një himn për gegërishten. Kemi një deklaratë identiteti. Autorja e sheh këtë të folme si një trung të lashtë, ku mbështetet historia, tradita dhe karakteri i shqiptarëve. Përmendja e lahutës, e luftës, e dasmës, e trimit dhe e nuses nuk është rastësore. Ato janë simbolet më përfaqësuese të jetës shqiptare. Gegërishtja, sipas autores, nuk është vetëm një dialekt; është kulturë, është besë. Kjo poezi dëshmon respektin e saj për rrënjët dhe dëshirën për t’i rruajtur ato.
Duke shfletuar faqet e këtij libri, lexuesi mahnitet nga qartësia e mendimit, nga figuracioni i natyrshëm dhe nga mesazhet që burojnë pa bujë… Shyrete Demaj nuk e ngarkon vargun me zbukurime e lajle-lule të panevojshme. Forca e mendimit të saj qëndron tek thjeshtësia, e cila shpesh është forma më e vështirë e të shkruarit….
“O zemër që rreh kambanë moti,
o shpirt i djegur nga pika loti.
O sy që të iku vështrimi larg,
fill malli qëndis këtë varg.
O syth trëndafili që sjell pranverën…”
Kjo poezi është një dialog me vetveten. Zemra krahasohet me kambanën, sepse kumbon kujtimet dhe dhimbjet. Loti nuk është më vetëm pikë uji, por zjarr që djeg shpirtin. Ndërsa malli shndërrohet në një endës të padukshëm që qëndis vargun. Metafora e sythit të trëndafilit është veçanërisht e bukur, sepse edhe pas dimrit më të ashpër, pranvera gjen mënyrën të rikthehet. Pikërisht këtë besim për jetën përçon autorja në shumë prej poezive të saj.
Një tjetër poezi me një ngarkesë të veçantë filozofike është kjo:
“Ti nuk e di si asht ajo ndjesi,
kur lastari i shpresës
bahet shkrumb e hi,
e po në atë hi
me i çelë prapë filizat e rinj.”
Këtu poetja na kujton se jeta nuk është vetëm lulëzim. Ajo është edhe djegie, rrëzim dhe ringritje. Lastari i shpresës mund të digjet, por fara e tij mbetet e gjallë. Hiri nuk është fundi; është toka nga ku lind një fillim i ri. Ky është një mesazh i fuqishëm optimizmi, i shprehur pa patetizëm. Pikërisht kjo aftësi për ta kthyer dhimbjen në shpresë e dallon poezinë e Shyrete Demajt.
Kam fatin ta njoh Shyrete Demajn jo vetëm si poete, por edhe si njeri. Mundohem të mos rrëshqas në lëvdata, sepse kritika duhet të jetë e matur. Megjithatë, nuk mund të mos them se cilësitë e saj njerëzore reflektohen qartë edhe në krijimtarinë e saj. Thjeshtësia, urtësia dhe modestia janë pjesë e karakterit të saj dhe po aq pjesë e poezisë që shkruan.
“E putha terrin
dhe hëna u zgjua.
Yjet ndriçuan…”
Vetëm tre vargje, por një univers i tërë poetik. Terri nuk paraqitet si armik, por si një gjendje që pret të zgjohet nga drita. Puthja është akt pajtimi me dhimbjen. Hëna zgjohet dhe yjet ndriçojnë, sepse shpresa lind pikërisht në çastin kur njeriu ka guxim të përballet me errësirën. Kjo është një nga metaforat më të bukura të librit.
“Shpirt i shpirtit tim” është një vëllim që mbështetet mbi ndjenjën, mbi kujtesën dhe mbi dashurinë për jetën. Poezia e Shyrete Demajt nuk bërtet; ajo flet qetë, por depërton thellë. Është një poezi që respekton fjalën, lexuesin dhe vetë artin poetik.
Shyrete Demaj e përkëdhel poezinë si një nënë fëmijën e saj. Ajo bisedon me lexuesin pa imponim, me sinqeritet dhe me një etikë të admirueshme krijuese. Kjo është arsyeja pse vargjet e saj mbeten gjatë në kujtesë.
Të uroj suksese, mike! Uroj që pena jote të vazhdojë të shkruajë me të njëjtën dritë, ndershmëri dhe dashuri për poezinë.