Judita Dedi

Duke parë dëshirën e shumë miqve për një temë që lidhet me kohën që po jetojmë, zgjodha “Revolucionin” për mini-tregimin e parë.
Fjalët e tjera që po më dërgoni vazhdoj ti mbledh me kënaqësi per tregimet e radhës.
Ju falenderoj shpresoj t’ju pelqej.
REVOLUCION
Në lagje e njihnin të gjithë. Çdo mëngjes ulej në të njëjtën tavolinë pranë dritares së lokalit. Një kafe të fortë, një gotë raki dhe lajmet e ditës. Fliste për politikën, për padrejtësitë, për të rinjtë që iknin, për pensionet që nuk mjaftonin.
Këtij vendi i duhet revolucion – thoshte shpesh.
Protestat kishin javë që vazhdonin. Edhe ai kishte marrë pjesë disa herë. Jo gjatë. Vitet mbi supe dhe vapa e qershorit nuk e linin të rrinte shumë. Por mjaftonte të ishte aty, mes njerëzve, duke kërkuar ndryshim.
Atë paradite, pranë tavolinës iu afrua mbesa e kamarieres.
Gjysh, ma ngre pak?
Lapsi i kishte rënë përdhe. Plaku u përkul, ia zgjati dhe vajza iku me vrap duke i thënë,
Faleminderit!
Ai e ndoqi me sy. Papritur iu kujtuan nipërit. Nuk e mbante mend kur kishte qenë hera e fundit që i kishte përqafuar. Po rriteshin larg. Me vëllanë nuk fliste prej vitesh. Një debat i vjetër. Një krenari edhe më e vjetër.
Për herë të parë pati ndjesinë se jeta e kishte sjellë në një udhëkryq. Mes debateve dhe zemërimit, kishte humbur gjërat më të rëndësishme, paqen, dashurinë dhe njerëzit e tij. Ndoshta kishte lënë që urrejtja të zinte vend aty ku dikur jetonin kujtimet.
Mori gotën e rakisë, e afroi te buzët, por e uli përsëri. Për vendin i gjente gjithmonë fjalët. Për njerëzit e tij, jo.
Kur kamarierja i solli kafenë, ai ngriti kokën.
-Faleminderit.
Gruaja e pa e habitur. Ishte hera e parë që e dëgjonte atë fjalë nga goja e tij.
Plaku nxori telefonin, gjeti numrin e vëllait, të cilin nuk e kishte telefonuar prej vitesh, dhe priti.
Alo?
Jam unë…
Në anën tjetër ra heshtja.
-Dua të takohemi.
Pas pak u dëgjua:
Edhe unë.
Plaku mori frymë thellë. Nga dritarja pa protestuesit që vazhdonin rrugën drejt sheshit.
Ndoshta revolucioni nuk fillon në shesh.
Fillon te vetja.