Arben Iliazi

Fragment i ri nga “Vezullimet e ferrparajsës”
Pashë ëndërr…sikur vdiqa…shkova në parajsë dhe u varrosa në oborrin e shtëpisë sime…O zot! Gjith jetën kam ëndërruar pa parë ëndërra…Është hera e parë në jetën time që vdekja më duket tërheqëse. Ndaj sot kam ndërmend të vdes vërtet… Po, po do vdes! Do të eliminoj fizikisht vetveten! Do ta shkëpus lidhjen me jetën. Kaq ishte……Po iki përgjithmonë…Ah, jeta është një gjë e mjerueshme… Pastaj do të shkoj duke buzëqeshur drejt e në parajsë për të mbjellë trëndafila në oborrin e shtëpisë sime…Shtëpia me gur të gdhendur te lëndina me luledele poshtë kalasë, shtëpia që nuk e trashëgova dot sa isha gjallë. Shtëpia ku linda dhe u rrita… Luftova tridhjet vjet me gjyqe e avokatë, por atë e kanë marrë të tjerë. E gëzojnë të tjerë! Pa shtëpinë time jam katandisur në hiçasgjë!
Virgjëreshë e Parajsës
Eja, eja në errësirën e natës
Dhe shkëlqe mbi ne si hëna e re…
Di iki, do iki pa kthim
Pluhur në mes të asgjësë…
Jeta që zgjat n’përjetësi
Është dhembje, poshtërim…/
Po më dalin lotë? Eh, kur ka qenë hera e fundit që kam qarë? O Zot, nuk kam qarë kurrë në jetë. Nuk e njoh të qarën. Por kjo të lehtëson… O Zot si e humba gjith jetën pa derdhur një pikë loti? Një pikëz?! Uau! Më duket sikur notoj në det të hapur! Çfarë bëhet kështu? E kam shpenzuar jetën kot. Rridhni, o çezmat e mia! Kulloni o sytë e mi!
Anija ime është mbytur… Barka e fundit që mund të më shpëtonte nga ishulli im i shkretuar ka shkuar shumë larg… Pastaj vdekja të bën më të kujdesshëm për jetën…
E pse të jetoj akoma si një palaço i trishtuar në këtë ferr të vërtetë? Jetova si një morr herë i kuq, herë blu e herë jeshil, herë pa asnjë ngjyrë. Jetë e quani këtë? Dua të bërtas, të çlirohem, t’i shpie në djall të gjitha! Shkurt të bie e të vdes! Kam jetuar kot…
Të vdes? Po si të vdes mes një grumbulli njerëzish, në sy të të gjithëve? Dua që askush të mos ma heqë mundësinë për të vdekur. E merrni me mend shpërpjestimin mes kotësisë së motivit dhe gjëmës së gjestit? Këtu nuk më pengon dot askush. Pika e vetme ku unë jam akoma gjallë është vdekja ime. O sa më eksiton kjo loja me vdekjen!…Nuk ka rrugë tjetër…Kjo është mënyra e vetme për të realizuar ëndërrën time, të gëzoj pronën time, shtëpinë time. Nuk ka asgjë të barasvlefshme me të, ajo është jeta ime, thesari im. Atje ndihem i lirë, i shëndetshëm. Ajo është si drenushe që ka rënë në një grackë dhe shtrihet në pritje, me zemrën që i rreh nga përplasja e kanatave dhe lehja e qenve, nga dashuria dhe urrejtja, nga dëshpërimi, inati, neveria. Te trualli i saj i rrethuar me skeletet e të afërmve të mi, e gjakut tim brez pas brezi. Jam krenar që e pashë atë ëndërr…Nuk kam fare të bëj me besime dhe parime. Unë i përkas shtëpisë sime!
Pastaj do martohem. Do gjej dashurinë e vërtetë…Atë që nuk e gjeta kurrë… Pa të nuk jam veçse një gjë e vdekur! …Me shpirtin si eshkë…
Po vdes…Jeta nuk rijetohet më … I gënjyer nga shpresa po vallëzoj në krahët e vdekjes…Jam një fantazmë! Një fantazmë e dashuruar në një botë ku vetë dashuria është fantazma më e pakapshme!
Episodi i radhës nga “Vezullimet e Ferrparajsës”
Xhaxhai im më mori në Romë për studime, me fondet që kish lënë amanet im atë tregtar. Unë mësoja mirë, isha i rregullt, shoqërohesha me studentë shqiptarë dhe italianë dhe kisha fituar simpatinë e tyre. U diplomova si veteriner dhe fillova të punoja në një klinikë me emër në Romë. Atje për herë të parë njoha makthin e dashurisë…Mbaja syze dhe baluke kur njoha Barbarën, vajzën e vetme të padronit tim. Ishte shumë e bukur…dhëmbët, e qeshura, sytë…Nuk mërzitej kurrë…Silleshim si dy binjakë…Besonim se ishim të pandashëm…Ajo kujdesej për gjithçka, që unë të bëhesha mjek i njohur, por edhe të argëtohesha. Në ditëlindjen time më bëri dhuratë hartën e madhe të botës dhe më tha “zgjidh”! Mbylla sytë, lëviza gishtin mbi hartë dhe gishti ndaloi në Shqipëri. Dhe shumë shpejt luajta menç. Dëgjova se në atdhe kish plasur lufta. “Ja, erdhi rasti” – thashë! Më kapi një dalldi revolucionare…Nuk prita më. I braktisa të gjitha. Edhe Barbarën. Karrierën time e mori lumi. U ktheva në Shqipëri. Dy ditë pas demonstratës së 28 Korrikut ‘43 shokët e Qarkorit më urdhëruan të dal partizan dhe të shkoj në Pezë te Babë Myslymi. Ah, Baba ç’farë legjende! Më puthi në ballë! Isha me fat që e njoha, por ndenjëm fare pak.
Shtabi i Përgjithshëm i UNÇl më dërgoi në Brigadën e Dytë Sulmuese, që u nis për në Jug. Në nëntor 1944 më njoftojnë të kthehem në Korçë, të paraqitem në shtabin e divizionit të 7-të. Fluturova me një motoçikletë që ua kapa gjermanëve dhe mbërrita i veshur me një uniformë të çuditshme. Xhaketën ma dha ushtari gjerman i motoçikletës, se e mbajta në gjoks para se të jepte shpirt nga plagët… Në mal takova shumë. Atje nuk e vrisja mendjen. Lufta më jepte ca kënaqësi të vogla. Luftova në çdo front. Zhvillova disa beteja. Në batalion na vjen një vajzë brune, t’i prisje kokën. Me sytë të mbushur me mister. Një ditë më vuri dorën në sup dhe më shtyu lehtë “Përpara!”. Ishte si një magjepsje. Gjunjët më dridheshin. Një predhë fluturoi pranë nesh si dallëndyshe e trembur. U zbytha duke u shalakatur. Pashë partizanët të shtrirë përdhe. Brenda një minute gjithçka u kthye në hiç. U drodha i tmerruar kur pashë që isha shtrirë gushë më gushë me shoqen partizane. Ishte vetëm një çast. Dhe u dashurova si i çmendur pas saj. Pyeta shokun tim intendent: a lejohet dashuria? Më pa me frikë. Dashuri? Po a e di ti se ç’bëjnë një vajzë e një djalë kur duhen? Provoje dhe të pret plumbi! Ose të presin bilbilin! U rrëqetha dhe u drodha i tëri. Për pak sa nuk e mbyta fare atë këlysh kurve që më trullosi ashtu. Zemra më theri dhe atë plagë e ndiej ende pas kaq vitesh. Në tri beteja desha të më zinte plumbi, nuk u ruajta fare. Më quajtën “njeriu i zjarrit”. Sa mbaroi lufta intendenti vajti u martua me vajzën që doja unë. Mendova njëherë të varesha te fiku në oborr nga inati dhe turpi. Nuk i kërkova kurrë shpjegim, por një vit të tërë u mbyta në ethe. E urreva veten, e mallkova, por nuk kisha çfarë të bëja…