Selita është një shembull frymëzues për të gjithë krahinën.
Prania e artistit të njohur Sinan Hoxha ishte një nga kulmet e Festës së Selitës 2026. Me repertorin, energjinë dhe interpretimin e tij, ai nderoi Selitën dhe gjithë Krahinën e Bendës, duke dhuruar emocione të veçanta për pjesëmarrësit.
Ka vende që nuk janë thjesht pika gjeografike në hartë, por streha ku ruhen kujtimet, traditat dhe dashuria për rrënjët. Një prej tyre është Selita e Malit, e cila edhe këtë vit mblodhi bijtë dhe miqtë e saj në “Festën e Selitës” – një ngjarje që tashmë është kthyer në një traditë të bukur dhe në simbol bashkimi për banorët e kësaj treve.
E konceptuar fillimisht si “Festa e Korrjes së Barit”, kjo veprimtari i ka rrënjët në zakonet e hershme të selitasve, të cilët ngjiteshin në bjeshkë për të korrur livadhet. Me kalimin e viteve, ajo është shndërruar në një festa të madhe komunitare, duke shërbyer si urë lidhëse mes brezave dhe si pikëtakim për banorët, pavarësisht se ku jetojnë e punojnë sot.
ATMOSFERA DHE ORGANIZIMI NË ÇAJRËN E SELITËS
Më 21 qershor 2026, në Çajrën e Selitës u zhvillua festa e përvitshme ku morën pjesë qindra banorë të ardhur nga Krahina e Bendës, Tirana, Kamza, emigracioni, fshatrat përreth, si dhe shumë të ftuar. Duke qenë se pjesa më e madhe e komunitetit jeton larg vendlindjes, ky takim mbetet një mundësi e veçantë për t’u çmallur dhe për të forcuar lidhjet me vendin e origjinës.
Edhe pse dita erdhi me temperatura të larta, freskia që vinte nga Mali me Gropa dhe pyjet e Fekenit krijoi një atmosferë mjaft të këndshme. Veprimtaria u organizua me përkushtim të lartë nga Shoqata “Selita”, nën drejtimin e kryetarit z. Alfred Sida, me mbështetjen e veçantë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Benda”, e cila kontribuoi drejtpërdrejt në realizimin e programit artistik.
Organizatorët kishin marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e aktiviteti, duke siguruar transportin, çadrat e pajisura me tavolina e stola, si dhe shërbime të tjera që garantuan kushte mjaft komode për një pjesëmarrje mbresëlënëse. Si në vitet e kaluara, festa u nda në dy pjesë: ceremonia zyrtare me programin artistik dhe dreka tradicionale e rezervuar për takimet miqësore.
CEREMONIA ZYRTARE DHE MESAZHET E TË FTUARVE
Aktiviteti u moderua me elegancë nga bija e Selitës, Sofi Sida. Pasi u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ajo theksoi privilegjin dhe kënaqësinë që ndiente duke udhëhequr këtë festë në mes të bukurive natyrore të zonës.
Festën e hapi kryetari i Shoqatës “Selita”, z. Alfred Sida, i cili u ndal te rëndësia e ruajtjes së traditave, trashëgimisë kulturore dhe vlerave që ky komunitet ka përcjellë ndër breza.
Më pas, fjalën e morën me radhë të ftuarit e nderit:
Z. Xhemal Qefalia, Zëvendësministër i Rendit: Falënderoi organizatorët për ftesën dhe vlerësoi banorët për ruajtjen e traditave më të mira të zonës. Ai shprehu gjithashtu konsideratën e tij të lartë për Ansamblin Artistik “Benda” dhe Shoqatën “Benda”.
Z. Ferit Hoxha, Kryetar i Shoqatës “Benda”: Vlerësoi rëndësinë e kësaj feste në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe etnografike të trevës. Ai theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy shoqatave dhe kujtoi me respekt kontributin e intelektualit vizionar, të ndjerit Mehdi Elmaz Hoxha, si ideator dhe mbështetës i këtij aktiviteti ndër vite. Në fund, ai falënderoi të gjithë ata që iu përgjigjën ftesës për të qenë pjesë e kësaj dite festive.
Z. Hamza Sita, Kryetar i Njësisë Administrative Zall-Bastar: Nënvizoi rëndësinë që nisma të tilla kanë për promovimin turistik dhe kulturor të gjithë Krahinës së Bendës.
Z. Azem Nela, Intelektuali më i vjetër i Selitës: Bëri një prezantim të shkurtër dhe mjaft interesant të historisë së fshatit, duke kujtuar figura dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë në jetën e komunitetit.
CERTIFIKATA MIRËNJOHJEJE
Në këtë ditë festive, Kryesia e Shoqatës “Selita” nderoi med Certifikata Mirënjohjeje disa prej banorëve të këtij fshati për kontributin, sakrificat dhe përkushtimin e tyre ndër vite:
Z. Abaz Sallaku (pas vdekjes)
Z. Isuf Sadik Nela (pas vdekjes)
Z. Osman Kaçani
Z. Sabri Marqeni (pas vdekjes)
PROGRAMI ARTISTIK DHE KULMI ME SINAN HOXHËN
Pas pjesës zyrtare, sipari i programit artistik u çel nga Azem Sallaku dhe Selim Kaloshi me një valle dyshe, e pasuar nga gratë e Selitës, të cilat, të veshura me kostume popullore, interpretuan valle tradicionale që ndezën duartrokitjet e publikut.
Ansambli Artistik “Benda” u përfaqësua denjësisht nga ahengjet tradicionale të krahinës, me lodërtarin Xhevahir Cani dhe instrumentistët Pëllumb Mema e Lutfi Elqeni. Një kontribut të veçantë në ruajtjen dhe promovimin e veshjeve tradicionale dha kostumografja Antoneta Tafa, e cila vijon të mbështesë med pasion aktivitetet kulturore të zonës.
Kulmi i festës u shënua nga ngjitja në skenë e këngëtarit të mirënjohur të muzikës shqiptare, birit të Krahinës së Bendës, Sinan Hoxha. Me një performancë rreth dy-orëshe dhe një repertor të zgjedhur enkas, ai ngriti peshë rreth një mijë pjesëmarrës, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme festive. Intelektualë, banorë dhe miq kënduan e vallëzuan së bashku, duke dëshmuar energjinë e madhe të kësaj treve.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të spikatur në artin shqiptar dhe për promovimin e vlerave të vendlindjes, Shoqata “Selita” i akordoi artistit një Certifikatë Mirënjohjeje, e cila u prit me ovacione nga të pranishmit.
DREKA TRADICIONALE DHE MBYLLJA E FESTËS
Pas programit artistik, festa vijoi me drekën tradicionale. Familjarë, miq e të ftuar kaluan momente të këndshme nën tingujt e muzikës popullore dhe moderne deri në orët e vona të pasdites. Një moment tjetër i veçantë ishte shpërndarja e gazetës “Krahina e Bendës”, me qëllim njohjen e të pranishmëve me aktivitetet e shoqatës, historinë dhe traditat e zonës.
I gjithë aktiviteti u dokumentua me profesionalizëm përmes fotove dhe videove nga Haki Meta dhe Lorena Bumja.
Selita dëshmoi edhe një herë se është një shembull frymëzues për të gjithë krahinën. Me vlerat historike, kulturore dhe qytetare që mbart, ajo meriton plotësisht të konsiderohet një model zhvillimi dhe organizimi për fshatrat e tjerë. Pavarësisht largësive dhe sfidave të kohës, dashuria për vendlindjen mbetet ura më e fortë që bashkon njerëzit.
Afër mbrëmjes, dita festive u mbyll me përqafime, shtrëngime duarsh dhe urimin e përbashkët që buronte nga zemra: “Në festa dhe ditë të tilla u takofshim gjithmonë!”
Foto: Meta Production
Ferit Hoxha-Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “BENDA”,





