DRITA QË BËN INVENTAR
Ka një dritë që nuk kërkon leje.
Futet nga të çarat e mureve të vjetër,
jo nga dritaret.
.
Dhe aty bën inventarin e saj të heshtur:
një pallto e varur në mur,
një kornizë me foto të zbehura,
një xham i thyer,
dhe në fund të dhomës një karrige e heshtur
me këmbë të përthyera.
.
Ne besojmë në të jetuarin përpara,
zbukurojmë jetën me shkëlqime të kota,
por harrojmë se çdo hap përpara
është një hap që lë diçka pas në kohë.
.
Dhe ajo dritë do të vijë patjetër,
për të bërë inventarin e vjetër,
të asaj që është plasaritur në mure
dhe ka mbetur pezull në kujtesë.
.
Kam parë burra që ndërtojnë pallate madhështore,
me themele që një ditë do të dridhen,
kur drita të vijë për vizitë.
.
Kam parë edhe gra që qepin në heshtje,
me gjilpëra që lënë shenja të padukshme në kohë,
në inventarin që na përket të gjithëve.
.
Dhe megjithatë, gjithçka vazhdon njësoj…
ecën.
. Ariel Bella