Te varrezat çame-Arben Iliazi

Arben Iliazi

 
Ecim ngadalë
mos shkelim mbi kujtime…
Retë trumba – trumba
në qiej harrimi
shkulin flokët nga trishtimi…
 
 
Ecim ne të gjallët
shkelim mbi kockat tona
duke përplasur këmbët pas kafkave…

 

Mbi skeletin e hijeve-
mbeturina trupi
përlyer me gjak të pa ngrirë,
që ende pikon…e botën spërkat,
si tufa e flokëve të djegur
të Sanije Bollatit…

 

Të vdekurit tërheqin të gjallët
pas gjurmëve të tyre…
Gjakosen fytyrat e pafajësive.

 

Në harqe rrufesh
varet ylberi i përzhitur.
Marrëzia e botës
rri varur
në horizontin e frikshëm…

 

Ecim si karvan pas gjurmëve
dhe këmbët mbajmë në shenjë zie…
Jashtë dëgjohen britmat e fëmijëve
që humbën në vetminë e rrugëve…

 

Mbajmë hapat…Për një çast…
Dhe ecim përsëri….
Rrugën na e rrëfejnë Shenjat.
Gjurmët e miteve
Përthyhen si meridianë
Me të gjallët e vdekur
Të vdekurit e gjallë!

 

Ah, Dheu ynë!
82 vjet u endëm si syrgjynë,
duke mbajtur në grusht
këngën e zogut të ikur…
Në qiej bien yjet nga lart
Nga britma e shkumuar e viteve…
***
Eci ngadalë mos shkel mbi kujtime…
Papritur vjen nata si hije
e yjet mbi det perëndojnë
të djegur nga drita e tyre…

 

Hëna e qershorit skuq si plagë
Qan motra me kuje për vëllanë
Qan jeta sipër vdekjes
Dikush me dorë ma bën nga një varr…

 

Ka ndalur koha, gjithësia….
Në flakën e perëndimit
ngrohen plagët e mia…

 

Para se të shuhet nata
Do prek me radhë
yjet që vezullojnë në terr-
si sytë e vëllezërve Bako,
që xhelatët i nxorrën me thika
natën e kasaphanës
në Paramithi…
O Zot, ç’vetmi
e zbraz shpirtin tim
lagur nga lotët
e shirave hyjnorë
mbi Pargë e Arpicë!

 

Mes ajrit dëgjoj dënesat e kuajve
që ende qajnë për të zotët në livadhe…
Fëmininë time kërkoj
të mbetur pezull në kohëra…pa kohë!
 
Kënga e zogjve nisi nga Sajadha
Dhe zëri i gushëkuqit nga Qafëbota
Më vjen
Psenë e pritjes askush s’ma rrëfen…
 
Nga vëllimi “Kuajt qajnë…” (Botimet URA-Prishtinë 2025, redaktore Lumnie Thaçi-Halili)