Minush Jero, dramaturgu që u akuzua si “frojdist”-Arben Iliazi

Arben Iliazi

Minush Jero shkroi shumë drama, por jeta e tij ishte një dramë e vërtetë dhe në të ai ishte personazhi më i dhimbshëm.

Në vitin 1996 në Festivalin e Teatrove në Tiranë, trupa e Korçës me regjisor Mihallaq Luarasin, vuri në skenë dramën e Minush Jeros, “Njolla të Murrme”. Kjo dramë u vu në skenë edhe në Francë nga regjisori Domenic Dolemie.

Takohesha shpesh me Luarasin aso kohe dhe më tregonte se drama “Njollat e murrme”, kur u shfaq në Festivalin Kombëtar të Teatrove, në vitin 1969, fitoi Flamurin e Festivalit. Në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë u organizua një mbrëmje festive për dhënien e flamurit. Sipas mikut tim Luarasi, pjesëmarrës në këtë shfaqje, ishin dhe anëtarët e Byrosë politike – Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Mehmet Shehu ndërmjet të tjerave tha: “Kjo dramë dhe ky spektakël, pasqyron me ngjyra të ndezura realitetin tonë socialist, në zhvillim dhe rrugë të drejtë. Mesazhet e kësaj drame, janë thikë për armikun dhe frymëzim për ne”. Për suksesin e kësaj drame u informua edhe Enver Hoxha, i cili kërkoi ta shihte.

Mbasi mbaroi shfaqja, udhëheqësi duartrokiti ftohtë dhe u largua pa u ngjitur në skenë, siç bënte zakonisht në shfaqje të tjera. Në Byronë Politike, pas një mbledhje urgjente, udhëheqësi foli edhe për dramën: “Drama nxin dhe shtrembëron realitetin. Personazhet nuk janë njerëzit tanë të edukuar dhe kalitur nga partia. Njollat që kanë ata nuk janë të murrme, por të zeza…! Nuk i kemi ne doktorët të tillë, i cili nuk tundet nga shtrati, për të shpëtuar një jetë njeriu. Autori dhe regjisori, kanë gabuar. Kanë paraqitur shtrembër realitetin”. Në këtë mbledhje, i pari u ngrit Mehmet Shehu, dhe bëri autokritikë, duke mohuar veten dhe ngritur lart, mendimet e udhëheqësit.

Pas autokritikës në kupolën e lartë, filluan analiza dhe autokritika në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Autori i dramës, Minush Jero, mbajti një qëndrim ironik ndaj veprës së tij. Ndërmjet të tjerave tha: “Unë jam një nxënës i mësuesit tim të madh. Temën e hartimit nuk e bëra mirë. Mësuesi më vuri notën katër”. Ndërsa, tregonte Luarasi , unë e nisa ligjëratën time me një fjalë të urtë popullore: “Pas beteje dalin shumë trima. Do ta them haptas. Askush nuk ka bërë vërejtje të tilla për dramën dhe spektaklin. Ajo është pëlqyer nga të gjithë, ju që jeni këtu në këtë sallë dhe jashtë saj. Është pëlqyer edhe nga udhëheqës të tjerë të partisë dhe të shtetit…”!

Drama “Njollat e murrme”, kryevepra e Jeros, u ndalua menjëherë, që në premierë nga vetë diktatori Enver Hoxha, si një vepër liberale dhe dramaturgu Minush Jero u akuzua si frojdist.

Në vitin 1973, në kulmin e karrierës, dramaturgu dënohet me 8 vjet burg. Më pas punon si punëtor i thjeshtë në një Fabrikë Gome në Durrës nga viti 1979 deri në 1987.

M. Jero ka shkruar edhe drama të tjera si: “Të pamposhturit”, “Historia e një nate me shi”, “Një hap para vdekjes”, “Dramë mbi mitologjinë”, “Unë jam dashuria juaj”, “Jashtë bie shi”, “Hapni dritaret”, “Shokët”, “Dasëm lufte”.

Edhe drama “Historia e një nate me shi” nuk i kish pëlqyer udhëheqjes së lartë komuniste. Drama ishte përfshirë në një botim të fundit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe ajo trajtonte një histori nga Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri. Ajo çka e shqetëson Hysni Kapon, në shënimet e tij në formë kërkesash, ishte se në këtë dramë sipas tij nuk kishte “asnjë fjalë për Ushtrinë NÇl”, “anjë fjalë për Partinë” dhe se “Partizanët tanë nuk janë futur në fshatra të shkëputur si dhi të egra, por me skuadra, toga, kompani e batalione…”

“Një hap para vdekjes” ishte vepra e tij e fundit, ku përshkruante kalvarin e gjatë të jetës së tij, por edhe shumë poezi dhimbjeje.

Minush Jero, emri i vërtetë i të cilit ishte Emin Jero, lindi më 27 qershor 1932 në qytetin e Vlorës. Ai është një nga figurat e njohura të kulturës shqiptare, dramaturg, poet dhe pedagog.

Jero u nda nga jeta në moshën 74 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, në vitin 2006