Nga përvoja epifanike te struktura e vizionit poetik-Nga Timo Mërkuri


Një mënyrë leximi e poezisë

Nga Timo Mërkuri


Në poezinë bashkëkohore shqipe, Natasha Lako mbetet një nga zërat që nuk i afrohen realitetit për ta përshkruar, por për ta rizbuluar. Poezia e saj nuk ecën nëpër shtigjet e rrëfimit dhe as kërkon t’i japë lexuesit një kuptim të gatshëm. Ajo ndërton hapësira poetike ku sendet, peizazhet, trupi dhe kujtesa humbasin kufijtë e zakonshëm dhe hyjnë në marrëdhënie të reja kuptimore.
Poezia “Nuk di çfarë ka ndodhur” është një shembull i kësaj poetike. Qysh në vargun e parë ajo vendos përballë lexuesit një pohim të pazakontë: subjekti lirik nuk di të tregojë çfarë ka ndodhur, por megjithatë sheh gjithçka ndryshe. Diçka ka lëvizur në brendësi të qenies dhe pasojat e saj shfaqen në mënyrën se si perceptohen kodrat, drita, ujërat, qielli dhe më pas vetë hapësira urbane.
Ngjarja e vërtetë nuk zhvillohet në planin e jashtëm, por në vetëdijen e subjektit lirik. Prandaj poezia nuk përqendrohet te shpjegimi i asaj që ka ndodhur, por te shenjat që ka lënë kjo përvojë në mënyrën e të parit të saj. Natyra shfaqet si hapësirë pjellorie, trupi fiton përmasa universale, ndërsa qyteti bëhet një tekst që pret të lexohet.
Me një gjuhë me prirje surrealiste dhe simbolikë të fortë femërore e biologjike, Lako e afron natyrën, trupin dhe njeriun deri në kufijtë e së njëjtës energjie krijuese. Ky unitet i fshehtë i jep drejtim leximit të saj.
Leximi që propozohet në këtë analizë nuk synon të shterojë kuptimet e poezisë, por të ndjekë një nga shtigjet e mundshme interpretative të saj, duke e parë tekstin si shprehje të një përvoje epifanike që riorganizon mënyrën e perceptimit të botës. Në këtë këndvështrim vërehen edhe elemente të realizmit magjik, jo si tipar përcaktues i poetikës së Natasha Lakos, e cila mbetet një nga zërat më përfaqësues të poezisë moderne shqipe me prirje simboliste e surrealiste, por si një mjet estetik që ajo e përdor herë pas here për të zbuluar përmasat e fshehta të realitetit.
I. Epifania si ngjarja e fshehur e poezisë
Ka shumë poezi që na e fshehin ngjarjen dhe na lënë vetëm dritën që ajo ka lëshuar mbi botë. E tillë është poezia “Nuk di çfarë ka ndodhur”, e cila  nuk na tregon çfarë ka ndodhur , por na fton të shohim çfarë ka ndryshuar.
Qysh në vargun e parë dëgjojmë një pohim që tingëllon si habi: “Nuk di çfarë ka ndodhur”. Por poezia e përgënjeshtron vetë këtë përshtypje. Poetja sheh më shumë se zakonisht. Aq shumë, sa gjuha e zakonshme nuk i mjafton më për të mbajtur peshën e përvojës së përjetuar. Prandaj ky refren nuk është shprehje padijeje, por dëshmi e një tronditjeje të brendshme. Është një çast ndriçimi të brendshëm, kur bota e zakonshme hap papritur një dritare të fshehtë dhe gjërat fillojnë të shfaqen me një kuptim tjetër. Nuk është rastësi që pas refrenit peizazhi nis të lëvizë si në një ëndërr të kthjellët. Kodrat nuk qëndrojnë më të heshtura në horizont; ato “hapeshin si petale”. Drita nuk ndriçon vetëm; ajo ndjek humnerat. Ujërat nuk rrjedhin thjesht në thellësinë e tyre; ato mbajnë brenda “një etje të re”.
Nuk është bota që ndryshon në poezi, por mënyra si ajo shihet. Sendet mbeten po ato, vetëm drita mbi to është tjetër. Poezia nuk përpiqet ta shpjegojë këtë përvojë; ajo na lë përballë gjurmëve të saj, duke sugjeruar se qendra e saj ndodhet diku përtej fjalëve.
Në fund, lexuesi mbetet me ndjesinë se ka ndodhur diçka e rëndësishme, por se poezia ka zgjedhur të na tregojë vetëm rrezatimin e saj. Këtë e dëshmojnë kodrat që “hapeshin si petale të lules të klitorit”, “ujrat e thella, të mbushura me një etje të re”, “kimoja, e mbushur plot lule qershie”, drita që sjell “lajme të mira”. Të gjitha këto nuk janë veçse gjurmë të së njëjtës ngjarje të padukshme.
Burimi i saj mbetet ende i mbuluar, por drita që ka lëshuar mbi botë shihet kudo: te kodrat që hapen si petale, te ujërat me “një etje të re”, te lulet e qershisë dhe deri te “fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë”.
II. Në kërkim të ngjarjes së pashprehur
Në zemër të poezisë rri një heshtje: diçka ka ndodhur, por fjala nuk e shpreh dot. Subjekti lirik endet mes një drite që është ndezur së brendshmi dhe një gjuhe që nuk arrin ta mbajë atë dritë brenda kufijve të saj. Dhe sa më shumë përpiqet ta emërtojë këtë përvojë, aq më shumë ajo i rrëshqet, si ujë që nuk pranon enë.
Poezia nuk rrëfen, por lëshon shenja- si polen që bie mbi imazhe të shpërndara dhe i lidh ato në një rrjet të fshehtë kuptimi. Sa më shumë i afrohesh këtij rrjeti, aq më tepër gjithçka duket se graviton drejt një drite të vetme.
Qysh në fillim, peizazhi nuk është më natyrë, por trup që merr frymë. Kodrat hapen “si petale të lules së klitorit”, sikur toka të kujtonte në heshtje një pjellori të thellë. Më tej shfaqen “vija mashkullore dhe femërore, nga lindin fëmijë”, dy rrjedha që treten në një det krijimi. Ujërat dridhen me “një etje të re”, kimoja mbushet me lule qershie, dhe drita nuk bie mbi botën – ajo e zgjon, e çel si një sy që hapet ngadalë mbi mëngjesin.
Në këtë lëvizje, asgjë nuk qëndron e ndarë. Trupi, natyra dhe jeta njerëzore nuk janë më tri territore të ndryshme, por tri gjuhë të së njëjtës energji. Sikur poetja, në një çast të vetëm ndriçimi të brendshëm, të ketë parë atë që zakonisht mbetet nën sipërfaqe: mekanizmin e padukshëm të lindjes së botës.
Në këtë dritë, edhe femërorja nuk është më thjesht figurë, por princip. Ajo shfaqet si toka që mban farën, si uji që e ushqen, si heshtja ku rritet jeta pa u dëgjuar. Prandaj edhe imazhi i klitorit nuk vjen si provokim, por si prag: një portë e vogël trupore që hap një univers të tërë krijimi, ku biologjia dhe metafizika prekin njëra-tjetrën pa kufi. Edhe lindja e fëmijëve nuk mbetet ngjarje intime apo familjare. Ajo ngrihet si rit i përjetshëm i ekzistencës, si dëshmi se bota nuk lodhet së ripërtëri vetveten. Çdo lindje është si një dritë që ndizet në një qoshe të errët të kohës dhe e shtyn pak më tej horizontin e saj.
Prandaj poezia është e mbushur me figura që çelin: petale që hapen si buzë të tokës, ujëra që zgjohen nga një etje e panjohur, lule qershie që shpërthejnë në heshtje, bletë që mbajnë mbi krahë jo vetëm mjaltë, por edhe peshën e ëmbël të krijimit. Gjithçka duket sikur ndodhet në një gjendje të përhershme agimi.
Por poetja nuk e shndërron këtë vizion në përfundim. Ajo nuk e mbyll përvojën në një formulë, por e lë të hapur-dhe ndoshta këtu lind refreni si jehonë e një përvoje që është më e madhe se vetë shpjegimi.
Në fund, ajo që i zbulohet subjektit lirik nuk është një ngjarje jashtë saj, por një përmbysje e brendshme e shikimit. Një çast kur bota mbetet e njëjtë në dukje, por fillon të marrë frymë ndryshe në sy të saj. Dhe kështu “petalet e lules së klitorit”, “vijat mashkullore dhe femërore nga lindin fëmijë”, “ujërat e thella me një etje të re”, “kimoja e mbushur me lule qershie” dhe “fytyrat e pafajshme të shumë dashurisë” nuk janë më figura të shpërndara, por degë të së njëjtës pemë të padukshme të jetës. Sepse ndonjëherë, ajo që nuk mund të thuhet nuk është boshësi, por një dritë që fjalët nuk arrijnë ta mbajnë.
III. Natyra si hapësira e parë e zbulesës
Në këtë poezi natyra flet e para. Para se të mbërrijë qyteti dhe fytyrat njerëzore, poetja kalon përmes kodrave, humnerave, burimeve, zogjve dhe ujërave. Sikur vetë natyra i del përpara asaj që ende nuk ka gjuhë.
Por kjo nuk është natyra e peizazhit të qetë. As një panoramë që soditet nga larg. Ajo lëviz, çelet, pulson. Kodrat nuk qëndrojnë të palëvizshme në horizont; ato “hapeshin“. Folja sjell ndjesinë e një sythi që çan lëvoren e vet, të një dere që hapet ngadalë drejt një hapësire të panjohur. Peizazhi duket sikur zgjohet nga gjumi dhe fillon të marrë frymë para syve tanë Në qendër të këtij vizioni qëndron figura tronditëse: “hapeshin si petale të lules të klitorit”
Pikërisht këtu natyra humbet kufijtë e saj të zakonshëm. Kodra dhe trupi nuk qëndrojnë më përballë njëri-tjetrit, ato hapen. Njëri hyn në tjetrin. Peizazhi fiton një intimitet të papritur, ndërsa trupi zgjerohet deri në përmasat e peizazhit. Është si të shohësh tokën të lulëzojë nga brenda vetes.
Më tej shfaqet një tjetër imazh i fuqishëm:”humnerat ndiqte drita, por më kot”
Këtu drita sillet si një udhëtare e palodhur që zbret drejt thellësive për të zbuluar sekretin e tyre. Por humnera ruan heshtjen e saj. Ajo nuk dorëzohet. Në këtë përballje të qetë mes dritës dhe thellësisë, poezia prek një nga të vërtetat e mëdha të saj: jo gjithçka që ndriçohet mund të shpjegohet. Gjithmonë mbetet një pjesë e misterit që tërhiqet një hap më tej.
Edhe zogjtë dhe ujërat marrin pjesë në këtë lëvizje të përgjithshme. “në trumba zogjsh përpëlitës, që ciknin ujrat e thella”. Nuk kemi fluturim të qetë, por përpëlitje. Nuk kemi sipërfaqe të kthjellët, por thellësi. Gjithçka duket në kërkim. Si një lumë nëntokësor që kërkon dalje drejt dritës, peizazhi mbart brenda vetes një tension të heshtur.
Këtë e dëshmon edhe vargu:”të mbushura me një etje të re” ku etja nuk u përket vetëm ujërave. Ajo përshkon gjithë poezinë. Është si një pranverë e padukshme që lëviz nën sipërfaqen e gjërave dhe i shtyn ato drejt çeljes së tyre. Prandaj natyra këtu nuk shfaqet si dekor. Ajo është organizmi i gjallë ku rreh pulsi i poezisë.
Sa më shumë ecin vargjet, aq më tepër ndiejmë se kodrat, humnerat, zogjtë dhe ujërat nuk janë objekte të soditjes, por shenja të një bote në lëvizje të pandërprerë. Një botë që hapet si petale, që fsheh thellësi ku drita nuk arrin gjithmonë, që mbushet me “një etje të re” dhe që vazhdon të krijojë edhe atëherë kur nuk e kuptojmë plotësisht. Kjo është arsyeja pse natyra bëhet hapësira e parë e zbulesës në poezi. Ajo është pasqyra ku subjekti lirik sheh të reflektuar ndryshimin e vet të brendshëm dhe vendi ku nis të lexojë shenjat e një misteri që do të marrë forma gjithnjë e më të gjera në rrjedhën e poezisë. Në këtë rrugëtim, natyra nuk i jep përgjigje. Ajo i mëson vetëm të dëgjojë. Dhe nganjëherë kjo është forma më e thellë e njohjes
IV. Trupi si univers poetik dhe gjuha e krijimit
Nëse natyra është hapësira e parë ku shfaqet zbulesa poetike, trupi është vendi ku ajo merr kuptimin e saj më të thellë. Lako nuk e sheh trupin si kufirin e qenies, por si një portë përmes së cilës mund të depërtohet drejt thelbit të jetës. Për këtë arsye figurat trupore nuk vijnë si episode erotike të veçuara, por si pjesë e të njëjtit vizion që ka nisur me kodrat, humnerat dhe burimet. Ndaj në poezi trupi mbetet si një dritare e lagur nga drita e parë e jetës, një prag ku ajo dritë ende nuk është tharë.
Në poezisë e herëshme shqipe, trupi nuk është parë si objekt dashurie, bukurie dhe mallëngjimi. Te Lako ndodh diçka tjetër. Trupi zhvishet nga çdo dekor sentimental dhe rikthehet në gjendjen e tij fillestare: si vend krijimi. Por poetes nuk i mjaftojnë metaforat tradicionale të lules, të dritës apo të pranverës. Ajo zbret në biologjinë e jetës, atje ku nis procesi i saj i fshehtë.
Prania e figurës së klitorit në fillim të poezisë e paralajmëron këtë qasje, ku kuptimi i saj nuk mund të shkëputet nga vargjet që pasojnë: “si vija mashkullore dhe femërore, fare pa kthim/ nga lindin fëmijë”
Këtu vështrimi largohet nga individi dhe shkon drejt ligjit universal të vazhdimësisë. Nuk kemi të bëjmë me trupin si përvojë personale, por me trupin si bartës të misterit të krijimit. Femërorja nuk paraqitet si kategori gjinore, por si parim jetësor. Ajo bëhet simbol i aftësisë së botës për të lindur vazhdimisht forma të reja të ekzistencës.
Në këtë kontekst duhet parë edhe figura më e papritur e poezisë: “dhe mua kimoja, e mbushur plot lule qershije më dilte përpara”
Fjala ‘kimo’ vjen si një ndalesë e papritur në tekst. Ajo duket si një copëz e huaj që bie në trupin e poezisë pa u vënë re dhe menjëherë fillon të marrë frymë si të kishte qenë gjithmonë aty. Ajo nuk vjen me ngarkesën e zakonshme të fjalëve poetike, as me jehonën e luleve, yjeve apo këngës. Megjithatë, në universin e kësaj poezie ajo çel natyrshëm, pa e ndjerë veten të huaj, e mbushur me lule qershie, duke u bërë pjesë e së njëjtës frymë krijuese që përshkon kodrat, ujërat dhe dritën. Këtu shfaqet një nga prirjet e Lakos: të gjejë poezinë atje ku ajo nuk kërkohet, si një dritë që ndizet pa u vënë re.
E mbushur me lule qershie, “kimoja” (veshje japoneze) hyn natyrshëm në rrjedhën simbolike të poezisë. Ajo nuk qëndron përballë natyrës, as përballë trupit. Si kodrat që hapen si petale, si ujërat me “një etje të re” apo si fytyrat e dashurisë, edhe ajo bëhet pjesë e të njëjtit mister krijimi. Në universin poetik të Lakos, gjithçka duket se ushqehet nga e njëjta energji e jetës.
Këtu poezia duket se kapërcen një nga ndarjet më të vjetra të kulturës sonë: ndarjen midis trupit dhe shpirtit. Për Lakon nuk ka dy botë. Nuk ka një realitet të ulët biologjik dhe një realitet të lartë shpirtëror. Të dyja janë pjesë e së njëjtës energji. Kjo është arsyeja pse ujërat, zogjtë, klitori, kimoja dhe lulet e qershisë mund të bashkëjetojnë brenda të njëjtit univers poetik pa krijuar asnjë përplasje.
Sa më shumë ecën poezia, aq më e qartë bëhet se trupi nuk paraqitet si një realitet i mbyllur në vetvete. Ai komunikon vazhdimisht me natyrën. Kufijtë mes tyre treten. Kodrat marrin tipare trupore, ndërsa trupi fiton përmasa peizazhi. Kjo lëvizje e dyanshme krijon ndjesinë se e gjithë ekzistenca është një organizëm i vetëm që merr frymë në forma të ndryshme.
Kjo shpjegon edhe tonin e veçantë të poezisë. Nuk kemi të bëjmë me një himn erotik, as me një meditim biologjik. Ajo që përshkon tekstin është habija përballë fuqisë krijuese të jetës. Poetja duket sikur zbulon se i njëjti ritëm që hap kodrat “si petale“, që mbush ujërat “me një etje të re”, është ai që vepron edhe në trupin e njeriut. Kështu, biologjia pushon së qeni thjesht funksion organik dhe bëhet gjuhë e ekzistencës.
Në fund kuptohet se trupi nuk mbetet më kufiri i qenies, por shndërrohet në një nga shtigjet që e çojnë drejt misterit të saj. Ai hyn në të njëjtën rrjedhë me kodrat, ujërat, lulet dhe dritën, si pjesë e një frymëmarrjeje të vetme të botës. Dhe atëherë kuptohet: poezia nuk e ndjek trupin si objekt, por atë energji të padukshme që kalon përmes tij, e shndërron dhe vazhdon udhëtimin e saj nëpër botë. 
V. Nga natyra drejt vizionit universal
Deri këtu, zbulesa ka kaluar nëpër natyrë dhe trup, duke ndryshuar formë si një dritë që kërkon gjithnjë një tjetër hapësirë. Kodrat, humnerat, ujërat, zogjtë, femërorja dhe lindja e jetës kanë qenë figurat përmes të cilave subjekti lirik është përpjekur të kapë kuptimin e asaj që ka ndodhur. Por poezia nuk ndalet këtu. Ajo vazhdon lëvizjen e saj drejt një hapësire më të gjerë, ku përvoja individuale fillon të marrë përmasa universale.
Kjo lëvizje hapet menjëherë me:”përse kërkoja të ikja më larg” Këtu ‘larg’ nuk është më vend, por zgjerimi i vetëdijes, si një horizont që hapet brenda shikimit.Megjithatë, poezia nuk jep asnjë shenjë se ky largim është gjeografik. Nuk përmenden vende të tjera, horizonte të panjohura apo udhëtime konkrete. “Më larg” këtu duket se i referohet një zgjerimi të vetëdijes. Pas asaj që ka përjetuar, subjekti lirik nuk mund të mbetet më brenda kufijve të perceptimit të zakonshëm. Ai kërkon të shkojë përtej tyre.Është domethënëse që këtë lëvizje nuk e shoqëron ankthi, por një ndjenjë gëzimi të qetë: “me lajme të mira”.
Në këtë varg, tre fjalë të thjeshta mbajnë një peshë të pazakontë. Në një tekst të mbushur me figura të dendura simbolike, këto tri fjalë shfaqen me thjeshtësi. Pikërisht për këtë arsye pesha e tyre bëhet më e madhe. Po cilat janë këto “lajme të mira“? Poezia nuk i shpjegon. Dhe ndoshta nuk ka nevojë t’i shpjegojë. Ato nuk vijnë nga jashtë, por si një dritë që ndizet brenda gjërave, pa e parë askush ndezjen e saj.  Burimi i tyre është vetë drita: “prej dritës që kodrat i çel si petalet“.
Këtu drita nuk është vetëm element natyror, por një lëvizje që prek gjërat nga brenda.. Ajo shndërrohet në forcë vepruese. Nuk ndriçon thjesht peizazhin; ajo e hap atë, e zgjon, e sjell në jetë si një dorë e padukshme që çel petalet e botës një e nga një. Në këtë mënyrë drita bëhet simbol i vetë epifanisë. Është ajo që zbulon lidhjet e fshehta të botës dhe i jep subjektit ndjesinë se ekzistenca bart ende kuptime të pashterura.
Në vazhdim vizioni fiton një përmasë edhe më të lire, si një hapësirë që merr frymë më gjerë se vetë qielli: “dhe qiellin si një bletë të mjaltit të ëmbël e ngre në fluturim” duke mbajtur në krahë një ritëm që nuk i përket më tokës, por gjithë hapësirës. Kjo është një nga ato metafora që nuk kërkojnë zbërthim racional, sepse veprojnë para së gjithash në nivel intuitiv. Bleta është ndër figurat më të lashta të pjellorisë dhe të vazhdimësisë së jetës. Ajo lidh lulet me frutin, pranverën me korrjen. Në universin e kësaj poezie, bleta nuk lëviz më mes luleve, por merr me vete vetë qiellin.
Figura e zgjeron përmasën e vizionit. Tashmë nuk kemi vetëm natyrën që krijon, as vetëm trupin që lind. Vetë kozmosi duket sikur merr pjesë në të njëjtin proces. Jeta nuk është më një dukuri tokësore; ajo shfaqet si një ritëm universal që përshkon gjithçka.
Kjo është arsyeja pse poezia fiton gradualisht një ton të veçantë. Në fillim mbizotëronte habia. Më pas erdhi zbulimi i energjisë krijuese që vepron në natyrë dhe në trup. Tani kësaj habie i shtohet një ndjenjë besimi. Jo një besim ideologjik apo fetar, por një besim te vetë forca e jetës.
Në këtë kuptim, “lajmet e mira” janë vetëdijësimi se bota vazhdon të krijojë. Kodrat vazhdojnë të çelen, ujërat të mbajnë “një etje të re”, zogjtë të përpëliten mbi thellësitë, lulet e qershisë të shpërthejnë në lulëzim dhe qielli të ngrihet në fluturim si një bletë e madhe e mbushur me mjaltin e ekzistencës.
Epifania i kapërcen kufijtë e peizazhit dhe të përjetimit të brendshëm. Poezia lëviz nga “kodrat që nga njëra-tjetra hapeshin si petale”, te “ujërat e thella, të mbushura me një etje të re”, pastaj te “lajmet e mira, prej dritës që kodrat i çel si petalet”, dhe kulmon me figurën e “qiellit si një bletë të mjaltit të ëmbël”. Në këtë rrjedhë, jeta nuk shfaqet si një gjendje e ngrirë, por si një lëvizje e pandërprerë çeljeje, ripërtëritjeje dhe krijimi, që shtrihet nga thellësitë e ujërave deri në hapësirat e qiellit. Si një frymëmarrje që nuk ndalet mes tokës dhe qiellit, duke e mbajtur botën në një çelje të vazhdueshme .
VI. Tirana: zbritja e vizionit në realitetin njerëzor
Deri në këtë çast poezia ka lëvizur në një hapësirë ku natyra, trupi dhe kozmosi komunikojnë lirshëm me njëri-tjetrin. Gjithçka duket e përfshirë nga i njëjti ritëm krijimi: kodrat çelen, ujërat mbushen me etje të re, qielli ngrihet në fluturim. Lexuesi krijon përshtypjen se poezia do të vazhdojë të endet në këtë univers simbolesh, larg çdo konkretësie tokësore. Mirëpo pikërisht në këtë moment Lako bën lëvizjen më të papritur të tekstit. Ajo zbret në qytet. Dhe jo në një qytet abstrakt apo mitik, por në Tiranë: “deri sa në rrugët e Tiranës të lexojë, pllakë pas pllake”
Ky është një nga çastet vendimtare të poezisë. Sepse vizioni që ka lindur në natyrë dhe është zgjeruar në përmasa universale nuk mbetet pezull mbi botën. Ai kërkon të provojë vërtetësinë e vet në jetën konkrete.
Poezia nuk ndalet në qiell, ajo kthehet në tokë. Dhe pikërisht ky rikthim i jep peshë gjithë përvojës së mëparshme. Nëse kodrat, burimet dhe qielli do të mbeteshin të vetmet hapësira të poezisë, rreziku do të ishte që vizioni të mbetej vetëm një ëndërr lirike. Por Natasha Lako nuk e lejon këtë. Ajo e sjell zbulimin e saj në vendin ku jetojnë njerëzit, ku ecin, ku lexojnë shenja, ku përballen me të zakonshmen e përditshme.
Vëmendjen e tërheq menjëherë folja:”të lexojë”. Jo të shohë.Jo të vështrojë.Por të lexojë. Kjo do të thotë se qyteti nuk paraqitet si një hapësirë fizike. Ai paraqitet si një tekst. Si një sipërfaqe e mbushur me shenja që presin të deshifrohen. Pas epifanisë së përjetuar, subjekti lirik nuk sheh më vetëm objekte. Ai lexon kuptime, sikur sendet e zakonshme të kishin filluar të flisnin me një gjuhë që më parë nuk dëgjohej.
Në këtë kuadër merr vlerë të veçantë edhe detaji që vjen menjëherë pas: “atje ku ende nuk është shkulur shënimi ‘mos pështyni në tokë’” Kjo është ndoshta figura më tokësore e gjithë poezisë. Një tabelë e zakonshme, një mbishkrim që mund ta gjesh në çdo cep të qytetit. Dhe megjithatë poetja e përfshin në të njëjtin tekst ku pak më parë kodrat hapeshin si petale dhe qielli ngrihej si bletë.Pse?
Sepse epifania e vërtetë nuk të largon nga realiteti. Ajo të kthen tek ai me një shikim tjetër. Pas zbulesës, edhe një tabelë e vjetër qyteti fiton kuptim të ri. Ajo nuk është më thjesht një urdhër administrativ. Bëhet pjesë e historisë njerëzore, pjesë e përpjekjes së njeriut për të ruajtur një lloj qytetërimi, një lloj respekti ndaj hapësirës së përbashkët.
Pikërisht këtu poezia tregon fytyrën e saj më të veçantë. Ajo nuk vendos kundër njëra-tjetrës natyrën dhe qytetin. Nuk e idealizon njërën dhe nuk e zhvlerëson tjetrin. Përkundrazi, kërkon të zbulojë të njëjtën energji kuptimore në të dyja.
Kjo është arsyeja pse lëvizja drejt Tiranës nuk përbën një ndërprerje të vizionit, por vazhdimin e tij. Subjekti lirik përpiqet të lexojë në rrugët e qytetit atë që më parë kishte lexuar në kodra, në ujëra dhe në qiell. Dhe pikërisht këtu poezia afrohet gradualisht drejt njeriut. Jo rastësisht vargjet përmbyllëse nuk ndalen te pllakat apo te mbishkrimet. Ato shkojnë më tej:”edhe mbi fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë
Pikerisht ketu mbërin udhëtimi I poezisë. Jo te kodrat, jo te qielli, as në rrugët e Tiranës në vetvete, por te njeriu. Sepse gjithçka që ka kaluar përmes këtij vizioni-lindja e fëmijëve, etja e re e ujrave, lulet e qershisë, drita që çel petalet, qielli që ngrihet në fluturim- gjen kuptimin e vetë të plotë në fytyrën njerëzore. Epifania nuk mbetet në peizazh; ajo zbret mes njerëzve dhe gjen strehë në fytyrat e tyre.. Dhe vetëm atëherë vizioni bëhet i plotë.
VII. Dashuria si horizont i zbulesës
Nëse do të kërkonim pikën ku bashkohen të gjitha fijet kuptimore të kësaj poezie, ajo nuk do të ishte as te kodrat, as te trupi, as te qyteti. Të gjitha këto janë stacione të një udhëtimi që ka një drejtim të vetëm: zbulimin e një force që mban të lidhur jetën në format e saj të ndryshme. Kjo forcë në fund të poezisë merr një emër të nënkuptuar: dashuri.
Nuk është rastësi që fjala “dashuri” shfaqet vetëm në fund të poezisë. Deri atëherë poetja ka folur me gjuhën e natyrës, të biologjisë dhe të vizionit. Ka folur për petale, ujëra, zogj, burime, bletë dhe dritë. Vetëm në fund të këtij rrugëtimi lexuesi kupton se të gjitha këto imazhe kanë qenë mënyra të ndryshme për të shprehur të njëjtën energji jetësore.
Prandaj vargjet e fundit nuk duhen parë si një shtesë emocionale e poezisë. Ato janë pika ku mblidhen kuptimet e shpërndara në të gjithë tekstin: “edhe mbi fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë/ parashikuar që kushedi se kur.”
Në këto dy vargje poezia fiton një dimension të ri kohor. Deri tani gjithçka ndodhte në të tashmen e përjetimit: kodrat hapeshin, zogjtë përpëliteshin, drita ndiqte humnerat, qielli ngrihej në fluturim. Papritur shfaqet ideja e një dashurie të “parashikuar“. Kjo e zgjeron vizionin përtej çastit. Sikur poetja të ndiente se ajo energji krijuese që sapo ka zbuluar nuk është diçka e rastit, por pjesë e një rendi më të madh, që ekziston prej kohësh dhe vazhdon të veprojë në heshtje.
Edhe fjala “pafajshme” meriton vëmendje. Ajo nuk lidhet vetëm me fytyrat njerëzore. Në njëfarë mënyre, pafajësia përshkon gjithë poezinë. Është e pranishme në mënyrën si hapen kodrat, si lëvizin ujërat, si çelin lulet e qershisë. Nuk kemi të bëjmë me një botë të ndërtuar mbi konfliktin, por mbi krijimin. Pikërisht kjo e bën dashurinë të duket si vazhdim i natyrshëm i gjithë vizionit poetik.
Në këtë pikë bëhet më i qartë edhe kuptimi i epifanisë. Zbulimi që përjeton subjekti lirik nuk është thjesht estetik, ai nuk lidhet vetëm me bukurinë e botës. Është vetëdijësimi më i thellë: ndjenja se pas dukurive të ndryshme ekziston një parim bashkues.
Prandaj poezia nuk shpërndahet në copëza kuptimesh, megjithëse lëviz nga një figurë te tjetra. Në dukje kemi imazhe të largëta nga njëra-tjetra: klitorin, humnerat, kimon, bletën, një tabelë në rrugët e Tiranës. Megjithatë ato lidhen nga një rrjedhë e brendshme, si degë që ushqehen nga i njëjti trung i padukshëm. Çdo figurë flet, në mënyrën e vet, për vazhdimësinë e jetës.
Në këtë kuptim, dashuria në poezi nuk paraqitet si ndjenjë romantike. Ajo nuk lidhet me një marrëdhënie të veçantë mes dy njerëzve. Është shumë më e gjerë. Ajo shfaqet si forca që mundëson krijimin, ripërtëritjen dhe vazhdimësinë. Është e pranishme te “vijat mashkullore dhe femërore“, te fëmijët që lindin, te “etje e re” e ujërave, te lulet e qershisë dhe te vetë drita që “kodrat i çel si petalet“.
Pikërisht për këtë arsye fundi i poezisë nuk sjell një mbyllje të prerë. Refreni rikthehet edhe një herë: “Nuk di çfarë ka ndodhur.” Por tani ai tingëllon ndryshe nga hera e parë. Në fillim ishte zëri i habisë, në fund shfaqet si zëri i pranimit.
Pas gjithë këtij udhëtimi, poetja ende thotë: “Nuk di çfarë ka ndodhur”. Por tashmë ajo e ka parë gjurmën e asaj që ka ndodhur: në kodra, në ujëra, në dritë, në qytet dhe, mbi të gjitha, “mbi fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë“. Pikërisht aty mbyllet rrethi i vizionit poetik dhe epifania merr fytyrë njerëzore.
VIII. Mjetet artistike në funksion të vizionit poetik
Pas shqyrtimit të përvojës epifanike, të natyrës, trupit, qytetit dhe dashurisë si hallka të së njëjtës zbulesë, mbetet të ndalemi te mënyra se si është ndërtuar artistikisht kjo poezi. Në një poezi si kjo, figurat nuk mund të shkëputen nga vizioni që mbartin. Ato nuk janë zbukurime të vargut, por mënyra për t’i dhënë formë asaj që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt. Përndryshe, rrezikojmë t’i reduktojmë figurat në një katalog metaforash, ndërkohë që funksioni i tyre i vërtetë është të bëjnë të dukshme atë që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt.
Në thelb, poezia lind nga një tension i heshtur mes asaj që njihet dhe asaj që ende s’ka marrë emër. Subjekti lirik gjendet përballë një përvoje që i rrëshqet nga duart si dritë që nuk mund të mbahet. Fjala nuk mjafton, nuk mbyll, nuk përfshin. Dhe pikërisht aty gjuha ndryshon drejtim, sikur kërkon një tjetër mënyrë frymëmarrjeje. Prej këtij çasti lindin figurat e papritura, lidhjet që s’parashikohen, dhe ato kalime të befta ku kuptimi nuk ecën më drejt, por hapet, zhvendoset, rrëshqet nga një hapësirë në tjetrën.
Që në strofën e parë peizazhi dhe trupi shkrihen në një figurë të vetme:“kodrat që nga njera tjetra, hapeshin si petale të lules të klitorit” Kjo figurë nuk është ngritur për të zbukuruar vargun. Ajo ka lindur nga vetë mënyra se si poetja e sheh botën në çastin e zbulesës. Kufiri mes peisazhit dhe trupit zbehet, kodrat nuk qëndrojnë më përballë qenies njerëzore, por hyjnë në të njejtën rrjedhë krijimi. Për këtë arsye figura nuk mbetet një krahasim i zakonshëm; ajo ndryshon vetë mënyrën se si e shohim peizazhin. Kështu ndërtohet një nga tiparet më të dukshme të poezisë: prirja për të bashkuar realitete që zakonisht qëndrojnë të ndara.
Po e njëjta gjë ndodh me figurat e tjera. Humnerat ndiqen nga drita. Ujërat mbushen me etje. Kimoja mbushet me lule qershie. Qielli ngrihet si bletë. Në secilin rast kemi një kapërcim logjik që do të dukej i pamundur në gjuhën e zakonshme, por që në universin poetik fiton natyrshmëri të plotë.
Pikërisht për këtë arsye poezia lëviz lirshëm nga një imazh te tjetri. Lidhjet nuk ndërtohen sipas llogjikës së zakonëshme, por sipas një llogjike të brendshme poetike. Figurave nuk u kërkohet të argumentojnë: ato hapin shtigje kuptimi. Lexuesi nuk udhëhiqet nga arsyeja, por nga intuita që I bashkon këto pamje në një vision të vetëm.
Megjithatë, poezia nuk mbetet brenda surrealizmit të pastër. Në shumë tekste surrealiste imazhet shpesh krijojnë një univers të mbyllur në vetvete. Te Natasha Lako ndodh e kundërta. Çdo figurë, sado e çuditshme të duket, e ruan lidhjen me një qendër kuptimore. Ajo qendër është krijimi i jetës.
Kjo mënyrë e ndërtimit të figurës e afron poezinë edhe me disa tipare të realizmit magjik. Bota reale nuk zëvendësohet nga një univers fantastik, por vazhdon të mbetet e njohshme, ndërsa sendet dhe peizazhi fitojnë natyrshëm cilësi të pazakonta: kodrat hapen si petale, drita ndjek humnerat, qielli ngrihet si një bletë, ndërsa qyteti bëhet një tekst që mund të lexohet. Këto transformime nuk paraqiten si mrekulli, por si një mënyrë tjetër e të qenit të realitetit. Megjithatë, Natasha Lako nuk mund të përkufizohet si poete e realizmit magjik. Poetika e saj mbetet thellësisht moderniste, me prirje simboliste, surrealiste dhe vizionare. Elementet e realizmit magjik shfaqen herë pas here si një mjet estetik që i lejon të zbulojë përmasat e fshehta të realitetit, pa u shndërruar në parimin themelor të krijimtarisë së saj.
Prandaj figurat biologjike nuk paraqiten si provokim estetik. Ato janë pjesë e një sistemi simbolik të ndërtuar me kujdes. Klitori, vijat mashkullore e femërore, lindja e fëmijëve dhe kimoja nuk shërbejnë për të sjellë trupin në poezi, por për të zbuluar te trupi të njëjtin ligj që vepron në natyrë dhe në kozmos.
Po kaq domethënëse është simbolika e dritës. Ajo shfaqet në disa pika kyçe të tekstit dhe gjithmonë lidhet me procesin e zbulesës:”humnerat ndiqte drita” dhe më pas: “me lajme të mira, prej dritës që kodrat i çel si petalet” Në të dy rastet drita nuk është vetëm element peizazhi. Ajo vepron. Kërkon, hap, zbulon. Përmes saj poezia sugjeron se njohja nuk vjen si përfundim logjik, por si ndriçim i beftë i realitetit.
Një rol të rëndësishëm luan edhe përsëritja. Refreni:”Nuk di çfarë ka ndodhur“rikthehet në çdo strofë dhe krijon ritmin e brendshëm të poezisë. Por ai nuk përsëritet me të njëjtin kuptim. Sa herë që rikthehet, pas tij qëndron një përvojë më e pasur. Në fillim është habi. Më pas bëhet kërkim. Në fund shndërrohet në pranimin e misterit. Kjo është arsyeja pse refreni nuk e mbyll kuptimin; përkundrazi, e zgjeron atë.
Edhe kompozicioni i poezisë ndjek të njëjtën logjikë. Teksti lëviz në qarqe gjithnjë e më të gjera si një gur i hedhur në ujë të qetë, ku çdo rrathë e re nuk e përsërit të parën, por e zgjeron, duke e shtyrë kuptimin gjithnjë e më larg qendrës së heshtjes. Fillon me kodrat dhe humnerat, kalon te ujërat dhe trupi, zgjerohet drejt qiellit dhe në fund zbret në rrugët e Tiranës e në fytyrat njerëzore. Kjo lëvizje i jep poezisë një frymëmarrje të veçantë, sikur vetë vizioni poetik të zgjerohej gradualisht derisa të përfshinte gjithë botën.
Në fund kuptohet se vlera e figurave nuk qëndron te veçantia e tyre, por te aftësia për të ndërtuar një univers të vetëm ku gjithçka komunikon me gjithçka. Prandaj në të njëjtin tekst mund të bashkëjetojnë “petalet e lules të klitorit”, “ujrat e thella”, “kimoja, e mbushur plot lule qershije”, “qielli si një bletë të mjaltit të ëmbël”, shënimi “mos pështyni në tokë” dhe “fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë”. Të marra veçmas, këto figura mund të duken të largëta nga njëra-tjetra; të lexuara brenda poezisë, ato bëhen pjesë e së njëjtës gjuhë vizionare. Pikërisht kjo gjuhë i jep formë epifanisë së subjektit lirik dhe e shndërron përvojën e tij të pashpjegueshme në përvojë estetike për lexuesin.
Në fund, poezia nuk mbetet si një objekt që mbyllet në interpretim, por si një hapësirë që vazhdon të hapet edhe kur fjala mbyllet. Ajo që nisi si një “nuk di çfarë ka ndodhur” nuk kërkon më përgjigje, por shndërrohet në një mënyrë shikimi që e përmbys qetësisht botën nga brenda. Gjërat nuk qëndrojnë më përballë njëra-tjetrës. Ato rrëshqasin, si drita mbi një sipërfaqe uji që nuk e mban dot figurën e vet. Natyra, trupi, qyteti dhe qielli nuk janë më kufij, por brigje të përkohshme të së njëjtës rrjedhë që nuk ka emër.
Figura nuk shërben më për të thënë, por për të çarë. Është si një farë e hedhur në tokën e gjuhës, që nuk dihet nëse e shpon vetë tokën nga brenda për tu rritur së pari si filiz. Dhe pikërisht aty ku mendimi I ftohtë do të kërkonte mbyllje, mbetet vetëm një ndjesi e ngrohtë dridhjeje, si gjurmë hapi mbi rërën që sapo është prekur nga uji.
Poezia nuk përfundon; ajo tërhiqet ngadalë si një frymë që nuk shuhet, por mbetet pezull në ajër, dhe e bën botën për një çast më të ndritshme dhe më të paqëndrueshme njëkohësisht.
 
Sarandë, qershor 2026

Nuk di çfarë ka ndodhur
Nuk  di  çfarë ka ndodhur,
i pashë më në fund edhe kodrat që nga njera tjetra,
hapeshin si petale të lules të klitorit,
humnerat ndiqte  drita , por më  kot, me krahët  deri te burimet,
si vija mashkullore  dhe femërore, fare pa kthim,
nga lindin fëmijë.
 
Nuk e di çfarë ka ndodhur,
në trumba zogjsh përpëlitës, që ciknin ujrat e thella,
të mbushura me një etje të re,
dhe mua kimoja, e mbushur plot lule qershije
më dilte përpara.
 
Nuk di çfarë ka ndodhur,
përse kërkoja të ikja  më larg,
me lajme të mira, prej dritës që kodrat i çel si petalet,
dhe qiellin si një bletë të mjaltit të ëmbël e ngre  në fluturim
deri sa në rrugët e Tiranës  të lexojë, pllakë pas pllake,
atje ku ende nuk është shkulur shënimi “mos pështyni në tokë”
edhe mbi fytyrat e pafajshme, të shumë dashurisë,
parashikuar që kushedi se  kur.
                                             
Nuk di çfarë ka ndodhur.