Dritëroi ,viti 1966-“Zhurma e erërave të dikurshme” dhe kritika ndaj tij
Gëzim Llojdia

1.
Dritëroi, një figurë thellësisht e lidhur me tokën,vinte nga Menkulasi i Devollit.Ai ishte mishërimi i devolliut të mirë i bukur, mikpritës, punëtor, burrë besnik dhe me fjalë të ëmbël .Si gazetar, nuk e gjeje kurrë në zyra.Përkundrazi, me jakën e xhaketës ngritur e shihje majë skodave, gjithmonë mes njerëzve të punës.Ai ishte bashkë me ata të fushës, të plorit, të traktorit, të bujkut.
Dritëroi e njihte fushën dhe njerëzit e saj më mirë se kushdo vendali . Ai dinte saktësisht se çfarë bënte plori, kau, parmenda, kali kokulur, gomari i ndërkryer, pela, shterpat dhe pllajat, mëzat dhe kërthinjtë. Këto njohuri të thella e të fituar nga jeta e tij mes tyre i dha atij një zë autentik dhe të pakrahasueshëm.
2.
“…Ai ulej e bisedonte me këdo, pinte raki dhe këndonte.Pra, ky Dritëroi ynë ishte dhe mbeti deri në fund një shqiptar i mirë.Një shkrimtar i mirë,një njeri i bukur.Këto cilësi e bënë atë një zë autentik dhe të dashur.
…Në vitet ’60, siç e pohon edhe Kadare, të rinjtë e letrave shqipe po krijonin dhe po përpiqeshin të bënin letërsi të mirë, me frymë të re.Mirëpo, udha e tyre ishte gati e vështirë,në mos e pamundur. Ishte një kohë kur talenti dhe inovacioni përballeshin shpesh me pengesa.
Edhe Agolli, në rrugën e tij të krijimit,nuk e pati aspak fushë me lule.Ndonëse ai vetë ishte një figurë e ndritur dhe krijimet e tij, bashkë me ato të disa të rinjve të tjerë të asaj kohe në vitet ’60, ishin brilante.Sërish “sëpata” e censurës dhe ideologjisë nuk harronte të godiste mbi këdo.Kjo tregon sfidat e mëdha me të cilat u përballën shkrimtarët në atë periudhë,pavarësisht talentit të tyre të padiskutueshëm apo qëndrimit të tyre partiak.
3.
“Zhurma e erërave të dikurshme” dhe sfidat e krijimit.
“Zhurma e erërave të dikurshme” ishte një përmbledhje tregimesh dhe krijimesh që dëgjohej shpesh, madje edhe në kohën e socializmit, si një ndër veprat më të mira të letërsisë.Megjithatë, si kudo në atë periudhë,ajo pati pjesën e saj të “sulmeve shqiptarçe” kritikash dhe denoncimesh të motivuara ideologjikisht.Më mirë t’i referohemi asaj që shkroi populli, sepse kjo vepër në fakt u pëlqye masivisht dhe kalonte dorë më dorë nën zë. Njerëzit e lexonin me kërshëri, por me një paralajmërim të fshehtë: “Lexoje, por mos ta shoh njeri, se na more në qafë…”
Kjo dëshmon ndikimin e thellë , që pati mbi lexuesit dhe frikën që shoqëronte çdo vepër që devijonte nga norma e caktuar.
Në thelb, “Zhurma e erërave të dikurshme” kishte diçka të bukur, të fshehtë, një letërsi të re, të bukur dhe realiste që po shpalosej por fatkeqësisht, nuk ishte e thënë të shkëlqente lirshëm. Sistemi i asaj kohe e pengonte shpalosjen e plotë të kësaj risie letrare.
Sulmi ndaj “zhurmës së erërave të dikurshme”.Sulmet ndaj veprës së Dritëroit nisën shpejt. Qysh në vitin 1966, te Gazeta Letrare, në një artikull që analizonte tregimin shqip në përgjithësi, Dritëroi u godit në mënyrë të drejtpërdrejtë.Artikulli, ndonëse trajtonte shumë tregime, e kishte fokusin kryesor tek ai.Ja çfarë thuhej më konkretisht, duke akuzuar veprën për devijime morale:
“Është folur për të metat e librit të D. Agollit: “Zhurma e erërave të dikurshme”.
Tregimet e tij: ‘Kur dashuroja një grua’ dhe “Ajo…” që nuk edukojmë me moralin tonë’ autori do të luftojë meskinitetin, por nga pozita të padrejta, që në vetvete mbeten meskine.Nuk ka asgjë fisnike të pajtohesh me moralin tonë, të shkosh për vizitë te një shok dhe t’i marrësh gruan.Nuk do të zgjatemi, se për këtë është shkruar gjerë e gjatë. E kishim fjalën për ta lidhur me diçka tjetër me disa shenja që një moral i tillë mund të bëhet si modë në emër të “gjoja të përparimit dhe të luftës kundër jetës së ngushtë…”
Ky fragment ekspozon qartë se si vepra e Dritëroit e cila sfidonte ngushtësinë e jetës dhe hipokrizinë e moralit të kohës, etiketohej si “meskine” dhe “imorale” nga sytë e kritikës zyrtare. Sulmi nuk ishte thjesht letrar, por ideologjik, duke paralajmëruar rrezikun e “modës” së të menduarit lirshëm në art.
4.
Korrik, 1966. Gazeta letrare e kohës shkruan: “A vlen ky tregim për edukimin e njeriut? Shkruar nga nja aktor i estradës në Elbasan. Ja çfarë shkruan autori:
…Asht kritikue në përgjithësi përmbledhja me tregime: «Zhurma e erërave të dikurshme» e Dritero Agollit,unë due të them disa fjalë rreth tregimit «Egërsia» të këtij vëllimi.
Kur u botua libri, fleta «Libra te reja e N.SH. Botimeve, kishte nji informacion për këtë përmbledhje dhe e ngrinte si vepër të realizueme. Unë nuk due të vë këtu në dyshim forcën poetike të Dritero Agollit dhe as aftësitë e tij për të shkrue në prozë, por do të doja të vë në dukje mentalitetin mikroborgjez, që fshihet në këtë tregim e që shpesh herë shpërthen haptazi në tregimet e tjerë, të këtij vëllimi, si p.sh. «Lamtumirë, kapedani im», «Kur dashuroja një grua» etj.
Në qoftë se tregimi asht i bazuem në realitetin dhe ngrihet në art, atëherë asht letërsi, por në qofte se ky asht vetëm pjellë e nji fantazie të ngushtë, pa njohë thellë realitetin, tue e zvogelue ose tue e zmadhue atë jashtë mase, atëherë kjo s’ashtë letërsi ,por nji kallëzim bajat e pa vlerë.
5.
…Të marrim tregimin «Egërsia». Subjekti asht ky: në një fshat malor jetonin burrë e grue që kishin një djalë 12 vjeç. I jati mbante me buke diversantët. Sigurimi i dikton dhe i arreston. Mbasi s’kanë prova i lirojnë. I biri, ashtu siç e përshkruhen edhe vetë autori *…se ai nuk ishte një fëmijë 12 vjeçar, po një djalë i pjekur, me logjikë dhe forcë vullneti…» tregon se i ati asht ai që mban diversantët. I ati arrestohet. Mbas 8 vjetëve i ati kthehet në shtëpi dhe një natë, mbasi nxehen atë e bir për punë të kalit, që plaku don ta shesë, ndonëse i biri don t’ia japë kooperativës, ai e qëllon me dru krese të birin. Ky mbetet në vend dhe shndërrohet, ashtu siç thotë autori, në një idiot, që din të bëjë vetëm mu-mu-mu». I jati ikën nga shtëpia, kthehet, nuk mund të durojë të birin, asnjë s’e përkrah, ikën prape dhe gjendet nga roja e pyllit i varun «me rrypinë e pantallonave të veta». Kjo asht e gjitha. Mund të thotë ndonjeni, po ndoshta ka ndodhë! Ndoshta! Po, sa i vlen kjo shoqërisë sonë? Ku asht forca e kolektivit?
Mos kjo ngjarje ka ndodhe në kohë Italisë apo në kohë të Zogut? Në vend të përshkrimit të përpjekjeve për shkaqet e luftës klasore, autori merret me momente patologjike, me skena që janë larg tregimit shoqëror të subjektit.
6.
Po zbresim te pjesa e tretë sipas kësaj analize.
«Idioti tërë jargë rrinte në qoshe të odes dhe bënte mu-mu-mu», thotë autori dhe ma poshtë e përsërit prapë po me të njëjtën ironi: «Ai ish shtrirën kurriz, kish hapur gojën dhe nga dy cepat e buzëve dilnin jargë».
Sa e pështirë! Ky asht personazhi pozitiv që ka krijue autori? Në këtë tregim, plaku, na paraqitet një soj krimineli të cilin s’ka mundësi ta brejë ndërgjegjja e ta detyrojë të varë veten, sepse një njeri si ai, me dashje dhe i ndërgjegjshëm për atë ç’ka ban, vret të birin. Atëherë s’i mbetet këtij njeriu për të ba kundra të tjerëve. Mandej, ne sa lexuesit i vjen keq e njëkohësisht tmerrohet nga ai krim, na kujtohet shoqëruesi i autorit, i cili në fillim të tregimit i rrëfen ngjarjen.
Ky thotë: «Ti pyet se cili asht ai? Nuk e ke dëgjuar Gani Bredhin? – u kthye nga unë shoku im – Gani Bredhi është me nam këtej».
…Të lind në shpirt një urrejtje për këtë njeri ,që nis të tallet me fatkeqësinë e të tjerëve në vend, që t’i japë dorën e ta ndihmojë.
Që nga fillimi e deri në fund, tregimin e përshkojnë nuanca të vdekuna e të ndohta, që s’të emocionojnë, por përkundrazi të revoltojnë. Lexuesit kërkojnë shkrime të mira, me brendi të shëndoshë, ku të pasqyrohet jeta e tyne me të gjithë aspektet e saj, dhe jo tregime të neveritshëm. Nuk asht dashunia sentimentale, konceptet e ngushta të dashurisë e trillimet e subjekteve aventureske, ato që çojnë përpara letërsinë tonë socialiste, por asht forca, vullneti i çelnikët e patriotizmi i popullit tonë, që e karakterizon atë. Atëherë përse të mbjellim krande të holla e të shtrembëta në fushën e letërsisë që s’kanë asnjë vlerë, për deri sa kemi në dorë filiza të shëndoshë e frutdhanës?
Kërkesat e lexuesve janë rritë shumë prandaj, ne, rinia, kërkojmë nga shkrimtaret që të shkruhen vepra të mira, që të mund të na frymëzojnë në punën tonë të përditshme për ndërtimin e socializmit, të shikojmë heronj të ditëve tona, të cilët nuk janë të paket, veçanërisht sot, me këtë hov revolucionar që ka shpërthyer në të katër anët e vendit tonë dhe, si në pasqyrë, të shohim ndryshimet kolosale që ka ba atdheu ynë socialist…
7.
Si u prit libri ja çfarë thotë autori në botimin nga Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2014.Fq. 368.
Koment nga autori
…Kaloi një kohë dhe libri “Zhurma e erërave të dikurshme” nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi edhe shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese “NaimFrashëri”. Në atë takim ishim përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte nëpër librari apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacional -Çlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një ndër pjesëmarrësit, që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj. Pasi më bënë disa vërejtje të tjera dhe disa këshillime, se si gazetar i “Zërit të Popullit”, ku punoja duhej të isha shembull në pasqyrimin e realitetit dhe të mos bëja gabime ideologjike, vendosën që libri të shkonte përsëri në shtëpinë botuese “NaimFrashëri”, të hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoheshin me disa të tjerë, të cilët të kishin në qendër “heronj pozitivë”.Sipas këtij këshillimi, unë hoqa disa tregime si, fjala vjen, “Njeriu me veladon”, “Egërsia” dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim, libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequra nga shtypshkronja mbetën në duart e dashamirësve.
Me gjithë këtë ndryshim “Zhurma e erërave të dikurshme” filloi të bëjë zhurmë. Në shtyp ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike. Kritikat u rritën pas Plenumit të 15 – të të KQ – së të PPSh së të vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan edhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur mos të kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu, për mua ai tha se Dritëro Agolli është bir i Partisë dhe ka vepra të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën “Devoll, Devoll”.Koha bën të sajën. Librit tim me tregime i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia. Kjo barrë iu ngarkua mësuesve të letërsisë. Gruas sime, Sadijes, 23 vjeçare, në atë vit e martuar me mua, mësuese e letërsisë në shkollën “Partizani”, i ra shorti të kritikonte burrin e saj, që kishte tre muaj e martuar.Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m’u drejtua: “Më thanë në drejtorinë e shkollës që të të kritikoj ty për atë librin…”. Iu përgjigja: “Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!”. Sadija m’u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t’ia shpjegoja gabimet ideologjike që përmbante “Zhurma e erërave të dikurshme”.Po kjo është një histori e gjatë, që në këto shënimet do të dukej pakëz e tepërt. Megjithatë duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi “Zhurmën…”. E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë mund të fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo!
8.
Koment nga Ismail Kadare.
…Ne kemi qenë miq, kjo është e vërtetë. Madje miq shumë të afërt, qysh në gjimnaz. Pas kthimit nga studimet e larta në Rusi, miqësia u bë edhe më e fortë për shkak të bindjeve të njëjta politike dhe hapur flisnim kundër tij. E donim vendin, por ishim të zhgënjyer nga komunizmi, e sidomos nga versioni i tij shqiptar. Kjo vazhdoi gjer në vitin 1966, kohë në të cilin ai botoi librin e tij më të mirë, një ndër më të mirët e kohës, “Zhurma e erërave të dikurshme”…
9.
I madh,por jo i paprekshëm.
…Nga rrugët e pluhurosura të Devollit e deri në majat e letërsisë shqipe, Dritëro Agolli mishëronte zërin e popullit dhe forcën e fjalës. Megjithëse ishte një figurë e madhe dhe një shkrimtar me ndikim të jashtëzakonshëm dhe një njeri thellësisht i dashur, ai nuk ishte kurrë i imunizuar ndaj sulmeve.Historia e tij, e ndërthurur me “Zhurmën e erërave të dikurshme” dhe kritikat, dëshmon se edhe zërat më të fuqishëm, nën një sistem represiv,viheshin vazhdimisht përballë sfidash dhe akuzash dhe pikërisht kjo e bën figurën e Agollit një kolos letrar në letërsinë shqipe.