Hiç

Ju jap dhe kalin, po të doni,
Pegasin tim dobiç,
Shpërblim për kalin mos dërgoni,
Shpërblim nuk dua hiç.
Shkujdesjen time prej poeti
Më falni ju, or miq,
Kjo mburrje dreqi prej qyteti
Për mua nuk vlen hiç!
Fitimi mendjen sjell vërdallë,
Floriri Zotin prish,
Po shpirti s’rri në vend pa dalë, –
Dhe ç’mbetet? S’mbetet hiç!
Zyrtari mat me hap sallonin
Dhe digjet për ofiq,
Në qafë e var dhe medalionin,
Po ç’ka medalja? Hiç!
Peshkopi mban në kokë mitrën
Dhe xhybe mban një prift.
E ç’ndosh pastaj? Të gjitha ikën,
Prej tyre del një hiç!
E do djaloshi vajzën shumë,
I sillet si ogiç,
Dhe dasmën shtron me prikë e zhurmë,
E ç’vjen prej dasmës? Hiç!
Rimon poeti rima-rima,
Çmon veten sigurisht,
Dhe merr kurora me dafina,
Më vonë e pret një hiç!
Rreh gjoksin rrugës mburraveci
Dhe shkrofëtin si viç,
Kërcen krekosur karkaleci, –
Krekosja pjell një hiç!
Me drojtje sillet ndaj poetit
Kjo çupkë buzka-fiq,
Kërkon çudira prej të shkretit
Dhe s’gjen çudira hiç!
Ia do poetit përkëdheljet
Vajzushka gjer në shpirt.
Nga përkëdheljet çfarë i mbetet?
I mbetet veç një hiç!
Kanos peshkopi heretikun,
Që mbledh pas tij të liq
Dhe botën prish e shton rrezikun,
Po bota s’ndreqet hiç!
Hajt, lamtumirë, e pres anijen
Me valët kalakiç.
Sikur të vdes e të përpihem,
S’ju dhëmb kjo vdekje hiç.
perktheu D.Agolli.