Buka me sheqer-Kledia Alizoti

.

Kledia Alizoti

Një kujtim për Nanëdajën

Prolog

Kujtimet kanë mënyrën e tyre për t’u zgjuar. Disa rikthehen kur shkel përsëri në tokën e fëmijërisë; të tjera, më të thella, zgjohen kur prek fjalët që dikush ka shkruar me zemër.

Kur mora në duar librin e tezes sime, “Hyjnori Gji” nga Ildije Xhemali, ndjeva të më zgjohej diçka që nuk kishte fjetur kurrë, por vetëm më kishte pritur në me durim.Atë fjalën që e humba kur i largova.

Fjalët e saj, të thurura me dashuri, dhimbje dhe përvojën jetësore, më çelën një derë të brendshme drejt kujtimeve të mia me Nanëdajën.

E lexova monografinë me buzëqeshje të brishtë fëmije, atëherë kuptova se brenda meje kisha mbajtur të heshtur një zë të vogël që kërkonte të fliste.

Një kujtim që nuk duhej të mbetej në heshtje.

Një copëz jete që më lidhte me të, në mënyrën time.

Isha vetëm dhjetë a njëmbëdhjetë vjeçe, në një ditë të ftohtë vjeshte, kur mora vesh nga mami se Nana ishte sëmurë dhe se atë ditë duhej ta lija shkollën.

Ime më ishte larguar me nxitim nga puna, sapo kishte dëgjuar një fjalë rrëshqitazi nga Çerma. Pa hequr këpucët, hyri në shtëpi dhe më tha:

“Vishu shpejt, do ikim!”

Ato dy fjalë u bënë urdhër që më shkundën nga librat dhe çanta gjysmë e hapur.

Vesha pantallonat e stofit që dikur kishin qenë fundi i saj, të përshtatura me kujdes për trupin tim, një nga ato sakrifica të heshtura që nënat e asaj kohe i bënin pa u menduar dy herë. Në ngut e sipër harrova bukën që do të merrja me vete për pushimin e madh në shkollë.

Qielli dukej sikur e dinte se diçka nuk ishte në rregull. Retë u shtrinë si batanije mbi fushat e Lushnjës dhe një heshtje e hollë më mbushi kraharorin, një parandjenjë që ende nuk merrte formë.

Hipëm mbi një Skodë të vjetër që rënkonte në çdo kthesë si një plak i lodhur nga jeta. Rruga u duk e pafund dhe, kur më në fund zbritëm, na priste edhe një gjysmë ore në këmbë, nga xhadeja e pashtruar deri në Çermë Sektor.

Këmbët e mia nuk e njihnin atë rrugicë fshati, as shtëpitë me pullaze të ulëta, as dritaret që përpiqeshin të mbanin jashtë erën e dimrit.

Kur u shfaq në derë, Nana dukej më e dobët se herën e fundit që kishte qenë tek ne. Por sytë i kishte po ata: të thellë, të lodhur, e megjithatë të ngrohtë, si oxhaku që digjej pas saj.

Ajo nuk kishte rritur vetëm shtatë jetimë. Kishte mbajtur mbi supe fatin si një gunë dimri, pa u ankuar kurrë. Edhe kur jeta ia kishte lidhur duart dhe ia kishte rrudhur fytyrën, mbeti po ajo grua e fortë,fjalëpakë e me zemër të madhe.

Sapo hymë, unë vrapova të luaja me fëmijët e dajës. Qeshëm, u ngacmuam dhe harruam kohën. Edhe unë harrova se nuk kisha ngrënë asgjë që nga mëngjesi.

Ne ishim fëmijë të rritur me heshtje e ndrojtje. Nuk flisnim pa na pyetur. Prandaj edhe uria ime heshti bashkë me mua.

Por Nanëdaja e kuptoi.

Veshi i sprovuar dëgjonte edhe zërat që nuk flisnin. Kujdesi i saj kapnin urinë e një fëmije, ashtu siç kap zemra e një nëne rrahjet e foshnjës që ende nuk ka lindur.

“E ka marrë uria,” i tha sime mëje. “Si nuk u kujtova më parë…”

Zëri i saj më përshkoi si ledhatim.

Fërkoi cepin e syrit me shaminë e bardhë që nuk e ndante kurrë, sikur të donte të fshinte jo vetëm lotin, por edhe fajin e harresës.

Mami pohoi me kokë, duke parë nga tenxherja mbi sobë. Por Nana nuk priti darkën.

U ngrit menjëherë, siç ngrihet bima kur ndien shiun, dhe u kthye me një copë bukë të lyer me vaj ulliri e pak sheqer sipër.

Aq pak në dukje.

E aq shumë për stomakun tim.

M’u duk sikur mbaja në duar një pjesë të vetë zemrës së saj.

Bukë me shije fëmijërie, e ëmbëlsuar nga kujdesi dhe e njomur nga dashuria e një brezi që nuk dinte ta shprehte dashurinë me fjalë, por dinte ta dhuronte të gjithën me një kafshatë.

Hëngra ngadalë, thuajse me ndrojtje, ndërsa ajo më sodiste me sytë e saj të heshtur.

Rrudhat e kohës ndriçonin edhe më shumë nga flaka e oxhakut, që dukej sikur e përkëdhelte fytyrën e saj. Duart i kishte bashkuar qetësisht në prehër dhe damarët i dukeshin si rrënjët e një peme që vazhdonte të ushqente degët.

Që atëherë, sa herë më merr uria, mendja më kthen atje.

Në atë dhomë të ngrohtë. Nën velënxën e trashë. Te aroma e bukës së lyer me vaj e sheqer. Te zëri i butë i Nanëdajës.

Sepse nuk na ushqeu vetëm me bukë,

na ushqeu me butësi, e me dinjitet.

Me një dashuri që nuk kërkoi gjë si shpërblim.

#kleaspoetry#everyone

#kleasart