Bajram Torba

Nganjëherë një tis mjegulle m’i zë sytë e nuk zë vend,
Nganjëherë, si i hutuar, pa caqe endem kuturru,
Nganjëherë, si i marrë, mes kujtimeve të mia rend,
Nganjëherë iluzionet e ashpra më mbysin këtu.
Bora e dlirë më shfaqet mbi gjithçka nganjëherë,
Pastaj kopshtet me lule të pakafshuara ëndërroj,
Nganjëherë shkrihem kur më përkëdhel një erë,
Nganjëherë murin e pasqyrës time dua ta shpoj.
Nganjëherë, porsi një fëmijë trazovac, ngjasoj,
Që ëndrrave të mia vrrullsbem t’u ngjitem pas,
Nganjëherë mes dehjeve të largëta duket se lundroj,
Nganjëherë më vjetërrohen flatrat kur vargun ngas.
Nganjëherë marrëzive të të çmendurve dua t’u gjej një emër,
Copëzat e shndritshme të hënës t’ua ul në prehër nganjëherë,
Nganjëherë natyra më ngjason me një femër,
Që vishet me jeshile si për Pashkë, në pranverë.
Nganjëherë pandeh se dyshimet më rrëzojnë,
Kur i shurdhër-memec bëhem nganjëherë,
Nganjëherë ca sy të çakërdisur më vështrojnë,
Ndërsa unë buzëqesh hidhur, bëhem vrerë.
Turravrap kërkoj të kap ca tinguj nëpër hapësira,
Shtretërit e butë të lëndinave i kujtoj nganjëherë,
Si një udhëtar i lodhur endem nëpër humbëtira,
Nganjëherë pyes veten: “Ç’të ndodhi këtë herë…?”