Mësuesja e Matematikës-Judita Dedi

Judita Dedi


(Nga një ngjarje reale)

Kur punoja si mësuese në qytetin ku kam lindur, në shkollën tonë erdhi një mësuese matematike.
Ishte e re në moshë, por në fytyrën e saj dukej një trishtim që nuk fshihej dot. Më vonë mësuam se pak kohë më parë kishte humbur të fejuarin, me të cilin kishte qenë prej vitesh…
Na tregoi se për gati dyzet ditë kishte konsumuar vetëm ujë, lëngje dhe kafe. Nuk kishte oreks, nuk flinte mirë dhe nuk gjente forcë për të vazhduar jetën.
Prindërit, të shqetësuar për gjendjen e saj, e bindën të fillonte punë. Menduan se ndoshta ndryshimi i ambientit do t’i bënte mirë.
Ditët e para ishin shumë të vështira.
Hynte në klasë, përpiqej të jepte mësim, por e kishte të pamundur të përqendrohej.
Një ditë erdhi në sallën e mësuesve dhe tha:
Do ta lë punën. Kudo më shfaqet ai. Nuk mundem.
Ne ishim një grup mësuesish të rinj.
Çdo mëngjes pinim kafe në një lokal pranë shkollës para se të fillonte mësimi, ose gjatë orëve të lira. Çdo ditë e ftonim edhe atë.
Në fillim vinte, por rrinte pothuajse gjithë kohën në heshtje.
Me kalimin e ditëve filloi të fliste.
Pastaj të buzëqeshte.
U përfshi në bisedat tona, në shakatë e vogla dhe në jetën e përditshme të shkollës.
Pak nga pak u lidh me nxënësit..
Filloi të përgatiste orët me pasion, të gëzohej për sukseset e tyre dhe të merakosej kur nuk mësonin. Mori pjesë edhe në disa ekskursione me stafin. Ishte ndryshe. Më e qetë. Më e pranishme.
Nuk besoj se e harroi ndonjëherë njeriun që kishte humbur.
Por puna, nxënësit dhe njerëzit që e rrethonin e ndihmuan të rikthehej dalëngadalë te jeta.
Që atëherë kam besuar se puna nuk shërben vetëm për të siguruar jetesën…
Ndonjëherë ajo të shpëton edhe shpirtin.
E ndonjëherë, mjafton një tavolinë me kolegë, një filxhan kafe dhe njerëz që nuk të lënë vetëm, që një njeri të gjejë forcën për të vazhduar..