
Nga Shkëlqim Selmani
Protestat janë një shenjë e bukur shprese për një Shqipëritë re. Si asnjëherë më parë, kryesisht të rinjtë, por edhe burra e gra të pakënaqur e atdhetarë, kanë dalë në shesh të revoltuar, si fillim nisur nga një projekt që rrezikon një nga pasuritë më të çmuara natyrore të vendit, por edhe nga një pakënaqësi shumë më e thellë ndaj mënyrës autokrate dhe mafioze të qeverisjes, abuzimit me pushtetin, arrogancës dhe mungesës së llogaridhënies. Kjo energji është e vyer. Ajo duhet ruajtur dhe zgjeruar. Pikërisht për këtë arsye, çdo tendencë për të përjashtuar nga protesta grupe të caktuara qytetarësh është një gabim që mund të çojë deri në përçarje e shuarje të protestës.
Është e kuptueshme që të rinjtë protestues dhe atdhetarë nuk duan të shohin të dalin në krye të kësaj lëvizje rinore individë të konsumuar politikisht apo figura që kanë humbur besimin publik. Po aq e drejtë është edhe dëshira që protesta të mos kthehet në tribunë partiake, por krejt tjetër gjë është të përjashtosh opozitën si trup shoqëror dhe politik. Ata që kanë 13 vjet në opozitë nuk mund t’i largosh. Për më shumë se një dekadë ata kanë denoncuar, protestuar, votuar kundër, mbajtur gjallë kritikën ndaj pushtetit dhe kanë paguar kostot e qëndrimit në opozitë. Mund të mos jesh dakord me drejtuesit e tyre, mund të kritikosh gabimet e tyre, por nuk mund t’u mohosh të drejtën 500 000 demokratëve, bie fjala, për të qenë pjesë e një proteste kundër të njëjtit kryeministër e pushtet që ata e kanë kundërshtuar dhe paditur prej shumë vitesh.
Një protestë fiton kur bashkon, jo kur përjashton. Nuk mund të largosh pensionistët sepse janë të moshuar, mësuesit sepse nuk janë të rinj, apo qytetarët opozitarë sepse kanë bindje politike ?! Demokracia nuk ndërtohet mbi përjashtimin. Fitorja arrihet vetëm me bashkimin e të gjithë atyre që kërkojnë ndryshim. Historia na mëson se asnjë lëvizje e madhe qytetare nuk ka fituar duke u bërë më e vogël. Ajo fiton kur arrin të bashkojë të rinj e të moshuar, studentë e punëtorë, qytetarë pa parti dhe qytetarë me bindje politike të ndryshme rreth një qëllimi të përbashkët.
Sot qëllimi është më i madh se çdo parti dhe më i madh se çdo individ: mbrojtja e interesit publik, e demokracisë dhe e të ardhmes së vendit. Prandaj, protesta ka shumë nevojë për fytyra të reja, për energji të re dhe për ide të reja, por ajo nuk ka nevojë të shpallë armiq ata që kanë qenë në anën e kundërshtimit për më shumë se një dekadë, pavarësisht gabimeve e fajeve të lideshipit të tyre. Ata mund të kritikohen, në këtë protestë, nuk mund të udhëheqin, por nuk mund të përjashtohen asesi. Kuptojeni këtë !
Të rinjtë e mrekullueshëm, të guximshëm dhe të vendosur në kauzën e tyre për një Shqipëri të re, patjetër që nuk duhet ta dorëzojnë lidershipin te aktorë politikë të konsumuar, por as nuk duhet të kenë frikë se nga vjen një protestues, kujt partie i përket ai, çfarë moshe ka … Ata duhet të shohin nëse ai është i gatshëm të qëndrojë e të luftojë kundër qeverisë së korruptuar dhe padrejtësisë.
Si përfundim, duke qënë larg dhe në pamundësi për të qënë bashkë me ju aty, nëpërmjet këtij shkrimi mbështetës e dashamirës, ju falenderoj thellësisht nga zemra për protestën tuaj paqësore, për rezistencën tuaj epike, për kreativitetin tuaj të admirueshëm, për guximin tuaj atdhetar. Gjithashtu dua të jeni largpamës dhe të kuptoni, se në këtë betejë, askush që ka qënë dhe është kundër kësaj qeverisje antipopullore, kundër këtij sistemi autokrat, nuk është i tepërt dhe nuk mund të përjashtohet. Përjashtim bëjnë vetëm patronazhistët, provokatorët dhe gjithë ata që i shërbejnë pushtetit …