
Elisabeta Isufi
Palltoja e vjetër rri mbi supe
si një shok i heshtur i udhëve të gjata.
Ka thithur erën e qyteteve të huaja,
ka dëgjuar gjuhë që s’i fola dot kurrë,
ka parë mbrëmje pa yje,
mëngjese pa atdhe.
Xhepat e saj mbajnë ende
fatura të vjetra, bileta trenash,
dhe ca thërrime shprese
që s’i humba kurrë.
Mbi jakën e saj ka rënë shi që s’ishte imi
dhe borë që s’erdhi nga malet e vendit tim.
Kur e vesh, më vijnë të gjitha pranë:
hapat e largët, netët e gjata,
malli që të merr për dore
si një fëmijë i vogël i braktisur.
Palltoja ime e vjetër i di të gjitha
dëshirat, frikërat, pritjet.
Por brenda saj
kam fshehur gjithmonë një ëndërr:
një kthim.
Një udhë pa valixhe të rënda,
pa stacione të panjohura,
pa harta që më humbin rrugën.
Dhe kur një ditë ta hedh mbi supe
e të zbres në tokën time,
palltoja e vjetër nuk do të duket më e rëndë —
do të mbajë vetëm heshtje.
Do t’i ruajë brenda vetes
kujtimet e mërgimit,
ndërsa zemra ime
do të jetë sërish në vendvin e saj.