Nga Libri :Misionarë të Miqësisë midis popujve e shteteve të Gjermanisë dhe  Shqipërisë-Shyqyri Fejzo

Në vend të hyrjes.

Miqësia midis popujve nuk ndërtohet vetëm nga traktate, protokolle e nënshkrime zyrtare. Ajo lind, rritet dhe forcohet nga njerëz konkretë, nga gra e burra që me punën, përkushtimin dhe ndershmërinë e tyre bëhen ura të gjalla mes kulturave, gjuhëve dhe historive të ndryshme. Në këtë kuptim, marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë një histori e shkruar jo vetëm nga diplomacia shtetërore, por edhe nga “misionarë të heshtur” të miqësisë, të cilët shpesh kanë vepruar larg dritave të skenës, por me ndikim të qëndrueshëm e të thellë.

Ky libër është një përpjekje për të sjellë në vëmendje pikërisht këta njerëz: personalitete që, në fusha të ndryshme si diplomacia, kultura, arti, shkenca, biznesi apo veprimtaria qytetare, kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet Gjermanisë dhe shqiptarëve – në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor. Ata janë “vidat lidhëse” të urave të miqësisë, pa të cilat këto ura do të mbeteshin të brishta ose të papërfunduara.

Kujtesë e Fortë.

             Në vitet më të vështira të shtetit shqiptar, kur diplomacia kërkonte maturi, guxim dhe vizion, Shqipëria pati në Gjermani një përfaqësues që e kreu misionin me dinjitet të plotë shtetëror.
Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë në vitet 1997–2002, ai u shqua si diplomat i shkëlqyer, partner serioz dhe njohës i thellë i zhvillimeve rajonale, duke kontribuar ndjeshëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane dhe në çështjet madhore të kohës, përfshirë Kosovën.        

          Kur vendosa të shkruaj këtë libër, mbasi kisha mbledhur materialet e nevojshme, mendova të krijoj edhe një skemë për të shpjeguar qëllimin si dhe personazhet misionarë që do të përbënin lëndën. Kisha lexuar e studiuar dy vepra të rëndësishme të shkruara nga ish ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli, si dhe materiale të tjera. Epiqendra e misionarëve, nga do ta ktheje, dilte zoti Bashkim Zeneli. Si i tillë, i pa diskutueshëm,  kontaktova me të me mënyrat që e pashë të arsyeshme. Fundi i fjalës, mora përgjigjen “se: … nuk dua të përfshihem në librin që ka në plan të shkruaj….Thjeshtë kam bërë detyrën e kam marrë vlerësimet..” Kuptohet, do të dëgjoja dhe respektoja  mendimin e diplomatit, politikanit e kuadrit të sprovuar. Duke lexuar e studjuar me kujdes dy vëllimet e shkruara nga ai për Gjermaninë, e theksoj që në fillim, se autori ka hequr një “lëvere” të rëndësishme që mbulonte misterin e këtij shteti lider të Europës. Aty, lexuesi është njohur me zhvillimet e mëdha nëpër të cilat ka kaluar ky shtet dhe ai popull. Ato libra janë konceptuar dhe shkruar mjeshtërisht, në përdorimin e fjalëve, fjalive, figurave letrare e konkluzioneve përkatëse. Veçori, për mendimin tim, është se masa është ruajtur me fanatizëm, duke futur e lexuesin sa më thellë në kërkim me interes të ngjarjeve e problemeve dhe më e rëndësishmja, pa ndjerë lodhje se lehtësinë e sillte kompozimi, madhësia e kapitujve, rrjedhëshmëria e gjuhës që mund të krahasohej me gurgullimin e ujrave kristal të maleve tona.

Aty gjeta edhe vlerësimet për ambasadorin tonë të nderuar nga njerzit që kanë qënë dhe janë ajka e politikës dhe veprimtarisë të atij shteti. 

          …”kemi parë vazhdimisht një diplomat të shkëlqyer, një politikan të zgjuar dhe  një partner shumë serioz, të hapur dhe bashkëpunues,,,” ka thënë Dr.Johannes Rau, President i Republikës Federale të Gjermanisë.  “Bashkim Zeneli është njohës i shkëlqyer i politkës në rajon.” Është mendimi i ish Ministrit i Punëve të Jashtëme të Republikës Federale të Gjermanisë. “Z.Zeneli është ambasadori  i shkëlqyer i Shqipërisë por që, ndoshta ka punuar më shumë për çështjen e Kosovës”  theksonte Joschka Fischer. Ambasador Bashkim Zeneli është diplomati mjeshtër që i ndryshoi shumë imazhin Shqipërisë”  do të theksonte Ministër i Brendëshëm i Republikes Federale të Gjermanisë, Otto Schilly. Para këtyre vlerësimeve, shto dhe faktin se është nderuar në vitin 2018 nga President i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtr i Madh”,autorit të librit nuk i mbetej të përmendëte dhe të paloste të tjera mendime e konkluzione mbi këto vlerësime plotësisht të merituara.

             Autori në këtë mes u ndodh midis dy mendimesh që vepruan si forca për punën e mëtejshme dhe nxjerrjen në qarkullim të librit. Të shkruash për misionarët e lidhjes dhe forcimit të mardhënieve midis popujve e shteteve të Gjemanisë me Shqipërinë  dhe të mbetej “nën hije” ish ambasadori shqiptar më i suksesëshëm në Gjermani, Bashkim Zeneli, kjo do të përbënte një ngjarje jo normale, të cilën nuk e suportova dot. Vendosa që pak “esencë” nga gjithë ajo veprimtari e lartë diplomatike e patriotike, ta paraqit në këtë hyrje. Ksisoj po i kërkoj falje që nga përshkrimi i një portreti letrar të tij. Kështu më duket sikur shlyej një detyrim të madh që më ngacmonte në shpirt e zemër.

        Te personi i Bashkimit në fytyrë, veçanrisht në sy  e në buzë gjithnjë endet një buzëqeshje e cila është shkëndija e parë e një zjarri të mirëfilltë humori, që përhapet si një fllad i ngrohtë në shpirt. Vazhdimi i bisedës shpesh sjell qeshjen, e cila si gjuhë universale, shkrin çdo akull dhe ngreh urat më të forta mes mendjeve dhe zemrave. Në fytyrën e personalitetin e Bashkimit mbretëron qeshja e sinqertë, gurgulluese, e cila është pasaporta më e vlefshme për të hyrë në zemrën e tjetrit, “pa formalitete dhe pa doganë”.

          “Misionari i miqësisë në marrëdhëniet Shqipëri–Gjermani është ai njeri i rrallë që ecën si urë e gjallë mes dy brigjeve.”  Me fjalën e mençur dhe zemrën e hapur, ai bashkon kulturat, afron njerëzit dhe ndez dritë aty ku keqkuptimet lënë hije. Me durim prej mjeshtri dhe shpirt prej udhëtari, ai e sjell Gjermaninë më pranë shqiptarëve dhe Shqipërinë më të kuptueshme për gjermanët, duke i thurur bashkë ngjyra, histori e vlera që flasin një gjuhë të përbashkët: atë të respektit dhe mirëbesimit. Në punën e tij ka qetësi, por edhe këmbëngulje; ka përkushtim, por edhe gëzim të brendshëm për çdo urë miqësie që ngrihet. E, këto ura në rastin konkret, kur bëhet fjalë për ish ambasadorin e diplomatin e shquar Bashkim Zeneli, kanë qënë të shumta e të një rëndësie të veçantë në momente të caktuara të historisë të dy vendeve. E kështu, vepra e tij mbetet si një fije drite që ndriçon gjatë, duke e bërë miqësinë shqiptaro–gjermane jo vetëm një lidhje shtetesh, por një histori zemrash.

         Ai nuk foli kurrë me zë të lartë, por fjala e tij dëgjohej gjithnjë, se ai i “vinte jastëk fjalës.” Ishte njeri i përmbajtur, i matur, por edhe i ngrohtë në mënyrën e vet të butë. Qetësia e tij nuk qe shenjë e pasivitetit, por e sigurisë: sigurisë së një mendjeje të kthjellët, të ushqyer me dije të 6 gjuhëve të huaja, me njohjen e zakoneve, traditave e zakoneve të popujve tek të cilët shërbeu.

Është koha dhe vendi të cekim sado pak edhe për rolin e tij si ambasador në Greqi. Në këtë shtet ai nuk ishte thjesht diplomat; ishte dëgjues i vëmendshëm, i aftë të kuptonte gjuhën e nënteksteve, lëvizjet e heshtura të historisë dhe stigmat që ende kërkonin butësi për t’u tejkaluar.

Dekorata “Mjeshtër i Madh”, më e larta e Kuvendit të Shqipërisë, nuk është vetëm simbol nderimi për të. Ajo është pasqyrë e një jete të tërë të ngritur mbi dinjitetin, mendimin e kthjellët dhe besimin se diplomacia është arti i paqes së ditur, jo i fjalëve të bukura.

Ai mbetet një figurë që nuk e ka kërkuar kurrë dritën e prozhektorëve, por vetë rrezaton me qetësi. Një njeri që me punën e tij ka treguar se edhe shtetet, si njerëzit, afrohesh më shumë duke dëgjuar sesa duke bërtitur. Një diplomat, që në heshtjen e tij punëtore, ka shkruar kapituj të rëndësishëm të marrëdhënieve shqiptare me botën.

Edhe pse me përulësi qytetare e modesti, ka zgjedhur vetë të mos përfshihet në këtë botim, (siç ishte menduar afësisht si monografi), figura dhe roli i tij mbeten një udhërrëfyes i pashlyeshëm dhe model për brezat e diplomacisë shqiptare, studentët dhe për miqësinë e qëndrueshme midis popujve të Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Gustav Meyer – misionar i dijes dhe pionier i albanologjisë

     

Në historinë e studimeve shkencore mbi gjuhën shqipe, emri i Gustav Meyer zë një vend themelor. Me veprën e tij të ndërtuar mbi metoda rigoroze dhe vizion të qartë shkencor, ai hodhi bazat e albanologjisë moderne, duke e nxjerrë shqipen nga hamendësimet dhe duke e vendosur në hapësirën e gjuhëve të studiuara seriozisht në Evropë. Ky kapitull i kushtohet figurës së studiuesit që, përmes dijes dhe përkushtimit shkencor, i dha gjuhës shqipe njohjen akademike që i mungonte dhe hapi rrugë studimeve të mëtejshme mbi të.

         Në historinë e marrëdhënieve kulturore dhe shkencore mes botës shqiptare dhe hapësirës gjermano-austriake, emri i Gustav Meyer-it (1850–1900) shfaqet me një qetësi fisnike, por me peshë të jashtëzakonshme. Ai nuk ishte misionar në kuptimin klasik të fjalës, i dërguar nga institucione fetare apo politike, por një misionar i dijes: një studiues që e vuri shkencën në shërbim të njohjes dhe dinjitetit të një gjuhe e kulture ende pak të pranuar në Evropën e kohës.

Konteksti europian dhe takimi me shqipen

Në fund të shekullit XIX, Evropa akademike ishte e përfshirë nga etja për të ndërtuar hartën e madhe të gjuhëve indo-evropiane. Në këtë panoramë, gjuha shqipe qëndronte në periferi, shpesh e keqkuptuar, herë e konsideruar si degë dytësore, herë si mbetje e paqartë e një sistemi të vjetër gjuhësor. Pikërisht këtu hyn në skenë Gustav Meyer, i cili e pa shqipen jo si një kuriozitet marginal, por si një çelës për të kuptuar thellësi të historisë gjuhësore të Evropës.

Me qetësi metodologjike dhe këmbëngulje shkencore, ai iu përkushtua analizës së strukturës, fjalorit dhe zhvillimit historik të shqipes. Përmes metodës së gjuhësisë krahasuese, Meyer e vendosi shqipen në mënyrë të argumentuar brenda familjes indo-evropiane, duke i dhënë asaj një status të qartë dhe të padiskutueshëm shkencor.

Pionier i albanologjisë shkencore

Me të drejtë, Gustav Meyer konsiderohet pionieri i albanologjisë shkencore. Vepra e tij themelore, Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe (1891), përbën një moment kthese jo vetëm për studimet shqiptare, por edhe për vetë perceptimin e shqipes në Evropë. Për herë të parë, fjala shqipe u trajtua me disiplinë të rreptë shkencore, u krahasua me gjuhë të tjera indo-evropiane dhe u shpjegua në origjinën dhe zhvillimin e saj historik. Krahas fjalorit, gramatika e përmbledhur e shqipes dhe studimet e shumta të botuara në revista prestigjioze evropiane e bënë shqipen një prani të denjë në auditorët universitarë dhe bibliotekat shkencore. Ajo nuk ishte më një gjuhë “e panjohur ballkanike”, por një subjekt studimi i barabartë me gjuhët e tjera të kontinentit.

Shqipja si gjuhë e pavarur

          Një nga kontributet më të rëndësishme të Meyer-it ishte argumentimi shkencor i pavarësisë së gjuhës shqipe. Ai dëshmoi se shqipja nuk rrjedh nga greqishtja, latinishtja apo sllavishtja, por përbën një degë më vete, me zhvillim të brendshëm dhe rrënjë të lashta.

         Ky përfundim kishte një domethënie që shkonte përtej shkencës. Në një kohë kur identitetet kombëtare në Ballkan ishin ende në formësim, puna e Meyer-it u bë një mbështetje e heshtur, por e fortë, për vetëdijen gjuhësore dhe kulturore shqiptare. Shkenca, në këtë rast, u kthye në aleate të identitetit.

Urë lidhëse mes botëve kulturore

           Në këtë kuptim, Gustav Meyer mund të shihet si një urë e qëndrueshme mes botës gjermano-austriake dhe kulturës shqiptare. Ai e çoi shqipen në qendrat akademike të Gracit, Vjenës dhe më gjerë, duke zgjuar interes dhe respekt për një gjuhë e kulturë që deri atëherë kishin mbetur në hije. Pa dyshim mund të konkludojmë se puna e tij hodhi baza si një trase e rëndësishme për përgatitjen e një opinion të avancuar të intelektualëve shqiptarë deri ne Kongresin e Manastirit. Mejer nuk e arriti këtë ngjarje kulmore, mbasi ndërroi jetë në vitin 1900 në moshën 50 vjecare, por vepra e tij ishte si drita e diellit që shpërndan errësirën për njohjen dhe vendin e gjuhës Shqipe.

Puna e tij hapi rrugë për studiues të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, dhe vendosi themelet e një tradite albanologjike që vijon edhe sot. Përmes dijes, Meyer kontribuoi në afrimin e popujve, duke ndërtuar ura mirëkuptimi aty ku politika shpesh kishte ngritur mure.

            Meyer nisi studimet mbi shqiptarët dhe gjuhën shqipe në fillim të viteve ’80 të shekullit XIX. Ai nuk u mjaftua vetëm me burime të shkruara, por udhëtoi personalisht për të mbledhur leksik dialektor nga ngulimet shqiptare, duke u njohur drejtpërdrejt me të folmet e shqipes.

Në vitin 1880, ai ndërmori një udhëtim në Siçili, ku vizitoi ngulimet arbëreshe dhe mblodhi materiale të vyera gjuhësore. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, Meyer pati letërkëmbim me figura të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe arbëreshe, si Kostandin Kristoforidhi, Jeronim De Rada, Thimi Mitko, Dhimitër Kamarda, etj.Studime që hodhën themelet e albanologjisë modern.

Nga viti 1883 deri në 1897, Gustav Meyer botoi gjashtë vëllime me “Studime shqiptare”, ku trajtoi çështje themelore të fonetikës historike, gramatikës, etimologjisë, leksikut dhe marrëdhënieve të shqipes me gjuhë të tjera indoevropiane.

Veçanërisht i rëndësishëm konsiderohet vëllimi III (1892), ku Meyer paraqet zhvillimin e tingujve të indoevropianishtes në gjuhën shqipe, duke hedhur kështu themelet e fonetikës historike të shqipes. Ky vëllim pati ndikim të jashtëzakonshëm në studimet e mëvonshme gjuhësore.

Në vitin 1883, Meyer botoi artikullin “Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indogjermane”, ku saktësoi pozicionin e shqipes brenda familjes indoevropiane, duke e përfshirë atë në grupin e gjuhëve satem, por njëkohësisht duke vënë në dukje afritë me gjuhët veriore.

Origjina e shqiptarëve dhe teoria ilire

Lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, Meyer ishte i bindur se:

“Shqiptarët kanë banuar në Shqipëri që nga kohët shumë të vjetra; ata e kanë prejardhjen nga ilirët.”

Ai theksonte se quajtja e shqiptarëve si “ilirë të rinj” ishte po aq e drejtë sa quajtja e grekëve të sotëm si “grekë të rinj”.

Vepra madhore – Fjalori etimologjik

Në vitin 1888, Gustav Meyer botoi “Gramatikën e shkurtër të gjuhës shqipe”, ndërsa vepra e tij themelore mbetet “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, ku përmblodhi të gjitha arritjet e tij në studimin historik të shqipes.

Për kontributin e tij shkencor, Akademia Franceze i dha Çmimin Verner, ndërsa Faik Konica shkruante në revistën “Albania”:

“Albanologu i ndritur ka një famë universale në botën e dijetarëve. Që nga botimi i Studimeve shqiptare, ai u shfaq si një nga filologët më të thellë të kohës sonë.”

Meyer botoi gjithashtu dy punime të rëndësishme mbi ndikimin e latinishtes në gjuhën shqipe, ku arriti në përfundimin se shqipja kishte pësuar ndikim të fortë jo vetëm në leksik, por edhe në strukturën gramatikore dhe fjalëformim.

Trashëgimia shkencore.

Edhe pse Meyer nuk pati mundësi të shfrytëzonte plotësisht tekstet e vjetra të shekujve XVI–XVII, Eqrem Çabej e vlerësonte lart veprën e tij, duke theksuar se pasardhësit e tij arritën të plotësonin boshllëqet që ai vetë kishte lënë.

Në parathënien e fjalorit të tij, Meyer shkruante me përulësi:

“Le të qëndrojë kjo vepër si një ndihmesë jo krejt e padenjë për studimin e gjuhës shqipe.”

      Puna e tij hapi rrugë për studiues të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, dhe vendosi themelet e një tradite albanologjike që vijon edhe sot. Përmes dijes, Meyer kontribuoi në afrimin e popujve, duke ndërtuar ura mirëkuptimi aty ku politika shpesh kishte ngritur mure.Në nder të kontributit të jashtëzakonshëm të Gustav Meyer, sot në Tiranë një shkollë mban emrin e tij, si simbol mirënjohjeje për njeriun që i kushtoi jetën gjuhës shqipe. Gjithashtu, është emetuar një pullë poste me foton e tij. Në krahasim me rolin e tij dhe rëndësinë e punimeve për gjuhën shqipe, ka vend të shikohet me synim vlerësimin e punës në emertim objektesh, rrugë etj. në mirënjohje te emrit e veprës tij.

          Me studimet e tij të thelluara dhe metodologjinë shkencore krahasuese, Gustav Meyer e nxori gjuhën shqipe nga mjegulla e paragjykimeve dhe e vendosi përfundimisht në familjen e gjuhëve indoevropiane. Kështu, ai jo vetëm i dha shqipes vendin që i takon në shkencën evropiane, por hapi edhe rrugën për studime të mëtejshme, duke e afirmuar gjuhën si një nga shtyllat themelore të identitetit kombëtar shqiptar.