

“Mes Uniformës dhe Kohës”, libri me kujtime dhe mbresa i gjeneral Ismail Shulkut, sapo doli nga shtypi. Kam kënaqësinë të jem ndër të parët që e mora si dhuratë nga autori, me një dedikim të veçantë mirënjohjeje për kontributin tim në përfundimin e librit, veçanërisht në përcaktimin e titullit të tij.
Ky nuk është thjesht një libër kujtimesh. Në faqet e tij ndërthuren historia e fisit Shulku në Tomin të Dibrës, rrugëtimi i autorit si prind, qytetar, ushtarak e drejtues, si edhe kontributi i tij në ndërtimin e një ushtrie profesioniste me standarde bashkëkohore. Autori sjell një rrëfim të sinqertë për sfidat, sakrificat, miqësitë dhe përgjegjësitë që kanë shoqëruar jetën e tij, nga niveli taktik deri në atë strategjik, si dhe angazhimin e tij në jetën publike.
Për karrierën e gjeneral Ismail Shulkut nuk po ndalem gjatë, sepse ajo flet vetë. Rrugëtimi i tij deri në detyrat e Komandantit të Frontit Verilindor,drejtor i Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm është historia e një jete të ndërtuar mbi përkushtimin, profesionalizmin dhe meritën. Pikërisht për këtë, në këtë shkrim zgjodha të ndalem më shumë te Ismail Shulku si njeri – bashkëshort, prind, mik, poet dhe ruajtës i kujtesës së familjes e të brezit të tij.
Si hartues i kopertinës, ndihem mirë që u përpoqa të pasqyroj simbolikisht këtë udhëtim me elemente të jetës ushtarake, busullën, terrenin dhe atmosferën e stërvitjeve e detyrave që kanë lënë gjurmë në karrierën e autorit.
Një nga vlerat më të veçanta të librit është ana e tij njerëzore. Përveç kujtimeve, Ismail Shulku zbulon edhe shpirtin poetik, duke ia kushtuar vargjet bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe njerëzve të zemrës. Në faqet hyrëse ai shkruan:
“Këtë libër ia dedikoj fëmijëve të mi të mrekullueshëm: Bertit, Ilirit dhe Elës, nipërve dhe mbesave të mia, që më bëjnë të lumturohem: Dejvit, Endit, Shilës, Greisit, Esterit dhe Ambërit; në mënyrë të posaçme bashkëshortes sime të ndjerë Bajame Shulkut, pjesa më e mirë e imja, që më dhuroi dhe rriti me shumë përkushtim tre fëmijët e mi.
Ia dedikoj të gjithë njerëzve të mi, vëllezërve e motrave, nipërve e mbesave të fisit Shulku që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Ia dedikoj të gjithë shokëve dhe miqve të mi ushtarakë, që punuan e shërbyen me ndjenjë të lartë përgjegjësie për mbrojtjen e atdheut.
Ia dedikoj shokëve dhe miqve të mi ushtarakë që nuk jetojnë më.”
Botuar nga Shtëpia Botuese “UNIVERS”, me redaktore Prishila Hysa, libri është pasuruar me fotografi nga arkivi familjar dhe me dëshmi të shokëve e miqve që kanë bashkëpunuar me autorin.
“Mes Uniformës dhe Kohës” është një libër që lexohet me interes, sepse në të nuk gjen vetëm jetën e gjeneral Ismail Shulkut, por edhe copëza të historisë sonë të përbashkët, të familjes, ushtrisë dhe shoqërisë shqiptare. Ju ftoj ta lexoni.
Karriera e një gjenerali nuk matet vetëm me detyrat e larta që ka mbajtur, por edhe me gjurmët që ka lënë te njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite. Për këtë arsye, në faqet e këtij libri do të gjeni edhe mbresat dhe dëshmitë e shokëve, kolegëve dhe miqve të tij: Bajram Mane, ish-Zv.Ministër i Mbrojtjes; Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së; Gjeneral Majore Manushaqe Shehu, ish-Zv.Shefe e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së; Kolonel Novrus Sako; Skënder Lena, inxhinier ndërtimi; Ganiu Elezi, ushtarak karriere; Çela Boraj, ish-komandant i Divizionit të 17-të në Tropojë; Kolonel Agron Shehi, ushtarak karriere në detyrë; si dhe Nexhbedin Basha, gazetar, poet dhe Major në Rezervë.
Ata sjellin kujtime, vlerësime dhe dëshmi që plotësojnë portretin e një ushtaraku të lartë, duke zbuluar përtej uniformës edhe njeriun, bashkëpunëtorin dhe drejtuesin që ka ndarë me ta vite pune, sfida dhe përgjegjësi. Këto dëshmi i japin librit një dimension njerëzor, duke e bërë rrugëtimin e gjeneralit jo vetëm një histori karriere, por edhe një histori marrëdhëniesh, besimi dhe respekti.
Gjenerali Shulku nuk mban mbi supe vetëm gradat e larta të karrierës ushtarake. Ai mban edhe nderimin e qytetit të tij, si Qytetar Nderi i Dibrës, si dhe peshën e medaljeve, dekoratave dhe vlerësimeve që i janë dhënë gjatë rrugëtimit të tij. Këto nuk janë vetëm shenja nderimi, por dëshmi të një jete kushtuar detyrës, ushtrisë dhe atdheut. Janë stimuj që nuk i përfiton gjithkush, sepse pas tyre qëndrojnë puna, sakrifica, përgjegjësia dhe gjurmët që një njeri lë në historinë e vendit të tij.
Në mbyllje, do të ndalesha te një përkim domethënës. Ndoshta është një rastësi, ndoshta një shenjë që vetëm historia di ta sjellë, që libri i gjeneralit Shulku sheh dritën e botimit pikërisht më 10 Korrik, datë që përkon me Ditën e Krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, e cila për dekada është nderuar si dita e lindjes së ushtrisë shqiptare. Ky përkim i jep këtij botimi një simbolikë të veçantë, duke bashkuar kujtesën historike me rrëfimin e një ushtaraku që i kushtoi jetën Forcave të Armatosura dhe shërbimit ndaj atdheut.
I uroj gjeneralit Shulku shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari të mëtejshme. Uroj që ky libër të lexohet me vëmendje, të vlerësohet si një dëshmi e çmuar e historisë sonë ushtarake dhe të mbetet një udhërrëfyes për brezat që do të vijojnë t’i shërbejnë Shqipërisë.
Nexhbedin Basha-Gazetar & poet
10 korrik 2026